Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka Perëndia një organizatë?

A ka Perëndia një organizatë?

A ka Perëndia një organizatë?

RREGULLI shihet kudo në krijimin e Perëndisë. Për shembull, qeliza «e thjeshtë» e majasë është një mrekulli organizimi. Ajo ka gati të njëjtin numër pjesësh sa një aeroplan Boing-777. Megjithatë, të gjithë përbërësit kanë një vend të përcaktuar dhe qëndrojnë në një sferë me diametër pesë mikronë *. Ndryshe nga aeroplanët, qeliza e majasë mund të riprodhohet. Ç’rregull dhe ç’organizim i mrekullueshëm!​—1 Korintasve 14:33.

Organizimi nuk shihet vetëm në krijimin fizik. Bibla tregon se edhe bota frymore është jashtë mase e organizuar, në përputhje me qëllimin e Krijuesit. Profeti Daniel pa në një vegim një grup të stërmadh krijesash engjëllore në oborrin qiellor të Perëndisë: «Një mijë mijëra i shërbenin dhe dhjetë mijë herë dhjetë mijë qëndronin pikërisht përpara tij.» (Danieli 7:9, 10) Imagjino organizimin që duhet të ketë kjo mori engjëjsh, të cilët janë më shumë se njëqind milionë, që t’i përgjigjen Jehovait dhe të bëjnë vullnetin e tij në dobi të shërbëtorëve të tij këtu në tokë.​—Psalmi 91:11.

Megjithëse Krijuesi, Perëndia Jehova, është Organizuesi Suprem, ai nuk është i ftohtë ose i fiksuar pas rregullave. Përkundrazi, është një Perëndi i ngrohtë dhe i lumtur i cili shqetësohet për mirëqenien e gjithë krijesave të tij. (1 Timoteut 1:11; 1 Pjetrit 5:7) Kjo duket në mënyrën si veproi me kombin e lashtë të Izraelit dhe me të krishterët e shekullit të parë.

Izraeli i lashtë​—Komb i organizuar mirë

Perëndia Jehova përdori Moisiun për të organizuar izraelitët në adhurimin e vërtetë. Le të shqyrtojmë vetëm rregullimet për fushimin gjatë qëndrimit në shkretëtirën e Sinait. Sigurisht do të krijohej një kaos i vërtetë nëse çdo familje do të lejohej ta ngrinte tendën ku të donte. Jehovai i dha kombit udhëzime specifike për sa i përket vendit ku duhej ta ngrinte kampin çdo fis. (Numrat 2:1-34) Ligji i Moisiut përmbante edhe rregulla të përcaktuara për shëndetin dhe higjienën, si për shembull eliminimi i jashtëqitjeve.​—Ligji i përtërirë 23:12, 13.

Kur hynë në Tokën e Premtuar, izraelitët ishin një komb mjaft i organizuar në shumë drejtime. Kombi u nda në 12 fise dhe secilit iu caktua një pjesë toke. Ligji që Jehovai i dha këtij kombi nëpërmjet Moisiut, mbulonte çdo aspekt të jetës, si: adhurimin, martesën, familjen, arsimimin, biznesin, zgjedhjen e ushqimeve, bujqësinë, blegtorinë e kështu me radhë. * Megjithëse disa ligje ishin specifike dhe të hollësishme, të gjitha ishin një shprehje e kujdesit të Jehovait ndaj popullit të tij dhe e ndihmonin atë të ishte i lumtur. Duke iu bindur këtyre rregullimeve të dashura, izraelitët gëzonin favorin e veçantë të Jehovait.​—Psalmi 147:19, 20.

Edhe pse Moisiu kishte dhunti si drejtues, suksesi ose dështimi nuk vareshin nga aftësitë e tij drejtuese, por sa besnik ishte ndaj organizimit të Perëndisë. Për shembull, si vendosi Moisiu se çfarë rruge duhej të ndiqnin në shkretëtirë? Jehovai i drejtoi me anë të një shtylle reje gjatë ditës dhe me anë të një shtylle zjarri gjatë natës. (Dalja 13:21, 22) Megjithëse Jehovai përdori njerëzit, ishte ai vetë që e organizonte dhe e drejtonte popullin e tij. E njëjta gjë ndodhi edhe në shekullin e parë.

Të krishterët e hershëm ishin të organizuar mirë

Në shekullin e parë, si rezultat i predikimit të zellshëm të apostujve dhe të dishepujve, u themeluan kongregacione të krishtere në shumë vende të Azisë dhe të Evropës. Megjithëse ishin të shpërndara në vende të ndryshme, këto kongregacione nuk ishin grupe të izoluara e të pavarura. Përkundrazi ishin të organizuara mirë dhe përfitonin nga mbikëqyrja e dashur e apostujve. Për shembull, Titi u caktua nga Pavli në Kretë që ‘të organizonte çdo gjë atje’. (Titit 1:5, The Jerusalem Bible) Pavli i shkroi kongregacionit të Korintit që disa vëllezër kishin «aftësi organizative» ose ishin «organizues». (1 Korintasve 12:28, The New Testament in Modern Speech; The Bible in Contemporary Language) Por kush e kishte meritën për këtë rregull? Pavli tha se Perëndia e formoi ose «e organizoi» kongregacionin.​—1 Korintasve 12:24; The Riverside New Testament.

Mbikëqyrësit e caktuar në kongregacionin e krishterë nuk ishin si zotërinj mbi të bashkëkrishterët. Por ishin «bashkëpunëtorë» që ndiqnin drejtimin e frymës së Perëndisë dhe pritej që të ishin «shembuj për kopenë». (2 Korintasve 1:24; 1 Pjetrit 5:2, 3) Ai që shërben si «kreu i kongregacionit» është Jezu Krishti i ringjallur dhe jo thjesht një njeri ose një grup njerëzish të papërsosur.​—Efesianëve 5:23.

