Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një jetë me kuptim: Tani dhe përgjithmonë

Një jetë me kuptim: Tani dhe përgjithmonë

Një jetë me kuptim: Tani dhe përgjithmonë

EDHE tani mund të bësh jetë me kuptim të vërtetë. Si? Duke ndjekur parimet e mençura që gjenden në Fjalën e Perëndisë, në Bibël. Le të shqyrtojmë vetëm disa prej tyre.

PARIMI BIBLIK: Mbreti Solomon shkroi: «Për njeriun s’ka asgjë më të mirë se të hajë e të pijë dhe që shpirti i tij të shohë të mira, për shkak të mundit të tij.»​EKLISIASTIU 2:24.

Jemi krijuar që të gjejmë kënaqësi në punë frytdhënëse. Edhe nën rrethanat më të rënda, mund të gjesh njëfarë kënaqësie në jetë që tani, duke punuar pa u lodhur dhe me ndershmëri.

PARIMI BIBLIK: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»​VEPRAT 20:35.

Mjaft veta kanë kuptuar se, kur bëjnë gjëra për të tjerët​—për shembull, kur japin nga koha dhe energjitë e tyre për të ndihmuar të tjerët në kohë të vështira​—kjo ka qenë tepër shpërblyese dhe i ka dhënë më tepër kuptim jetës së tyre. Solomoni shkroi: «Mos ua mbaj të mirën atyre që u takon, kur e ke në dorë ta bësh.»​—Proverbat 3:27.

Shqyrto shembullin e Ralfit. Pasi doli në pension, filloi edhe ai shërbimin e krishterë të plotkohor, si gruaja. Secili prej tyre kalon një sasi të caktuar orësh në predikim çdo muaj, duke dhënë nga vetja për t’u mësuar Biblën të tjerëve. Ralfi thotë: «Kur kthehemi në shtëpi në mbrëmje, nuk jemi të lodhur thjesht ngaqë po plakemi, por jemi të lodhur ngaqë u shpenzuam pa u kursyer në shërbim të Atit tonë qiellor. Është lodhje që ia vlen barra qiranë.» Bashkë me gruan janë të lumtur, sepse jeta e tyre përqendrohet te dhënia.

PARIMI BIBLIK: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»​PROVERBAT 17:17.

Kur i ndajmë hallet me të tjerët, ato na lehtësohen shumë. Eseisti anglez Frensis Bekoni shkroi se, për ata që s’kanë shokë të vërtetë, «bota s’është gjë tjetër veçse një shkretëtirë». Kur ke shokë të vërtetë​—dhe kur je shok i mirë—​mund të kesh jetë më të lehtë, të bukur dhe të kënaqshme.

PARIMI BIBLIK: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.»​MATEU 5:3.

Me këto fjalë Jezui identifikoi një kërkesë jetësore nëse dëshiron ta përjetosh përmbushjen e premtimeve të Perëndisë: duhet ta kuptosh ‘nevojën për të mësuar për Perëndinë’ dhe ta plotësosh atë. Ndryshe nga kafshët, ne kemi një nevojë të lindur që të kuptojmë domethënien dhe qëllimin e jetës. Vetëm Perëndia Jehova mund ta plotësojë këtë nevojë dhe këtë e bën nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës. Siç e pamë në artikullin e mëparshëm, Bibla e bën të njohur qëllimin që ka Perëndia për tokën. Ajo na tregon pse jemi këtu, pse ka kaq shumë vuajtje dhe çfarë pret Perëndia nga ne. Që të bëjmë një jetë me kuptim dhe të kënaqshme, është jetësore t’i kuptojmë këto të vërteta të Biblës. Ata që marrin kohë për të studiuar Biblën dhe i zbatojnë gjërat që mësojnë, janë të lumtur. Pse? Sepse kështu krijojnë një marrëdhënie të ngushtë me Krijuesin, ‘Perëndinë e lumtur’, Jehovain.​—1 Timoteut 1:11.

