Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dënon Bibla bixhozin?

A e dënon Bibla bixhozin?

A e dënon Bibla bixhozin?

SHPESH, filmat dhe shfaqjet televizive të përhapura e kanë portretizuar bixhozin​—veçanërisht atë në kazino—​si zbavitja e njerëzve të bukur, të pasur e të një niveli të lartë. Sigurisht, në përgjithësi shikuesit e kuptojnë se këto përshkrime janë thjesht trillime ose fantazi.

Gjithsesi, në botën reale, biletat e lotarive, bastet sportive dhe bixhozi në Internet u bëjnë konkurrencë kazinove. Bixhozi është «një ves thuajse universal, tërheqja ndaj të cilit është përhapur me shpejtësi marramendëse», siç thuhet në librin Internet Gambling. Për shembull, sot televizioni dhe Interneti e paraqitin pokerin si një nga sportet më të zakonshme. Sipas një gazete, ekspertët llogaritin se kohët e fundit, numri i lojtarëve në Shtetet e Bashkuara është dyfishuar për 18 muaj.

Të luash bixhoz përfshin të rrezikosh para për një rezultat që nuk mund të përcaktohet. Shumë njerëz arsyetojnë se për sa kohë që paratë janë të bixhozçiut dhe nuk i bëhet ves, nuk ka asgjë të keqe të luash bixhoz. Në fakt, botimi New Catholic Encyclopedia thotë se bixhozi «nuk konsiderohet mëkat, përveçse kur e pengon dikë të përmbushë përgjegjësitë e tij». Megjithatë, nuk citohet asnjë shkrim biblik për të mbështetur këtë përfundim. Atëherë, ç’pikëpamje duhet të ketë një i krishterë për këtë çështje? A e toleron apo e dënon Bibla bixhozin?

Duhet vërejtur se Shkrimet e Shenjta nuk e përmendin drejtpërdrejt bixhozin. Por kjo nuk do të thotë se s’kemi asnjë drejtim për këtë çështje. Në vend që të vërë rregulla për çdo veprimtari ose situatë, Bibla na bën këtë nxitje: «Kuptoni cili është vullneti i Zotit.» (Efesianëve 5:17, Diodati i Ri) Sipas studiuesit biblik, Ethelbert Bullinger, fjala greke e përkthyer «kuptoni», do të thotë të bashkosh aspektet e ndryshme të një teme nëpërmjet «aktivitetit mendor, njohurisë së fituar nga meditimi». Kështu, një i krishterë e kupton vullnetin e Perëndisë për këtë çështje duke bashkuar dhe duke medituar për parimet biblike që lidhen me bixhozin. Ndërsa lexoni shkrimet e cituara në këtë artikull, mund të pyesni veten: «A është bixhozi në harmoni me këtë shkrim? Çfarë thotë Fjala e Perëndisë për vullnetin e Tij në lidhje me këtë çështje?»

Joshja ndaj fatit

Meqë bixhozi përfshin të rrezikosh para për gjëra që nuk ua di përfundimin, besimi te fati​—një forcë e mistershme që mendohet se kontrollon ngjarje të rastësishme—​luan rol të madh, veçanërisht kur vihen baste me para. Për shembull, për biletat e lotarive zgjidhen numra me fat; mes lojtarëve besëtytë të lojës mah-jong (një lloj bixhozi kinez) nuk lejohet të thuhen disa fjalë; dhe zareve u fryjnë para se t’i hedhin. Pse? Shpesh, bixhozçinjtë besojnë kush më shumë e kush më pak, se fati do të ndikojë te rezultati.

A është lojë e padëmshme të besosh te fati? Disa në Izraelin e lashtë mendonin kështu. Ata besonin se fati mund t’u sillte begati. Si mendonte Perëndia Jehova për këtë çështje? Nëpërmjet profetit Isaia, Perëndia u tha atyre: «Më braktisët mua, Jehovain, . . . harruat malin tim të shenjtë, . . . shtroni tryezën për perëndinë e Fatit të Mirë dhe shtini verë të përzier për perëndinë e Riskut.» (Isaia 65:11) Në sytë e Perëndisë, besimi te fati është një formë idhujtarie dhe është në kundërshtim me adhurimin e vërtetë. Ai pasqyron besimin te një forcë imagjinare dhe jo te Perëndia i vërtetë. Nuk ka asnjë arsye të besojmë se Perëndia ka ndryshuar pikëpamje.

Si fitohen çmimet?

Shpesh, bixhozçinjtë, kur vënë bast në Internet, kur blejnë një biletë lotarie, kur vënë një bast sportiv ose kur luajnë në kazino nuk e marrin parasysh burimin e çmimit që po përpiqen të fitojnë. Bixhozi ndryshon nga një veprim i ligjshëm biznesi ose nga një blerje, pasi lojtari dëshiron të fitojë paratë që humbin lojtarët e tjerë. * Një institucion (Canada’s Centre for Addiction and Mental Health) thotë: «Për çdo milioner që del fitues në lotari, ka miliona të tjerë që i humbin paratë!» Cilat parime biblike mund ta ndihmojnë një të krishterë ta kuptojë çfarë mendon Perëndia për këtë?

