Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur u shkrua Bibla?

Kur u shkrua Bibla?

Kur u shkrua Bibla?

Bibla është libër i veçantë. Më se tre miliardë njerëz e konsiderojnë të shenjtë. Është quajtur libri më i shitur i të gjitha kohëve, me një tirazh prej 6.000.000.000 kopjesh të shtypura (të plota ose të pjesshme) në mbi 2.400 gjuhë.

EDHE pse Bibla është libri më i lexuar në histori, qarkullojnë mjaft ide për kohën kur u shkrua, veçanërisht për Shkrimet Hebraike që shpesh quhen Dhiata e Vjetër. Mund të keni lexuar disa teori të tilla në revista e libra ose mund të keni parë studiues t’i shpjegojnë në dokumentarë televizivë. Ja disa pohime që theksojnë pikëpamje të ndryshme bashkëkohore.

«Literatura biblike u shkrua kryesisht në shekullin e tetë deri në shekullin e gjashtë p.e.s. ose ndërmjet kohës së profetëve Isaia dhe Jeremia.»

«Gjatë dyqind viteve të kaluara, studiuesit biblikë kanë hamendësuar në përgjithësi se pjesa hebraike e Biblës u shkrua dhe u përfundua më tepër gjatë periudhës së persëve e të helenëve (shekulli i pestë deri në shekullin e dytë p.e.s.).»

▪ «Të gjitha tekstet e pjesës hebraike të Biblës, siç i kemi sot, datojnë që nga epoka helene (shekujt II-I [p.e.s.])

Si duhet t’i shohë këto ide kontradiktore një i krishterë që beson se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia»? (2 Timoteut 3:16) Për të gjetur përgjigjen, le ta shqyrtojmë këtë çështje nga të dyja këndvështrimet.

Datat që tregon vetë Bibla

Pjesa hebraike e Biblës përmban referime të panumërta kronologjike. Këto tregojnë se librat e hershëm u shkruan në kohën e Moisiut dhe të Josiut, rreth 3.500 vjet më parë. * Samueli, Davidi, Solomoni e të tjerë shtuan shkrime gjatë shekullit të 11-të p.e.s. Këto u pasuan nga librat historikë, poetikë dhe profetikë, të cilët datojnë që nga shekulli i nëntë deri në shekullin e pestë p.e.s.

Kopje ose fragmente të këtyre librave biblikë, përveç librit të Esterës, gjenden mes rrotullave të Detit të Vdekur. Datimi i përcaktuar me anë të karbonit 14 (karbon radioaktiv) dhe paleografisë (studimi i dorëshkrimeve të lashta), konfirmon se më të hershmet e këtyre rrotullave janë që nga periudha rreth viteve 200 p.e.s. dhe 100 p.e.s.

Ç’thonë kritikët?

Një arsye madhore pse vihen në diskutim të dhënat kohore të Biblës ka të bëjë me pohimin e saj se është e frymëzuar nga Perëndia. Në lidhje me këtë, në librin e tij Dokumentet e Dhiatës së Vjetër (anglisht), profesor Valter Kajzer i Riu shkruan: «Teksti [biblik] është fajtor ngaqë pohon se vjen në mënyrë hyjnore, për mrekullitë dhe gjërat që thotë rreth Perëndisë.» Studiuesit që nuk janë të prirur të besojnë se Biblën e frymëzoi Perëndia, thonë se ajo duhet shqyrtuar me frymë kritike, si çdo libër tjetër.

Për njëfarë kohe, teoria e Darvinit për evolucionin përdorej për të shpjeguar se fetë evoluan nga të thjeshta në të ndërlikuara, nga animizëm në politeizëm, dhe arritën kulmin në monoteizëm. Ngaqë librat e hershëm biblikë përshkruajnë një adhurim monoteist ndaj Perëndisë, disa arsyetojnë se duhet të jenë shkruar shumë më vonë se ç’pretendohet.

Që nga ajo kohë, kritika ndaj Biblës ka marrë mjaft forma. Për shembull, një fjalor i botuar kohët e fundit për Dhiatën e Vjetër përmban artikuj të hollësishëm për kritika rreth renditjes së librave, për kritika historike, letrare e për stilin e rrëfimit, kritika për historinë e Pentateukut, për burimin dhe kritika tradito-historike.

Ndonëse studiuesit kanë mendime të ndryshme për kohën kur u shkruan librat e Biblës, shumë bien dakord me teorinë e propozuar nga profesor R. E. Fridmani. Ai shkruan: «Shkrimtarët e lashtë shkruan dokumente me poezi, prozë dhe ligje gjatë një periudhe shumëshekullore. Më pas, shkrimtarë të tjerë i mblodhën së bashku këto dokumente si burime me të cilat krijuan Biblën.»