PARIMI BIBLIK: «Kujtoje Krijuesin tënd . . . para se të vijnë ditët e vështira dhe para se të afrohen vitet kur do të thuash: ‘Nuk shoh asnjë qëllim në to.’»​EKLISIASTIU 12:1, THE NEW ENGLISH BIBLE.

Këshilla që mbreti Solomon u dha të rinjve, të cilët për njëfarë kohe s’i dallojnë dot tragjeditë që mund t’u sjellë jeta, është me vend për të gjithë ne. Bëje Krijuesin qendrën e jetës sate. Kjo do t’i japë jetës qëllim të vërtetë. Hidhe poshtë qëndrimin: «Le të hamë e të pimë, se nesër do të vdesim.» (1 Korintasve 15:32) Sipas Eklisiastiut 8:12, gjërat ‘do të të dalin për mirë’ nëse vë Perëndinë në vend të parë.

Kjo doli e vërtetë për një vajzë me emrin Uendi. Kur ishte e re, bashkë me motrën mësuan spanjisht që të transferoheshin në Republikën Domenikane, ku kishte më shumë nevojë për predikues të lajmit të mirë të Biblës. «Bëmë mjaft sakrifica për të shërbyer atje ku kishte nevojë, por ishte periudha më e bukur e jetës sonë. Nuk do t’i këmbeja me asgjë ato gjashtë muaj! Bekimet që morëm ishin shumë më të mëdha se sakrificat që bëmë.»

Besnikëria ndaj Perëndisë i jep kuptim jetës

Nëse ndërton një marrëdhënie të mirë me Jehovain, mund të bësh jetë më me kuptim në një mënyrë shumë të veçantë. Si? Satanai jo vetëm nxiti Adamin dhe Evën të rebeloheshin ndaj sundimit të Perëndisë, por edhe nënkuptoi se askush nuk i qëndron besnik Perëndisë nën sprova. (Jobi 1:9-11; 2:4) Edhe ti mund të bësh pjesën tënde që të tregosh se Satanai është gënjeshtar! Si? Duke i qëndruar besnik Perëndisë, duke iu bindur parimeve të tij dhe duke treguar se e pranon të drejtën supreme të Jehovait që të vendosë për ne se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe.​—Zbulesa 4:11.

Ndoshta do të përballojmë vështirësi nëse duam të ndjekim një udhë të drejtë. A do të na e bëjnë jetën pa kuptim këto vështirësi? Përfytyro një armik mizor që shpif për një mikun tonë të dashur ose për një familjar. Nëse armiku do të na shkaktonte vështirësi ngaqë mbrojmë emrin e këtij njeriu të shtrenjtë, a do t’ia hiqte kjo kuptimin jetës sonë? Sigurisht që jo! Do t’i duronim me kënaqësi këto vështirësi për një çë­shtje të tillë. Është e njëjta gjë me besnikërinë ndaj Perëndisë. Besnikëria jonë nën kushtet e sotme të liga, faktikisht ia gëzon zemrën Perëndisë.​—Proverbat 27:11.

Përgjithmonë jetë me kuptim

Atëherë bëj gjithçka mundesh që të mësosh sa më shumë për Perëndinë dhe qëllimin e tij. Vetë Jezu Krishti tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Kur Perëndia të përmbushë qëllimin e tij fillestar për tokën, njerëzit besnikë do të gëzojnë atë që Jehovai kishte ndër mend në fillim: «jetën e përhershme» në një tokë parajsore. Në atë kohë do të bëjmë jetë me kuptim dhe kënaqësi të vërtetë.​—Psalmi 145:16.

Ku mund ta gjesh njohurinë për të cilën foli Jezui? Në faqet e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, në Bibël. Nëse dëshiron ndihmë për këtë, ndihu i lirë t’u shkruash botuesve të kësaj reviste. Me kënaqësi, ata do të marrin masa që dikush të të ndihmojë të fitosh njohurinë e vërtetë të Biblës.