Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë duhet të mësojnë fëmijët?

Çfarë duhet të mësojnë fëmijët?

Çfarë duhet të mësojnë fëmijët?

«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi.»​—2 TIMOTEUT 3:16.

FËMIJËVE u duhet mësuar e vërteta për Perëndinë. Ku mund ta mësojnë këtë të vërtetë? Te libri fetar më i respektuar në botë, Bibla.

Ajo është si një letër nga Perëndia. Në të Perëndia zbulon personalitetin dhe siguron udhëheqje morale për të gjithë fëmijët e tij, si për të rinjtë, edhe për të moshuarit. Vini re disa nga mësimet që përmban Bibla dhe çfarë mund të mësojnë edhe fëmijët e vegjël prej tyre.

Çfarë do Perëndia që të dimë për të?

Çfarë mëson Bibla? «Ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.»​—Psalmi 83:18.

Mësimi: Perëndia nuk është forcë abstrakte, por është Person real i cili ka një emër të veçantë.

Çfarë mëson Bibla? «Jehovai heton gjithë zemrat dhe dallon çdo prirje të mendimeve. Nëse e kërkon, ai do të të lërë që ta gjesh.»​—1 Kronikave 28:9.

Mësimi: Perëndia Jehova interesohet për të gjithë ne, edhe për fëmijët e vegjël. (Psalmi 10:14; 146:9) Ai do që të mësojmë për të.

Çfarë mëson Bibla? «Mos mundoni asnjë . . jetim. Nëse i mundon në ndonjë mënyrë, dhe ata më thërrasin mua, unë do ta dëgjoj patjetër klithmën e tyre.»​—Dalja 22:22-24.

Mësimi: Jehovai i dëgjon edhe lutjet e fëmijëve të vegjël. Mund të flasim rregullisht me Perëndinë dhe t’i shprehim mendimet e ndjenjat tona më të thella.

Çfarë mëson Bibla? «Sa e sa herë e vunë Perëndinë në provë, i shkaktuan dhembje të Shenjtit të Izraelit.»​—Psalmi 78:41.

Mësimi: Fjalët dhe veprimet tona ndikojnë te ndjenjat e Jehovait, prandaj duhet të mendohemi para se të flasim e të veprojmë.

Si duhet t’i trajtojmë ata që janë ndryshe nga ne?

Çfarë mëson Bibla? «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»​—Veprat 10:34, 35.

Mësimi: Nëse Perëndia i pranon njerëzit nga të gjitha prejardhjet, nuk duhet t’i diskriminojmë të tjerët vetëm se kanë ngjyrë tjetër ose tipare të fytyrës ndryshe nga tonat.

Çfarë mëson Bibla? «[Jini] gjithnjë gati për t’u mbrojtur para kujtdo që ju kërkon arsye për shpresën tuaj, por bëjeni këtë me frymë butësie dhe me respekt të thellë.»​—1 Pjetrit 3:15.

Mësimi: Kur flasim për fenë, duhet t’i shprehim mendimet me bindje, por me mirësjellje. Gjithashtu duhet t’i respektojmë ata që kanë bindje fetare ndryshe nga tonat.

Si duhet t’i trajtojmë pjesëtarët e familjes?

Çfarë mëson Bibla? «Fëmijë, jini të bindur ndaj prindërve në çdo gjë, pasi kjo është e pëlqyeshme në Zotërinë.»​—Kolosianëve 3:20.

Mësimi: Kur fëmijët u binden prindërve, nuk tregojnë vetëm se i duan, por edhe se duan të kënaqin Perëndinë.

Çfarë mëson Bibla? «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.»​—Kolosianëve 3:13.

Mësimi: Të tjerët, edhe pjesëtarët e familjes, do të na zhgënjejnë ndonjëherë. Por nëse duam që Perëndia të na falë, edhe ne duhet të mësojmë t’i falim të tjerët.​—Mateu 6:14, 15.

Pse të jemi të ndershëm dhe dashamirës?

Çfarë mëson Bibla? ‘Flakni tej gënjeshtrën dhe secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të tij.’​—Efesianëve 4:25.

Mësimi: Kur themi të vërtetën, imitojmë Perëndinë dhe e bëjmë të lumtur. Nëse e bëjmë zakon të gënjejmë, bëhemi si armiku i Perëndisë, Djalli, i cili është «ati i gënjeshtrës».​—Gjoni 8:44; Titit 1:2.

Çfarë mëson Bibla? «Trajtojini të tjerët siç doni t’ju trajtojnë edhe ata.»​—Mateu 7:12, «Contemporary English Version».

Mësimi: Duhet të tregojmë konsideratë për ndjenjat, mendimet dhe nevojat e pjesëtarëve të familjes e të të tjerëve në komunitetin tonë. Kur tregojmë «ndjenja të përbashkëta», ka më tepër të ngjarë që të tjerët të na trajtojnë me dashamirësi.​—1 Pjetrit 3:8; Luka 6:38.

Siç tregojnë këta shembuj, mësimet që përmban Bibla mund t’i ndihmojnë fëmijët që, kur të rriten, të kenë vlerësim, respekt dhe të jenë të ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve. Por kush duhet t’ua mësojë këto gjëra fëmijëve?