Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësoji fëmijët

A je ndier ndonjëherë i mënjanuar?

A je ndier ndonjëherë i mënjanuar?

NJË i mënjanuar është dikush që të tjerët nuk e pranojnë si pjesë të grupit të tyre. Ai ose ajo mund të ndryshojë nga ngjyra e lëkurës, kombësia, mënyra si flet ose si i bën gjërat. A je ndier ndonjëherë i mënjanuar? . . . *

Le të flasim për një burrë që u ndie kështu. Ai quhej Mefiboshet. Të shohim kush ishte ai dhe pse u ndie i mënjanuar. Nëse ndihesh ndonjëherë i mënjanuar, mund të mësosh shumë gjëra nga Mefibosheti.

Ai ishte djali i Jonatanit, mikut të dashur të Davidit. Para se Jonatani të vdiste në luftë, i tha Davidit: ‘Tregohu i mirë me fëmijët e mi.’ Davidi u bë mbret. Vite më vonë i kujtoi fjalët e Jonatanit dhe Mefibosheti ishte ende gjallë. Kur ishte i vogël, ai pësoi një aksident të rëndë dhe mbeti i çalë për tërë jetën. A e kupton pse mund të jetë ndier i mënjanuar? . . .

Davidi donte të tregohej i mirë me birin e Jonatanit. Prandaj, mori masa që Mefibosheti ta kishte shtëpinë afër tij në Jerusalem dhe të hante bukë në tryezën e Davidit vazhdimisht. Ziba, bashkë me bijtë dhe shërbëtorët e tij, iu dhanë Mefiboshetit si shërbëtorë. Davidi e nderoi vërtet birin e Jonatanit! A e di çfarë ndodhi më pas? . . .

Davidit i filluan telashet në shtëpi. Absalomi, një nga bijtë e Davidit, iu kthye kundër dhe u orvat të bëhej mbret. Davidit iu desh t’ia mbathte që të shpëtonte kokën. Mefibosheti donte të shkonte me Davidin, siç bënë shumë të tjerë. Këta miq e dinin se Davidit i takonte froni. Por Mefibosheti nuk mund të shkonte, sepse mezi ecte.

Më pas, Ziba i tha Davidit se Mefibosheti kishte qëndruar ngaqë donte të bëhej mbret. Davidi e besoi këtë gënjeshtër. Kështu që i dha Zibës tërë pronën e Mefiboshetit. S’kaloi shumë dhe Davidi e fitoi luftën kundër Absalomit e u kthye në Jerusalem. Tani Davidi dëgjoi nga Mefibosheti anën tjetër të historisë. Ai vendosi që Mefibosheti dhe Ziba ta ndanin bashkë pronën. Si mendon, çfarë bëri Mefibosheti? . . .

Ai nuk u ankua për vendimin e padrejtë të Davidit. Mefibosheti e dinte se mbretit i nevojitej paqe që ta kryente mirë detyrën e tij. Për këtë arsye i tha Davidit se Ziba mund ta mbante tërë pronën. Ajo që kishte vërtet rëndësi për Mefiboshetin, ishte që shërbëtori i Jehovait, Davidi, u kthye sërish në Jerusalem si mbret.

Mefibosheti vuajti shumë. Ai ndihej shpesh i mënjanuar. Por Jehovai e donte dhe u kujdes për të. Çfarë mund të mësojmë nga kjo? . . . Edhe kur bëjmë atë që është e drejtë, disa mund të thonë gënjeshtra për ne. Jezui tha: «Nëse bota ju urren, ju e dini se para se t’ju urrente ju, më urreu mua.» Madje Jezuin e vranë! Mund të jemi të sigurt se po të bëjmë atë që është e drejtë, Perëndia i vërtetë, Jehovai, do të na dojë. Edhe Biri i tij, Jezui, do të na dojë.

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.