Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?

Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?

Mëso nga Fjala e Perëndisë

Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?

Ky artikull ngre pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.

1. Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?

Toka është shtëpia e njerëzve. Pasi Perëndia krijoi engjëjt për të jetuar në qiell, njeriun e bëri për të gëzuar tokën. (Jobi 38:4, 7) Prandaj Jehovai e vuri njeriun e parë në një parajsë të këndshme të quajtur Eden dhe i ofroi atij dhe pasardhësve që do të vinin mundësinë që të gëzonin jetën pa fund në tokë.​—Zanafilla 2:15-17; lexo Psalmin 115:16.

Kopshti i Edenit zinte vetëm një pjesë të vogël të tokës. Çifti i parë, Adami dhe Eva, do të kishin fëmijë. Ndërkohë që familja njerëzore do të rritej në numër, ata do ta punonin tokën dhe do ta bënin parajsë. (Zanafilla 1:28) Toka nuk do të shkatërrohet kurrë.​—Lexo Psalmin 104:5.

2. Pse sot toka nuk është parajsë?

Adami dhe Eva nuk iu bindën Perëndisë, prandaj u dëbuan nga Edeni. Parajsa u humb dhe asnjë njeri nuk ia ka dalë ta rivendosë atë. Bibla thotë: «Toka është lënë në dorë të të ligjve.»​—Jobi 9:24; lexo Zanafillën 3:23, 24.

Por Jehovai nuk e ka harruar qëllimin që kishte në fillim për njerëzimin, madje Ai nuk dështon kurrë. (Isaia 45:18) Do t’i japë sërish racës njerëzore atë lloj jete që kishte ndër mend.​—Lexo Psalmin 37:11.

3. Si do ta rivendosë paqen në tokë Perëndia?

Që njerëzit të jetojnë në paqe, Perëndia si fillim duhet të eliminojë të ligjtë. Në betejën e Harmagedonit, engjëjt e Perëndisë do të shkatërrojnë të gjithë kundërshtarët e tij. Satanai do të burgoset për 1.000 vjet, por njerëzit që e duan Perëndinë do të mbijetojnë që të gëzojnë në tokë sistemin e ri.​—Lexo Zbulesën 16:14, 16; 20:1-3; 21:3, 4.

4. Kur do të marrin fund vuajtjet?

Për 1.000 vjet Jezui do ta sundojë tokën nga qielli dhe do ta kthejë sërish në parajsë. Gjithashtu do t’u fshijë mëkatet të gjithë atyre që e duan Perëndinë. Kështu, Jezui do të eliminojë sëmundjet, plakjen dhe vdekjen.​—Lexo Isainë 11:9; 25:8; 33:24; 35:1.

Kur do ta shkatërrojë të keqen në tokë Perëndia? Jezui dha një ‘shenjë’ që të kuptojmë kur është afër fundi. Kushtet e sotme e vënë në rrezik mbijetesën e njeriut dhe tregojnë se po jetojmë në ‘përfundim të sistemit’.​—Lexo Mateun 24:3, 7-14, 21, 22; 2 Timoteut 3:1-5.

5. Cilët do të jetojnë në parajsën që do të vijë?

Jezui i udhëzoi dishepujt e tij që të bënin dishepuj të tjerë dhe t’u mësonin mënyrën si e shfaq Perëndia dashurinë. (Mateu 28:19, 20) Anembanë, Jehovai po bën gati miliona njerëz që të jetojnë në sistemin e ri këtu në tokë. (Sofonia 2:3) Në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, njerëzit mësojnë si të jenë burra dhe baballarë më të mirë dhe gra e nëna më të mira. Fëmijët bashkë me prindërit mësojnë arsyet bazë të besimit për një të ardhme më të mirë.​—Lexo Mikenë 4:1-4.

Në Sallën e Mbretërisë do të takosh njerëz që e duan Perëndinë dhe që duan të mësojnë si t’i pëlqejnë atij.​—Lexo Hebrenjve 10:24, 25.

Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 3, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.