Lajm i mirë për të varfrit
Lajm i mirë për të varfrit
FJALA E PERËNDISË na siguron: «I varfri nuk do të harrohet përgjithnjë.» (Psalmi 9:18) Gjithashtu, Bibla thotë për Krijuesin tonë: «Ti hap dorën dhe plotëson dëshirën e çdo krijese.» (Psalmi 145:16) Kjo shpresë që na jep Fjala e Perëndisë nuk është vetëm ëndërr. Perëndia i Plotfuqishëm mund të sigurojë atë që nevojitet që t’i japë fund varfërisë. Për çfarë kanë nevojë të varfrit?
Një ekonomiste afrikane tha se idealja për vendet e varfra është një «diktator mirëdashës». Kjo nënkupton se për t’i dhënë fund varfërisë, nevojitet dikush që ka fuqi për të vepruar dhe mirëdashje për t’u kujdesur. Mund të shtojmë se sundimtari që mund t’i japë fund varfërisë për të gjithë, duhet të jetë sundimtar i tërë tokës, sepse shpesh varfëria e skajshme vjen nga pabarazia mes kombeve. Përveç kësaj, një sundimtar që mund t’i japë fund varfërisë duhet të jetë në gjendje të ndreqë shkakun e saj—natyrën egoiste që kemi si njerëz. Ku mund të gjendet ky sundimtar ideal?
Perëndia e dërgoi Jezu Krishtin me një lajm të mirë për të varfrit. Kur Jezui u ngrit që të lexonte caktimin që i kishte dhënë Perëndia, ai tha: «Fryma e Jehovait është mbi mua, sepse ai më mirosi që t’u shpall lajmin e mirë të varfërve.»—Luka 4:16-18.
Çfarë është lajmi i mirë?
Perëndia e ka emëruar Jezuin Mbret. Ky është vërtet lajm i mirë. Ai është Sundimtari ideal që t’i japë fund varfërisë, sepse (1) do të sundojë mbi tërë njerëzimin dhe ka fuqi për të vepruar; (2) vepron me dhembshuri për të varfrit e i mëson dishepujt të kujdesen për ta, si dhe (3) mund ta eliminojë shkakun e varfërisë, prirjen tonë të trashëguar për të vepruar me egoizëm. Le t’i shqyrtojmë këto tri aspekte të lajmit të mirë.
1. Autoriteti i Jezuit mbi tërë kombet. Fjala e Perëndisë thotë për Jezuin: «Atij iu dha sundim, . . . që t’i shërbenin gjithë popujt, kombet dhe gjuhët.» (Danieli 7:14) E përfytyroni dot sa të mira do të sjellë një qeveri e vetme mbi tërë njerëzimin? Nuk do të ketë më konflikte dhe luftëra për burimet e tokës. Të gjithë do t’i gëzojnë gjërat me barazi. Vetë Jezui na siguroi se do të ishte Sundimtar i botës dhe do të kishte fuqi për të vepruar. Ai shpalli: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.»—Mateu 28:18.
2. Dhembshuria e Jezuit për të varfrit. Gjatë gjithë shërbimit në tokë, Jezui veproi me dhembshuri ndaj të varfërve. Për shembull, një grua që e kishte harxhuar gjithë pasurinë e saj për t’u kuruar, i preku rrobën Jezuit me shpresën se do të shërohej. Ajo kishte 12 vjet me rrjedhje gjaku dhe pa dyshim që vuante nga një anemi e rëndë. Sipas Ligjit, ajo do ta bënte të papastër këdo që prekte. Por Jezui u tregua mirëdashës me të. Ai i tha: «Bijë, besimi yt të shëroi. Shko në paqe dhe qofsh shëndoshë, sepse sëmundja jote e rëndë kaloi.»—Marku 5:25-34.
Mësimet e Jezuit kanë fuqi t’ua ndryshojnë zemrën njerëzve. Kështu, edhe ata mund të shfaqin dhembshuri. Për shembull, shqyrtoni përgjigjen që i dha Jezui një burri që donte të dinte si ta kënaqte Perëndinë. Burri ishte i vetëdijshëm se Perëndia do që ta duam të afërmin, por e pyeti Jezuin: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?»
