Çfarë është lajmi i mirë?
Çfarë është lajmi i mirë?
«Ky lajm i mirë . . . »—MATEU 24:14.
NGA të krishterët pritet që t’u predikojnë të tjerëve ‘lajmin e mirë për mbretërinë’, pra t’u shpjegojnë se Mbretëria është qeveria e ardhshme botërore që do ta sundojë tokën me drejtësi. Megjithatë, shprehja «lajm i mirë» përdoret edhe në mënyra të tjera në Bibël. Për shembull, ja disa shprehje: «lajmin e mirë të shpëtimit» (Psalmi 96:2); «lajmit të mirë të Perëndisë» (Romakëve 15:16) dhe «lajmit të mirë për Jezu Krishtin».—Marku 1:1.
E thënë thjesht, lajmi i mirë përfshin tërë të vërtetat për të cilat foli Jezui dhe që shkruan dishepujt. Para se të ngjitej në qiell, Jezui u tha dishepujve: «Prandaj, shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Për këtë arsye, vepra e të krishterëve të vërtetë nuk përfshin vetëm t’u flasin të tjerëve për Mbretërinë. Ata duhet edhe të përpiqen të bëjnë dishepuj.
Si po veprojnë kishat në këtë aspekt? Ata që nuk e kuptojnë çfarë është Mbretëria—të cilët janë shumë—nuk mund t’i mësojnë të tjerët me saktësi për të. Në vend të kësaj, ata predikojnë fjalime për faljen e mëkateve dhe për besimin te Jezui, që të bëjnë të ndihesh mirë. Gjithashtu përpiqen t’i kthejnë njerëzit në besim duke dhënë ndihma të ndryshme ose duke ndërtuar spitale, shkolla dhe shtëpi për të varfrit. Edhe pse përpjekje të tilla mund ta rritin numrin e njerëzve që shkojnë në kishë, kjo nuk bën të krishterë të vërtetë që përpiqen me gjithë zemër të jetojnë në harmoni me atë që mësoi Jezui.
Një teolog shkruan: «Pak studiues ose udhëheqës në rrethet e krishtere e mohojnë se nga ne pritet të bëjmë dishepuj ose ndihmës të Jezuit dhe t’i mësojmë ata të bëjnë gjithçka që tha Jezui. . . . Tek e fundit, udhëzimet e Jezuit për këtë çështje janë shumë të qarta. Ne thjesht nuk e bëjmë atë që tha ai. Nuk përpiqemi seriozisht. Dhe, me sa duket, nuk dimë si ta bëjmë këtë.»
Në mënyrë të ngjashme, një anketë për katolikët në Shtetet e Bashkuara, zbuloi se 95 për qind ishin dakord se predikimi i lajmit të mirë është një kërkesë për besimin e tyre. Për më tepër, pothuajse të gjithë mendonin se mënyra më e mirë për ta bërë këtë, ishte duke jetuar në mënyrë shembullore për të tjerët, e jo duke u folur për të. Një nga të anketuarit tha: «Ungjillëzimi ndryshon nga fjalët, fjalët, fjalët. Ne duhet të jemi Lajmi i Mirë.» Revista U.S. Catholic, që drejtoi anketën, tha se shumë veta sprapsen e nuk flasin me të tjerët për besimin e tyre për shkak të «imazhit të ulët të kishës me skandalet e fundit për abuzimin seksual dhe me mësimet problematike të kishës».
Në një vend tjetër, një peshkop metodist tha përvajshëm se kishat e tij janë të ndara e të pështjelluara. U mungon guximi për ta përmbushur misionin e tyre dhe thuajse mbajnë të njëjtat vlera si shoqëria në përgjithësi. Me një ton zhgënjimi, ai pyeti: «Cilët po e përhapin sot denjësisht ungjillin për Mbretërinë?»
Peshkopi nuk i dha përgjigje pyetjes së tij. Por ka një përgjigje. Do ta gjeni në artikullin e radhës.
[Diçitura në faqen 6]
Lajmi i mirë flet si për Mbretërinë e Perëndisë, edhe për shpëtimin me anë të besimit te Jezu Krishti