Libri Besimi, tradita dhe historia (anglisht), shqyrton disa nga këto pikëpamje kritike dhe të tjera për Biblën. Por, si përmbledhje vëren: «Edhe pse studiuesit mendojnë njësoj për sa i përket mungesës së tyre të besimit te Shkrimet dhe janë tepër të sigurt për teoritë e veta, ata i kritikojnë jashtë mase pikëpamjet e njëri-tjetrit.»

Në mbrojtje të të dhënave kohore të Biblës

Librat e hershëm të Biblës u shkruan në material që prishet me kalimin e kohës. Prandaj nuk është realiste të presim që të gjenden ndonjëherë shkrimet origjinale ose kopjet e hershme të kohës së Moisiut, Josiut, Samuelit ose Davidit. Por është e mundur të studiohen provat historike jo të drejtpërdrejta, të cilat sugjerojnë se është i arsyeshëm pranimi i datave që përmend vetë Bibla, siç i pranojnë disa studiues dhe arkeologë të respektuar. Çfarë na tregojnë këto prova? Të shqyrtojmë disa shembuj.

A ekzistonte literatura e shkruar 3.500 vjet më parë në Lindjen e Mesme kur jetoi Moisiu dhe Josiu, siç tregon Bibla? Në Mesopotaminë dhe Egjiptin e lashtë shkruheshin tekste historike, fetare, ligjore e letrare. Ç’të themi për tekstet që shkroi Moisiu dhe izraelitë të tjerë? Fjalori i Dhiatës së Vjetër: Pentateuku (anglisht), përgjigjet: «Nuk ka arsye të dyshojmë që literatura e shkruar ekzistonte në Kanaanin e epokës së vonë të bronzit [rreth vitit 1550 deri 1200 p.e.s.].» Ai shton: «Duke parë se në kohët e lashta ekzistonin tekste të shkruara, s’ka pse të mos kenë ekzistuar tekstet që thuhet se shkroi Moisiu dhe tekstet e tjera biblike.»​—Dalja 17:14; 24:4; 34:27, 28; Numrat 33:2; Ligji i përtërirë 31:24.

A përdorën shkrimtarët e Biblës burime të lashta si referime? Po, disa u referohen ‘librave’, të cilët mund të kenë qenë dokumente shtetërore, regjistrime gjenealogjike, vepra historike dhe dokumente fisnore e familjare.​—Numrat 21:14; Josiu 10:13; 2 Samuelit 1:18; 1 Mbretërve 11:41; 2 Kronikave 32:32.

Pse nuk janë gjetur dokumente biblike më të vjetra se rrotullat e Detit të Vdekur? Revista Biblical Archaeology Review shpjegon: «Dokumentet prej papirusi dhe lëkure nuk kanë mbijetuar në pjesën më të madhe të Palestinës. Janë gjetur vetëm në zona shumë të thata, si ajo përreth Detit të Vdekur. Këto materiale prishen në tokë të lagësht. Prandaj, fakti që s’janë gjetur nuk do të thotë se nuk kanë ekzistuar.» Ç’është e vërteta, janë gjetur qindra vula prej argjile që përdoreshin për të vulosur dokumente. Dokumentet prej papirusi e lëkure janë zhdukur si pasojë e zjarrit ose tokës së lagësht, kurse vulat prej argjile kanë mbijetuar. Këto vula datojnë afërsisht që nga shekulli i nëntë deri në shekullin e pestë p.e.s.

Si ruheshin dorëshkrimet biblike? Libri Bibla siç ka qenë (anglisht), thotë: «Prandaj, historitë, psalmet, ligjet dhe profecitë që kanë arritur deri më sot si pjesë e Biblës, duhet të jenë kopjuar shumë e shumë herë, edhe gjatë periudhës biblike. . . . Nëse këto tekste kopjoheshin vazhdimisht brenda vetë periudhës biblike, kjo ndodhte sepse përdoreshin; luanin rol në jetën e përditshme. . . . Askush nuk do i hynte punës së mundimshme të kopjimit të teksteve, pa ndonjë qëllim.»​—Ligji i përtërirë 17:18; Proverbat 25:1.

Për librat e hershëm të Biblës, kjo nënkuptonte një proces kopjimi që zgjati thuajse 1.500 vjet, deri në shekullin e parë të e.s. Sipas librit Për besueshmërinë e Dhiatës së Vjetër * (anglisht), ky proces kopjimi të saktë përfshinte «përditësimin e drejtshkrimit dhe formave gramatikore të vjetëruara, një punë mjaft e përhapur në Lindjen e Afërt të kohës së lashtë». Kjo vë në dyshim besueshmërinë e kritikave që bazohen te format dhe stilet e tekstit të shkruar.

