Të jetosh me aq sa ke: Si t’ia dalësh?
E ZËMË se ke një tullumbace të shpuar dhe ke për detyrë ta mbash të fryrë. Si do t’ia bëje? Për aq kohë sa sasia e ajrit që i fryn brenda është pak a shumë e njëjtë me atë që del nga e shpuara, tullumbacja do të qëndrojë e fryrë.
Në thelb, kjo shpjegon se çdo të thotë të jetosh me aq sa ke. Të ardhurat e tua mund të krahasohen me ajrin që fut në tullumbace. Kurse shpenzimet janë si ajri që del nga e shpuara. Vështirësia është: të mos lejosh që shpenzimet të jenë më të mëdha sesa të ardhurat.
Edhe pse ky koncept duket i lehtë, ta vësh në praktikë dhe të nxjerrësh dobi prej tij nuk është dhe aq e lehtë. Njerëzit do t’i kursenin vetes shumë probleme financiare vetëm nëse do të përpiqeshin të ndiqnin këtë koncept. Si t’ia dalësh? Ku mund të gjejmë udhëzime që funksionojnë vërtet? Në këtë drejtim, Bibla është një burim informacionesh mjaft të dobishme. Le të shohim shkurtimisht se çfarë na thotë.
Parime biblike që do të na ndihmojnë
Bibla ka mjaft parime praktike që mund t’ju ndihmojnë të administroni të ardhurat. Do të shqyrtojmë vetëm disa prej tyre. Shqyrtoje vetë nëse këto parime mund të të ndihmojnë të jetosh me aq sa ke.
Bëj një plan ose buxhet.
Që t’i administrosh paratë si duhet, është mirë të dish sa janë të ardhurat e tua dhe si i shpenzon. Bibla thotë: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim, por kush është i nxituar, me siguri shkon drejt skamjes.» (Proverbat 21:5) Disa përdorin metodën e thjeshtë të zarfeve. Çdo zarf përbën një kategori shpenzimesh, për shembull «Ushqimet», «Qiraja» ose «Veshjet». Pavarësisht nëse përdor këtë metodë të thjeshtë ose ndonjë më të detajuar, e rëndësishme është që ta dish se ku shkojnë paratë e tua, duke vënë gjithmonë të radhë të parë nevojat e jo lukset.
Mos lakmo.
Shumë njerëz në vendet në zhvillim lakmojnë gjërat që kanë ata në vendet e industrializuara. Shumë tundohen të kenë gjërat me të cilat krekoset fqinji. Kjo mund të jetë një grackë. Ndoshta as fqinji nuk i përballon dot financiarisht gjërat me të cilat krekoset. Pse të ndjekim të tjerët në marrëzinë e tyre dhe të përfundojmë në probleme financiare? Bibla paralajmëron: «Njeriu lakmues i kamjes vrapon të pasurohet e s’di Proverbat 28:22, Simon Filipaj.
se do ta mbulojë skamja.»—Bëj një jetë të thjeshtë.
Jezui i këshilloi ithtarët e tij ta mbanin syrin ‘të thjeshtë’. (Mateu 6:22) Kur i çon sytë te karkalecat e detit dhe te vera e mirë, ndërkohë që mezi të dalin paratë për sardele e ujë, mund të rrënohesh kollaj financiarisht. Sipas një raporti të Bankës Aziatike të Zhvillimit, gati një e treta e filipinasve dhe më shumë se gjysma e indianëve, jetojnë nën nivelin e varfërisë, që është rreth 1 euro në ditë. Kur të ardhurat janë kaq të pakta, është e mençur të përqendrohesh te gjërat e domosdoshme. Megjithatë, edhe në vende më të pasura, i njëjti parim mund t’i ndihmojë njerëzit të shmangin shumë probleme financiare.
Kënaqu me gjërat e domosdoshme.
Kjo lidhet ngushtë me këshillën për të bërë një jetë të thjeshtë. Bibla jep këtë këshillë te 1 Timoteut 6:8: «Nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.» Disa nga njerëzit më të lumtur në botë nuk kanë shumë para, megjithatë kënaqen me atë që kanë, dhe këtu futen jo vetëm gjërat materiale, por edhe dashuria e familjes dhe e miqve.—Proverbat 15:17.
Shmang borxhet e panevojshme.
Sa e vërtetë është kjo thënie biblike: «I pasuri sundon mbi të vobektët, dhe huamarrësi është shërbëtor i huadhënësit.» (Proverbat 22:7) Megjithëse ka rrethana kur hyrja në borxh mund të duket e pashmangshme, ata që marrin borxh vetëm për të blerë diçka që dëshirojnë, nga ana financiare shpesh e gjejnë veten si të lidhur me zinxhirë. Kjo është më se e vërtetë sidomos me kartat e kreditit. Revista Time shkruante: «Sapo na bie në dorë karta e kreditit, e humbasim komplet arsyen.» Eriku, që jeton në Filipine, thotë: «Kur përdor kartën e kreditit, shpesh blej më shumë sesa kur blej me para në dorë. Kur më duhet të paguaj faturat, më shkatërrohet gjithë buxheti.» Sa e mençur është të jemi shumë, shumë të kujdesshëm në përdorimin e kredive që merren kollaj!—2 Mbretërve 4:1; Mateu 18:25.
