Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cilët po e predikojnë lajmin e mirë?

Cilët po e predikojnë lajmin e mirë?

Cilët po e predikojnë lajmin e mirë?

« . . . do të predikohet në gjithë tokën e banuar.»​—MATEU 24:14.

LAJMI i mirë po predikohet në mbarë botën nga Dëshmitarët e Jehovait. Ata e bëjnë këtë në mënyra të ndryshme. Një mënyrë është me anë të . . .

Të folurit. Ashtu si Jezui dhe dishepujt e tij, Dëshmitarët e Jehovait shkojnë te njerëzit me lajmin e mirë. (Luka 8:1; 10:1) Nuk presin që njerëzit të vijnë tek ata. Të gjithë Dëshmitarët​—që janë mbi shtatë milionë—​angazhohen në veprën e dhënies së dëshmisë për Mbretërinë e Perëndisë. Ata predikojnë shtëpi më shtëpi, në rrugë, me anë të telefonit dhe në mënyra të tjera. Vitin e kaluar, Dëshmitarët shpenzuan më tepër se një miliard e gjysmë orë në këtë vepër.

Ata i mësojnë të tjerët jo vetëm për Mbretërinë e Perëndisë, por edhe për ‘të gjitha gjërat që [Jezui] ka urdhëruar’. (Mateu 28:20) Ata drejtojnë rregullisht më shumë se tetë milion studime biblike pa pagesë në shtëpi.

Dëshmitarët po predikojnë në mbarë botën​—në 236 vende. U predikojnë njerëzve me prejardhje dhe shtresa të ndryshme. Predikojnë në fshat dhe në qytet, në xhunglat e Amazonës dhe në tajgat siberiane, në shkretëtirat afrikane dhe në malet Himalaje. Ata nuk paguhen për këtë vepër, por e bëjnë me shpenzimet e veta dhe përdorin kohën e tyre të shtyrë nga dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin. Gjithashtu, ata e bëjnë të njohur lajmin e mirë me anë të . . .

Faqeve të shtypura. Kjo revistë, titulli i plotë i së cilës është Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait, tani botohet në 185 gjuhë dhe ka një tirazh prej më shumë se 42 milionë kopjesh çdo numër. Edhe Zgjohuni!, revista shoqëruese, e cila bën të njohur Mbretërinë, botohet në 83 gjuhë dhe tirazhi i saj i kalon rreth 40 milionë kopje për numër.

Libra, broshura, fletushka, CD/​MP3 dhe DVD që shpjegojnë mësimet biblike gjenden në rreth 540 gjuhë. Vetëm dhjetë vitet e fundit, Dëshmitarët kanë prodhuar dhe shpërndarë më tepër se 20 miliardë nga këto mjete, afërsisht tre për çdo njeri që jeton në tokë.

Gjithashtu, Dëshmitarët e Jehovait kanë shtypur ose kanë autorizuar shtypjen e përkthimeve të ndryshme të Biblës. Botimi Shkrimet e Shenjta​—Përkthimi Bota e Re, i përkthyer, i shtypur dhe i shpërndarë nga Dëshmitarët, tani është në dispozicion i plotë ose pjesërisht në 96 gjuhë. Janë shpërndarë më shumë se 166 milionë kopje. Për më tepër, Dëshmitarët flasin rreth lajmit të mirë të Mbretërisë . . .

Në mbledhjet e krishtere. Mbledhjet javore që mbahen në Sallat vendëse të Mbretërisë nuk janë thjesht shërbesa fetare; ato kanë si qëllim të arsimojnë. Bëhen fjalime mbi tema biblike dhe Bibla studiohet me ndihmën e revistës Kulla e Rojës dhe të botimeve të tjera. Në mbledhje, Dëshmitarët mësojnë edhe si të bëhen lajmëtarë më të efektshëm të lajmit të mirë.

Dëshmitarët studiojnë të njëjtin material në më shumë se 107.000 kongregacione në tërë tokën, duke i kontribuar unitetit të tyre. Këto mbledhje janë të hapura për publikun. Asnjëherë nuk mblidhen para. Sigurisht, asnjë nga këto nuk do të kishte kuptim nëse Dëshmitarët nuk do t’i zbatonin gjërat që predikojnë. Për këtë arsye, ata përpiqen ta rekomandojnë lajmin e mirë . .  .

Me shembullin e tyre. Ata përpiqen të kenë sjellje të krishterë shembullore, duke bërë më të mirën që t’i trajtojnë të tjerët ashtu siç do të donin të trajtoheshin vetë. (Mateu 7:12) Edhe pse janë të papërsosur dhe nganjëherë shfaqin mangësi, ata duan sinqerisht të veprojnë me dashuri ndaj të gjithë njerëzve, jo vetëm duke u folur për lajmin e mirë, por edhe duke u shtrirë dorën kurdo që është e mundur.

Dëshmitarët e Jehovait nuk po përpiqen t’i ndërrojnë besimin botës mbarë nëpërmjet predikimit të tyre. Përkundrazi, kur kjo vepër të jetë kryer deri në atë masë që do Jehovai, fundi do të vijë, siç paratha Jezui. Ç’domethënie do të ketë kjo për tokën dhe për njerëzit që jetojnë në të?

[Figura në faqen 7]

Lajmi i mirë po predikohet në mbarë botën nga Dëshmitarët e Jehovait