I fundit nga Dhjetë Urdhërimet që iu dhanë Izraelit, thotë: «Mos dëshiro shtëpinë e tjetrit. Mos dëshiro gruan e tjetrit, as skllavin e as skllaven e tij, as demin e as gomarin e tij, as gjithçka që i përket atij.» (Dalja 20:17) Të dëshiroje gjërat e tjetrit​—zotërimet materiale, pasurinë dhe paratë—​konsiderohej mëkat i rëndë. Renditej bashkë me dëshirën për të pasur gruan e një tjetri. Shekuj më vonë, apostulli Pavël ua përsëriti këtë urdhërim të krishterëve: «Mos lakmo.» (Romakëve 7:7) A mund të bëhet fajtor për lakmi një i krishterë që përpiqet të fitojë atë që humb dikush tjetër?

«E pranojnë apo jo, para se të kryejnë veprimin, ata [shumë bixhozçinj] ëndërrojnë në fshehtësi që ta kthejnë në një mal me para çfarëdo shume që hedhin bast, edhe nëse bëhet fjalë vetëm për pak dollarë»,—shkruan gazetari Filip Vogeli. Bixhozçinj të tillë ëndërrojnë të fitojnë qyl pasuri të madhe. Është e qartë që kjo bie në kundërshtim me këshillën e Biblës se një i krishterë duhet «të punojë pa u lodhur e të bëjë me duart e veta një punë të mirë, që të ketë diçka për t’i shpërndarë ndonjë nevojtari». (Efesianëve 4:28) Gjithashtu, apostulli Pavël tha në mënyrë specifike: «Nëse ndokush nuk do që të punojë, as të mos hajë!» Më pas shtoi se të krishterët duhet «të hanë bukën që nxjerrin vetë». (2 Selanikasve 3:10, 12) Por, a mund të konsiderohet bixhozi punë e mirëfilltë?

Megjithëse bixhozi është lojë ku përfshihesh shumë emocionalisht, paratë që jepen, fitohen pa djersë, nuk janë shpërblim për kryerjen e një pune ose ofrimin e një shërbimi. Në bixhoz, përfundimi varet shumë nga rastësia dhe bazohet te shpresa që herët a vonë gjërat do të dalin për mirë. Në thelb, një bixhozçi kërkon të fitojë diçka nga hiçgjë. Nga ana tjetër, të krishterët e vërtetë këshillohen të fitojnë para me punë të ndershme. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Për njeriun s’ka asgjë më të mirë se të hajë e të pijë dhe që shpirti i tij të shohë të mira, për shkak të mundit të tij.» Pastaj shtoi: «[Kjo] është nga dora e Perëndisë së vërtetë.» (Eklisiastiu 2:24) Po, shërbëtorët e Perëndisë nuk e bazojnë shpresën te gjërat imagjinare e as nuk kërkojnë mënyra të shpejta e të lehta për të fituar para, por drejtohen te Perëndia për lumturi dhe bekime.

Një «lak» që duhet shmangur

Edhe nëse ndodh mrekullia dhe lojtari fiton, ai bën mirë të marrë parasysh jo vetëm ngazëllimin e çastit që sjell fitorja, por edhe pasojat afatgjata të bixhozit. Proverbat 20:21 thotë: «Trashëgimia fitohet me lakmi në fillim, por në fund ajo nuk do të bekohet.» Mjaft fitues lotarie dhe bixhozçinj të tjerë e kanë kuptuar, me keqardhje ose trishtim, se pasuria që kanë fituar nuk u ka sjellë lumturi. Është shumë më mirë t’ia vëmë veshin këshillës së Biblës që të mos i varim shpresat «te pasuria e pasigurt, por te Perëndia, që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë».​—1 Timoteut 6:17.

Ka edhe një lak që duhet shmangur. «Ata që janë të vendosur të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim»,​—thotë Fjala e Perëndisë. (1 Timoteut 6:9) Një lak projektohet për të zënë në grackë një viktimë. Njerëz të panumërt, të vendosur që të rrezikojnë vetëm pak para ose thjesht të provojnë dorën ca herë në bixhoz, e kanë parë veten të ngecur, të pafuqishëm për t’u çliruar nga varësia ndaj bixhozit. Kjo ka shkatërruar karriera, ka lënduar njerëz të dashur dhe ka rrënuar familje.

Pasi kemi shqyrtuar shumë shkrime që lidhen me bixhozin, a e kuptoni cili është vullneti i Perëndisë për këtë çështje? Apostulli Pavël i nxiti të bashkëkrishterët: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote, por shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj, që të vërtetoni se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.» (Romakëve 12:2) Vullneti i Perëndisë, jo mendimi i njerëzve në përgjithësi, duhet të udhëheqë jetën e një të krishteri. Si ‘Perëndia i lumtur’, Jehovai dëshiron që ne ta gëzojmë jetën, pa vuajtur nga pasojat e hidhura që sjell laku i bixhozit.​—1 Timoteut 1:11.

[Shënimi]

^ par. 10 Revista Zgjohuni! e tetorit 2000, faqet 25 deri 27, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, shpjegon si ndryshon investimi në bursë nga bixhozi.

[Diçitura në faqen 14]

Shërbëtorët e Perëndisë i fitojnë paratë me punë të ndershme

[Kutia në faqen 13]

Ngazëllimi i fitores

A mund të kthehet bixhozi në zakon dhe fare lehtë ta bëjë dikë të varur ndaj tij? Pas një studimi për reagimet e bixhozçinjve kur fitojnë e humbin, dr. Hans Brajteri vuri re se «një shpërblim monetar në një eksperiment që simulonte efektet e bixhozit, bënte që truri të reagonte në mënyrë shumë të ngjashme me trurin e një narkomani në momentin që merr kokainë».

[Figura në faqen 13]

Paratë e kujt po përpiqen të fitojnë bixhozçinjtë?