Kur u shkrua Bibla?

A është e arsyeshme të ngulmojmë se mungesa e dorëshkrimeve të kohës së Moisiut, Josiut, Samuelit e të tjerëve provon se librat e Biblës nuk u shkruan aq herët sa tregohet në to? Mjaft studiues janë dakord se vetëm fakti që s’i kemi këto dorëshkrime të lashta, nuk provon se ato nuk kanë ekzistuar. Në të vërtetë, sa tekste të shkruara në material që prishej mund të ruheshin? Për shembull, egjiptologu K. A. Kiçeni llogariti se janë zhdukur pothuajse të gjitha papiruset egjiptiane të shkruara para periudhës greko-romake.

Gjithashtu, ata që e respektojnë Biblën mund të pyesin veten: «Si e konsideronte Jezui pjesën hebraike të Biblës?» Çështja e datimit nuk ishte asnjëherë problem në atë kohë. Jezui, ashtu si judenjtë në përgjithësi, me sa duket e pranonte informacionin kronologjik të Shkrimeve. Po autorësinë e librave të hershëm biblikë a e pranonte?

Jezui iu referua shkrimeve të Moisiut. Për shembull, përmendi «librin e Moisiut». (Marku 12:26; Gjoni 5:46) Iu referua tregimeve të Zanafillës (Mateu 19:4, 5; 24:37-39); Daljes (Luka 20:37); Levitikut (Mateu 8:4); Numrave (Mateu 12:5) dhe Ligjit të përtërirë (Mateu 18:16). Ai tha: «Të gjitha gjërat e shkruara për mua te ligji i Moisiut, te Profetët dhe te Psalmet do të përmbusheshin.» (Luka 24:44) Nëse Jezui e pranonte autorësinë e Moisiut dhe të të tjerëve, pa dyshim që e pranonte saktësinë e informacionit kronologjik të pjesës hebraike të Biblës.

Atëherë, kur u shkrua Bibla? A janë të besueshme të dhënat kohore që përmend vetë ajo? Kemi shqyrtuar shumë pikëpamje kritike të studiuesve, si dhe informacionin e vetë Biblës, provat historike jo të drejtpërdrejta dhe pikëpamjen e Jezuit. Bazuar në këto gjëra, a do të tregojë përgjigja juaj se jeni dakord me Jezuin kur i tha në lutje Atit të tij, Perëndisë Jehova: «Fjala jote është e vërteta.»​—Gjoni 17:17.

[Shënimet]

^ par. 9 Për një studim të hollësishëm të kronologjisë biblike, shih librin Të fitojmë gjykim të thellë mbi Shkrimet, vëllimi 1, faqet 447-467 (anglisht), botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 23 Shihni artikullin «Skribët e lashtë dhe Fjala e Perëndisë» në Kullën e Rojës të 15 marsit 2007, faqet 18-20.

[Tabela dhe figurat në faqet 20-23]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

(Tabela kronologjike tregon me përafërsi vitet kur u përfunduan librat e Biblës)

2000 p.e.s.

1800

[Figura]

Skribët egjiptianë prodhonin materiale të shkruara para kohës së Moisiut

[Burimi]

© Biblioteka e fotografive DeA /​Art Resource, NY

1600

[Figura]

Moisiu e përfundoi Zanafillën rreth vitit 1513 p.e.s, në material që prishet me kalimin e kohës

Zanafilla 1513 p.e.s.

Josiu

1400

1200

Samueli

1000 p.e.s.

[Figura]

Qindra vula prej argjile kanë mbijetuar

Të viteve 900-500 p.e.s.

Jonai

800

Isaia

600

Jeremia

Danieli

[Figura]

Një dokument papirusi i palosur, i lidhur me fill dhe ka vulë prej argjile

Daton nga viti 449 p.e.s.

[Burimi]

Muzeu i Bruklinit, trashëgimi e Teodora Uilburit nga koleksioni i babait të saj, Çarlz Edvin Uilburit.

400

200

[Figura]

Rrotullat e Detit të Vdekur u mbështollën me li dhe u ruajtën në qypa. Ato janë tekstet më të vjetra biblike që kanë mbijetuar e që janë gjetur deri tani

Datojnë nga viti 200 deri në vitin 100 p.e.s.

[Burimi]

Fotografi nga Faltorja e Librit © Muzeu i Izraelit, Jerusalem