Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të mësojnë fëmijët për Perëndinë?

A duhet të mësojnë fëmijët për Perëndinë?

A duhet të mësojnë fëmijët për Perëndinë?

«Jemi mjaft fetarë për të urryer njëri-tjetrin, por jo aq fetarë për të dashur njëri-tjetrin.»​—XHONATAN SUIFTI, AUTOR ANGLEZ.

SUIFTI e shprehu këtë mendim në shekullin e 18-të, por edhe sot mjaft veta janë dakord me të. Në fakt, disa mendojnë se prindërit nuk duhen lejuar t’i mësojnë fëmijët për Perëndinë. Sipas tyre, fëmijët e rritur në një shtëpi fetare janë disi të ndrydhur.

Si mendoni? Cili nga pohimet e mëposhtme është më i arsyeshëm?

● Prindërit nuk duhen lejuar t’i mësojnë fëmijët për Perëndinë.

● Prindërit duhet të presin që fëmijët të rriten para se të flasin me ta për gjëra fetare.

● Ndërsa fëmijët janë të vegjël, prindërit duhet t’u mësojnë bindjet që kanë për Perëndinë. Por, teksa fëmijët arrijnë moshën e pjekurisë, prindërit duhet t’i nxitin të arsyetojnë vetë për këto çështje.

● Pa diskutim që fëmijët duhet të përvetësojnë bindjet e prindërve për Perëndinë.

A i dëmton feja fëmijët?

Asnjë prind i dashur nuk do që ta dëmtojë fëmijën. Po faktet, a i mbështetin pohimet e atyre që duan t’i pengojnë fëmijët të mësojnë për Perëndinë? Tashmë, prej dekadash, studiuesit kanë bërë kërkime të mëdha për pasojat që kanë te fëmijët bindjet fetare të prindërve. Në ç’përfundim kanë arritur?

Studiuesit kanë zbuluar se, në vend që të ketë ndikim të dëmshëm, feja ndikon për mirë te zhvillimi i fëmijës. Në vitin 2008, një raport i botuar në revistën Social Science Research * thoshte: «Është parë se feja forcon lidhjen prind-fëmijë si për nënat, edhe për baballarët.» Gjithashtu raporti thoshte: «Duket se feja dhe plotësimi i nevojës që të mësojnë për Perëndinë janë pjesë e rëndësishme e jetës së shumë fëmijëve dhe janë jetësore për lidhjet familjare.» Vini re sa ngjan ky zbulim me atë që tha Jezui: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.»​—Mateu 5:3.

Ç’të themi për mendimin se fëmijët duhet të rriten para se të mësojnë për Perëndinë dhe fenë? Kjo pikëpamje shpërfill këtë fakt: mendja e fëmijës është si një kovë boshe që pret të mbushet. Vërtet, prindërit ndodhen para një zgjedhjeje: ta mbushin këtë «kovë» në shtëpi me parime morale dhe bindje që mendojnë se janë të përshtatshme, ose të lënë që fëmijës t’ia mbushë mendjen dhe zemrën rrebeshi i ideve jashtë shtëpisë.

Cili është sekreti?

Historia ka vërtetuar se feja ka potencialin t’i fryjë zjarrit të fanatizmit dhe të urrejtjes. Prandaj si ta shmangin prindërit përfundimin që përshkroi Xhonatan Suifti? Si t’u mësojnë fëmijëve bindje që i ndihmojnë të duan të tjerët?

Sekreti gjendet në përgjigjet e këtyre tri pyetjeve. (1) Çfarë duhet të mësojnë fëmijët? (2) Kush duhet t’i mësojë ata? (3) Ç’metoda mësimdhënieje janë më të mirat?

[Shënimi]

^ par. 11 Ky studim u bazua në informacionin e mbledhur nga më tepër se 21.000 fëmijë të Shteteve të Bashkuara, si dhe nga prindërit e mësuesit e tyre.