Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Si i konsideronin krerët fetarë judenj të kohës së Jezuit njerëzit e thjeshtë?

▪ Në shekullin e parë të e.s., rangu i lartë i shoqërisë dhe krerët fetarë të Izraelit i përbuznin ata që kishin pak ose aspak arsim. Farisenjtë citohet të kenë thënë: «Kjo turmë që nuk e njeh Ligjin, janë njerëz të mallkuar.»​—Gjoni 7:49.

Burime jobiblike tregojnë se klasat e privilegjuara i quanin tërë përçmim njerëzit e paarsimuar am-harets, që do të thotë «njerëz të vendit». Në fillim, ky term përdorej me respekt për qytetarët e një territori të caktuar. Ky term përfshinte jo vetëm të varfrit dhe shtresat e ulëta, por edhe njerëzit e ngritur.​—Zanafilla 23:7; 2 Mbretërve 23:35; Ezekieli 22:29.

Megjithatë, në kohën e Jezuit ky term përdorej për të etiketuar ata që konsideroheshin të paditur për sa i përket Ligjit të Moisiut ose që nuk u përmbaheshin dot hollësirave të traditave rabinike. Mishna (një përmbledhje me shpjegime që u bë baza e Talmudit) paralajmëron njerëzit që të mos rrinin në shtëpitë e atyre që quheshin am-harets. Sipas një enciklopedie, rabini Meir, studiues i shekullit të dytë, mësoi: «Kur një burrë e marton të bijën me një am-harets, është njëlloj sikur ta lidhë e ta vërë para një luani i cili e shkel viktimën para se ta gllabërojë.» (The Encyclopedia of Talmudic Sages.) Talmudi citon një rabin tjetër që thotë se «njerëzit e paarsimuar nuk do të ringjallen».

Ç’domethënie ka emri Cezar, siç përdoret në Bibël?

▪ Cezar ishte emri i familjes romake të Gaj Jul Cezarit, që u bë diktator i Romës në vitin 46 p.e.s. Disa perandorë romakë të mëpasshëm zgjodhën të thirreshin me emrin Cezar. Bibla përmend me këtë emër tre prej këtyre: Augustin, Tiberin dhe Klaudin.​—Luka 2:1; 3:1; Veprat 11:28.

Në vitin 14 të e.s., perandor u bë Tiberi dhe sundoi gjatë gjithë periudhës së shërbimit të Jezuit. Prandaj, ai ishte Cezari në pushtet kur Jezui iu përgjigj një pyetjeje për pagimin e taksave, duke thënë: «Paguajini Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.» (Marku 12:17) Me sa duket, Jezui nuk kishte në mendje vetëm Tiberin kur u përgjigj. Në vend të kësaj, ‘Cezari’ simbolizonte autoritetin civil, shtetin.

Rreth vitit 58 të e.s., apostulli Pavël rrezikonte ta gjykonin me padrejtësi, prandaj ushtroi të drejtën si qytetar romak që t’i apelohej Cezarit. (Veprat 25:8-11) Duke vepruar kështu, Pavli kërkoi të gjykohej jo medoemos nga Neroni, që ishte perandor në atë kohë, por nga gjykata më e lartë e perandorisë.

Emri i familjes së Cezarit u bë kaq shumë i lidhur me sundimin sovran, sa, edhe pas dinastisë së Cezarëve, ky emër u mbajt si titull perandorak.

[Figura në faqen 29]

Denar i argjendtë me portretin e Tiberit