Në përgjigjen që dha, Jezui bëri ilustrimin e famshëm për një njeri që po udhëtonte nga Luka 10:25-37.
Jerusalemi për në Jeriko, të cilin e grabitën dhe e lanë «gjysmë të vdekur». Një prift që po zbriste nëpër atë rrugë, vazhdoi në anën tjetër. Një levit veproi po njësoj. «Nëpër atë rrugë po udhëtonte edhe një samaritan. Kur kaloi pranë tij, ai e pa dhe, [u shty] nga keqardhja.» Ia lidhi plagët burrit, e çoi në një han dhe pagoi hanxhiun që të kujdesej për të plagosurin. Jezui pyeti: «Cili nga këta të tre . . . u bë i afërm i njeriut që ra në duart e kusarëve?» Përgjigjja ishte: «Ai që veproi me mëshirë.» Atëherë Jezui tha: «Shko e bëj njëlloj edhe ti.»—Njerëzit që bëhen Dëshmitarë të Jehovait, i studiojnë këto mësime të Jezuit dhe ndryshojnë qëndrim në lidhje me ndihmën që duhet t’u japin nevojtarëve. Për shembull, një shkrimtare letoneze shkroi në librin e saj Gratë në burgjet sovjetike (anglisht), për sëmundjen që kishte teksa punonte në kampin e punës në Potma, në mes të viteve 60. «Gjatë gjithë kohës kur isha e sëmurë, [Dëshmitaret] u treguan infermiere të palodhura. S’kisha ku të gjeja kujdes më të mirë.» Pastaj shtoi: «Dëshmitarët e Jehovait e shohin si detyrë të ndihmojnë këdo, pavarësisht nga feja a kombësia.»
Në Ankon, Ekuador, ra një krizë financiare që i la disa Dëshmitarë të Jehovait pa punë dhe pa të ardhura. Atëherë, Dëshmitarët e tjerë gjetën një mënyrë si të fitonin para për ta. Ata përgatitnin ushqim që t’ua shisnin peshkatarëve që ktheheshin nga një natë peshkimi (fotografia në të djathtë). Të gjithë në kongregacion bashkëpunuan, edhe fëmijët. Ata fillonin në orën një të mëngjesit, që ushqimi të ishte gati kur të mbërrinin barkat në katër të mëngjesit. Paratë që fitonin, Dëshmitarët i ndanin sipas nevojave të gjithsecilit.
Përvoja të tilla tregojnë se shembulli dhe mësimet e Jezuit kanë vërtet fuqi t’ua ndryshojnë qëndrimin njerëzve në lidhje me ndihmën që duhet t’u japin nevojtarëve.
3. Fuqia e Jezuit për të ndryshuar natyrën njerëzore. Prirja e njerëzve për të vepruar me egoizëm është një fakt që pranohet botërisht. Bibla e quan mëkat. Edhe apostulli Pavël shkroi: «Në rastin tim zbulova këtë ligj: kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe, është brenda meje.» Pastaj shtoi: «Kush do të më çlirojë nga trupi që i nënshtrohet kësaj vdekjeje? Faleminderit Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit.» (Romakëve 7:21-25) Këtu Pavli po thoshte se si Perëndia, nëpërmjet Jezuit, do t’i çlironte adhuruesit e vërtetë nga prirjet e trashëguara mëkatare. Një prej këtyre është egoizmi, shkaku rrënjësor i varfërisë. Si do të ndodhte kjo?
Pak pasi Jezui u pagëzua, Gjon Pagëzori e prezantoi atë me këto fjalë: «Shihni, Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës!» (Gjoni 1:29) Së shpejti toka do të mbushet me njerëz që janë çliruar nga mëkati i trashëguar, edhe nga prirja për të rendur pas interesave vetjake. (Isaia 11:9) Jezui do ta ketë eliminuar shkakun e varfërisë.
Çfarë gëzimi është të mendojmë thellë për kohën kur të gjithë do t’i kenë gjërat që u nevojiten! Fjala e Perëndisë thotë: «Kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë.» (Mikea 4:4) Këto fjalë përshkruajnë në mënyrë poetike kohën kur të gjithë do të kenë punë të kënaqshme, siguri dhe mundësi të pakufishme për të gëzuar një botë pa varfëri në lavdi të Jehovait.