Kur kongregacioni në Korint filloi t’i bënte gjërat shumë ndryshe nga kongregacionet e tjera, Pavli shkroi: «Çfarë? Mos doli nga ju fjala e Perëndisë? Apo vetëm arriti deri te ju?» (1 Korintasve 14:36) Pavli e përdori këtë pyetje retorike për t’u ndrequr mënyrën e të menduarit dhe për t’i ndihmuar të kuptonin që nuk duhej të vepronin në mënyrë të pavarur. Kongregacionet u rritën dhe u begatuan kur ndoqën drejtimin e apostujve.​—Veprat 16:4, 5.

Shprehje e dashurisë së Perëndisë

Po sot? Disa ngurrojnë të lidhen me një organizatë fetare. Megjithatë Bibla jep prova se Perëndia e ka përdorur gjithmonë organizatën e tij ndërsa përmbush qëllimin e vet. Ai organizoi adhuruesit e tij, si izraelitët e lashtë, ashtu edhe të krishterët e hershëm.

Prandaj, a nuk është logjike të arrijmë në përfundimin se Perëndia Jehova e drejton ende popullin e tij ashtu si në të shkuarën? Po, organizimi dhe bashkimi i popullit të tij është shprehje e kujdesit të tij të dashur për ta. Sot, Jehovai përdor organizatën e tij për të përmbushur qëllimin që ka për njerëzimin. Si mund të kuptohet se cila është kjo organizatë? Le të shqyrtojmë kriteret në vazhdim.

Të krishterët e vërtetë janë të organizuar për të kryer një vepër. (Mateu 24:14; 1 Timoteut 2:3, 4) Jezui i urdhëroi dishepujt e tij që të predikonin lajmin e mirë të Mbretërisë në çdo komb, një caktim që do të ishte i pamundur pa një organizim ndërkombëtar. Le ta ilustrojmë. Mund të ushqesh i vetëm një njeri, por nëse të duhet të ushqesh mijëra e madje miliona njerëz, të duhet një grup i organizuar mirë që punojnë në mënyrë të koordinuar. Për të përmbushur caktimin e tyre, të krishterët e vërtetë shërbejnë sup më sup ose «bashkëpunojnë në shërbim [të Perëndisë]». (Sofonia 3:9; Byington) A do të ishte e mundur të kryhej një vepër shumëkombëshe, shumëgjuhëshe dhe shumëracore pa një organizatë të bashkuar e të harmonishme? Është e qartë se jo.

Të krishterët e vërtetë janë të organizuar për të mbështetur dhe inkurajuar njëri-tjetrin. Nëse është vetëm, një alpinist mund të vendosë vetë në ç’mal të ngjitet dhe s’ka alpinistë të tjerë me më pak përvojë për të cilët të kujdeset. Megjithatë, nëse pëson një aksident ose bie në vështirësi, do të jetë në rrezik të madh, pasi nuk do të ketë askënd ta ndihmojë. Izolimi nga të tjerët nuk është aspak diçka e mençur. (Proverbat 18:1) Që të zbatojnë urdhrin e Jezuit, të krishterët duhet të ndihmojnë e të mbështetin njëri-tjetrin. (Mateu 28:19, 20) Kongregacioni u jep të krishterëve udhëzime, stërvitje dhe inkurajimin nga Bibla për të cilat kanë shumë nevojë në mënyrë që të gjithë të qëndrojnë të fortë e të mos dorëzohen. Ku do të shkonte dikush që të mësohej në udhët e Jehovait po të mos ishte për mbledhjet e krishtere të organizuara për mësim dhe adhurim?​—Hebrenjve 10:24, 25.

Të krishterët e vërtetë janë të organizuar për t’i shërbyer Perëndisë në unitet. Kur delet e Jezuit dëgjojnë zërin e tij, bëhen «një kope e vetme» nën drejtimin e tij. (Gjoni 10:16) Ato nuk janë të shpërndara ndër kisha e grupe të pavarura, as nuk janë të përçara për çështje doktrinale. Përkundrazi, ‘flasin të gjithë në harmoni’. (1 Korintasve 1:10) Që të jetojmë në unitet, na duhet rregull dhe rregulli kërkon organizim. Vetëm një vëllazëri e bashkuar mund të ketë bekimin e Perëndisë.​—Psalmi 133:1, 3.

Dashuria e vërtetë për Perëndinë dhe dashuria për të vërtetën biblike ka tërhequr miliona njerëz në një organizatë që i plotëson këto kritere dhe kritere të tjera biblike. Si një trup i organizuar dhe i bashkuar, Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën përpiqen të bëjnë vullnetin e Perëndisë. Ai i siguron për këtë premtim: «Do të banoj mes tyre dhe do të eci mes tyre. Unë do të jem Perëndia i tyre, dhe ata do të jenë populli im.» (2 Korintasve 6:16) Ky bekim i mrekullueshëm mund të jetë edhe yti nëse adhuron Perëndinë Jehova bashkë me organizatën e tij.

[Shënimet]

^ par. 2 Një mikron ose një mikrometër, është një e milionta e një metri.

^ par. 7 Shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 2, faqet 214-220, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 13]

Fushimi i izraelitëve ishte i organizuar mirë

[Figurat në faqet 14, 15]

Vepra ndërkombëtare e predikimit kërkon organizim

Shërbimi shtëpi më shtëpi

Ndihma në raste katastrofash

Asambletë

Ndërtimi i vendeve të adhurimit