Një profeci me rëndësi të jashtëzakonshme
Një profeci me rëndësi të jashtëzakonshme
«Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»—MATEU 24:14.
EDHE studiuesit janë dakord se ky varg është tejet i rëndësishëm. Është i tillë për shkak të shtrirjes mbarëbotërore të veprës që përshkruan. Si dhe është i rëndësishëm sepse e drejton vëmendjen tek ajo që duhet të ishin duke bërë të krishterët: një vepër predikimi që do t’i paraprinte dhe do të lajmëronte ngjarjen historike me shtrirje të gjerë, të cilën Jezui e quajti «fundi».
Ky varg profetik po përmbushet sot. Përfshihesh dhe ti, pasi lajmi i mirë përmban edhe ftesë, edhe paralajmërim. Të ofron një zgjedhje: të pranosh Mbretërinë e Perëndisë ose t’i kundërvihesh. Zgjedhja që bën ndikon te vetë jeta jote.
Shqyrto kontekstin. Disa ditë para se Jezui të vihej në shtyllë, dishepujt iu afruan dhe e pyetën për të ardhmen. Donin të dinin për themelimin e Mbretërisë së Perëndisë, për të cilën Jezui u kishte folur kaq shpesh. Gjithashtu, ata donin të dinin rreth «përfundimit të sistemit» ose, siç e përkthejnë disa versione, rreth «mbarimit të botës».—Mateu 24:3, Diodati i Ri.
Duke u përgjigjur, Jezui paratha se do të ndodhnin në një shkallë të madhe luftëra, zi buke, murtaja dhe tërmete të forta. Për më tepër, ai tha se paligjshmëria do të rritej, mësuesit e rremë fetarë do të mashtronin shumë veta dhe të krishterët e vërtetë do t’i urrenin e do t’i përndiqnin. Të gjitha këto përbënin një lajm të keq.—Mateu 24:4-13; Luka 21:11.
Por kishte edhe një lajm të mirë. Më pas Jezui tha fjalët e lartpërmendura, fjalë që për shekuj me radhë i kanë futur në mendime dhe u kanë dhënë shpresë njerëzve. Ndonëse njerëzit janë dakord me rëndësinë e fjalëve të Jezuit, ata nuk pajtohen me domethënien e tyre. Çfarë është saktësisht ky lajm i mirë? Çfarë është Mbretëria? Kur do të përmbushet kjo profeci dhe nga kush? Po «fundi», çfarë është? Le ta shohim.
[Figura në faqet 2, 3]
Mateu 24:14 është me shkronja të theksuara
Faksimile e dorëshkrimit të Uashingtonit për katër ungjijtë.[Burimi]
Nga libri Faksimile e dorëshkrimit të Uashingtonit për katër ungjijtë në koleksionin Freer, 1912