Kurse para se të blesh.
Megjithëse mund të duket teori e vjetër, të kursejmë para se të blejmë, është në fakt një nga mënyrat më të mençura për të shmangur problemet financiare. Kjo i mban shumë njerëz larg borxhit dhe plagëve të tij, si interesat e larta që e rritin çmimin e çdo gjëje që blen. Në Bibël, milingonat cilësohen si «të mençura» sepse mbledhin «zahiretë e veta gjatë të korrave» për t’i përdorur në të ardhmen.—Proverbat 6:6-8; 30:24, 25.
Të mësojmë nga të tjerët
Të gjitha këshillat biblike që shqyrtuam, mund të duken parimisht të shkëlqyera, por, a i ndihmojnë vërtet njerëzit të shtrijnë këmbët sa kanë jorganin? Le të shohim se çfarë tregon përvoja e disave që i kanë ndjekur këto këshilla dhe i kanë përballuar me sukses vështirësitë financiare.
Diosdadoja, baba i katër fëmijëve, pranon se kriza financiare e kohëve të fundit ia ka bërë më të vështirë t’ia plotësojë nevojat familjes.
Megjithatë ia di vlerën buxhetit. «Planifikoj se si do të shpenzoj çdo qindarkë që fitoj,—thotë ai.—Mbaj shënim se si i harxhoj paratë.» Daniloja ndjek të njëjtin parim. Biznesi i vogël që kishte me gruan, falimentoi. Megjithatë, duke bërë me kujdes një buxhet, arrijnë të sigurojnë gjërat e nevojshme. Ai thotë: «E dimë sa para do të futim në shtëpi çdo muaj dhe sa do të harxhojmë për shpenzimet e rregullta. Duke ditur këtë, diskutojmë me hollësi se sa mund të shpenzojmë për gjëra të tjera.»Për t’iu përmbajtur buxhetit, disa e kanë parë të nevojshme të mos shpenzojnë shumë në disa gjëra. Mirna, një e ve me tre fëmijë, thotë: «Në vend që të përdorim transportin publik, unë dhe fëmijët tani shkojmë në këmbë në mbledhjet e krishtere.» Mirna është përpjekur t’u mësojë fëmijëve vlerën e një jete të thjeshtë. Ajo thotë: «Jam përpjekur të lë një shembull të mirë duke zbatuar parimin e 1 Timoteut 6:8-10, që tregon se sa e rëndësishme është të kënaqesh me atë që ke.»
Geraldi, baba i dy fëmijëve, ka bërë të njëjtën gjë. Ai thotë: «Gjatë studimit biblik që bëjmë si familje, shqyrtojmë përvoja të të krishterëve që janë të përqendruar në atë që ka vërtet rëndësi: gjërat që lidhen me marrëdhënien e tyre me Perëndinë. Rezultatet janë inkurajuese, sepse fëmijët nuk përplasin këmbët për gjëra që nuk janë shumë të rëndësishme.»
Xhaneta është beqare dhe shërben vullnetarisht në kohë të plotë si mësuese biblike në Filipine. Kohët e fundit humbi punën, por vazhdon të jetojë me atë që ka. «Këtë e arrij duke ushtruar vetëkontroll dhe duke përdorur sa më mirë paratë dhe gjërat që kam,—thotë ajo.—Në vend që të shkoj në qendra tregtare, kërkoj dyqane që ofrojnë çmime më të mira. Pse t’i blej më shtrenjtë gjërat kur mund t’i gjej më lirë? Gjithashtu i shmang blerjet impulsive.» Xhaneta kupton sa e mençur është nga ana praktike të kursesh që më përpara. «Nëse më teprojnë para, sikur edhe shuma të vogla,—thotë ajo,—i kursej që të kem diçka mënjanë nëse më del një shpenzim i papritur.»
Në lidhje me kartat e kreditit, Eriku që përmendëm më parë, thotë: «Ia kam ndaluar vetes përdorimin e kartës së kreditit, përveçse në raste urgjente.» Diosdadoja është më se dakord: «Që ta mbaj veten nën kontroll, zakonisht e lë kartën e kreditit në zyrë.»
Mund të jetosh me aq sa ke
Po, shumë njerëz kanë parë se, edhe pse Bibla është libër që përqendrohet më tepër në çështjet që lidhen me Perëndinë, ajo ofron edhe këshilla për mirëqenien tonë fizike. (Proverbat 2:6; Mateu 6:25-34) Duke zbatuar parimet biblike të trajtuara në këtë artikull dhe duke mësuar nga të tjerët që kanë nxjerrë dobi prej tyre, edhe ti mund të jetosh me aq sa ke. Kjo mund të të kursejë mjaft probleme dhe ankthe nga të cilat vuajnë miliona njerëz sot.