Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

PSE vendosi të bëhej Dëshmitar një ish-poligam dhe kundërshtar i Dëshmitarëve të Jehovait? Çfarë e shtyu një pastor të Kishës Pentekostale të ndryshonte bindjet? Çfarë e ndihmoi një grua që ishte rritur plot vuajtje, të mos e urrente më veten dhe t’i afrohej Perëndisë? Pse nisi të shërbente në një organizatë fetare një i apasionuar pas muzikës heavy-metal? Lexo këto tregime që të gjesh përgjigjet.

«Jam bërë bashkëshort më i mirë.»​—RIGOBERT UETOJA

  • LINDUR: 1941

  • VENDI I LINDJES: BENINI

  • MË PARË: POLIGAM DHE KUNDËSHTAR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT

E KALUARA IME:

Jam nga Kotonouja, një qytet i madh në Benin. U rrita si katolik, por nuk shkoja rregullisht në kishë. Në vendin ku jetoja, mjaft katolikë kishin shumë gra, pasi poligamia njihej me ligj në atë kohë. Edhe unë përfundova i martuar me katër gra.

Kur shpërtheu një revolucion në vitet 70, mendova se do t’i sillte dobi vendit. E mbështeta plotësisht revolucionin dhe u përfshiva në politikë. Revolucionistët nuk i shihnin me sy të mirë Dëshmitarët e Jehovait, sepse qëndronin asnjanës në çështjet politike. Edhe unë isha ndër ata që përndoqën Dëshmitarët. Kur misionarët Dëshmitarë u dëbuan nga vendi në vitin 1976, isha i sigurt se s’do të vinin më këmbë në vend.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Revolucioni mbaroi në vitin 1990. Për habinë time, shpejt misionarët Dëshmitarë u shfaqën prapë. Nisa të mendoja se ndoshta Perëndia ishte me këta njerëz. Në atë kohë, ndryshova punën. Një nga kolegët e rinj ishte Dëshmitar dhe s’humbi kohë e më foli për bindjet e veta. Ai më tregoi vargje biblike që e përshkruajnë Jehovain si Perëndi të dashurisë e të drejtësisë. (Ligji i përtërirë 32:4; 1 Gjonit 4:8) Këto cilësi më bënë për vete. Doja të mësoja më shumë për Jehovain, prandaj pranova të studioja Biblën.

S’kaloi shumë dhe nisa të shkoja në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Më la mbresa dashuria e vërtetë që pashë atje. Nuk kishte dallime mes racave ose shtresave të ndryshme shoqërore. Sa më shumë shoqërohesha me Dëshmitarët, aq më e dukshme bëhej se ata ishin dishepujt e vërtetë të Jezuit.​—Gjoni 13:35.

Vendosa që, nëse doja t’i shërbeja Jehovait, duhej të lija Kishën Katolike. Kjo nuk ishte e lehtë, pasi kisha frikë nga opinioni i të tjerëve. Pas një kohe të gjatë dhe me ndihmën e Jehovait, mora guxim dhe u çregjistrova nga kisha.

Por më mbetej edhe një ndryshim tjetër i madh për t’u bërë. Studimi i Biblës më mësoi se Perëndia nuk e miraton poligaminë. (Zanafilla 2:18-24; Mateu 19:4-6) Në sytë e tij, vetëm martesa e parë ishte e vlefshme. Prandaj celebrova këtë martesë dhe u kërkova grave të tjera të largoheshin, por mora masa që nevojat materiale t’u plotësoheshin. Me kalimin e kohës, dy nga ish-gratë u bënë Dëshmitare të Jehovait.

DOBITË:

Megjithëse gruaja i mbahet ende besimit katolik, e respekton vendimin tim për t’i shërbyer Jehovait. Të dy mendojmë se jam bërë bashkëshort më i mirë.

Më parë mendoja se mund ta përmirësoja komunitetin nëpërmjet politikës, por ato përpjekje dolën të kota. Tani e kuptoj se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja zgjidhje për problemet e njerëzimit. (Mateu 6:9, 10) I jam mirënjohës Jehovait që më tregon si të gjej lumturi të vërtetë në jetë.

«Nuk ishte e lehtë të bëja ndryshimet e nevojshme.»​—ALEKS-LEJMOS SILVA

  • LINDUR: 1977

  • VENDI I LINDJES: BRAZILI

  • MË PARË: PASTOR PENTEKOSTAL

E KALUARA IME:

U rrita në periferi të Itusë, në shtetin e San-Paulos. Kjo pjesë e qytetit njihej për shkallën e lartë të krimeve.

Isha tepër i dhunshëm dhe imoral. Përveç kësaj, isha përfshirë edhe në trafikimin e drogës. Ndërsa koha kalonte, fillova të kuptoj se një jetë e tillë do të më çonte ose në burg, ose në varreza. Prandaj i vura kapak. Më pas u futa në Kishën Pentekostale dhe, me kalimin e kohës, u bëra pastor.

Mendoja se mund t’i ndihmoja vërtet njerëzit me anë të shërbimit në kishë. Madje transmetoja një program fetar në radion e asaj zone dhe, si rezultat, u bëra i njohur atje. Gjithsesi fillova të kuptoj dalëngadalë se kisha nuk e vinte ujin në zjarr për mirëqenien e anëtarëve të saj, aq më tepër për të nderuar Perëndinë. Mendoja se synimi i vetëm i kishës ishte të fitonte para. Vendosa të jepja dorëheqjen nga kisha.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Kur fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, e dallova menjëherë se ata ishin ndryshe nga fetë e tjera. Dy gjëra më bënë përshtypje. Së pari, Dëshmitarët e Jehovait jo vetëm flasin për dashurinë ndaj Perëndisë dhe të afërmit, por edhe e tregojnë me vepra. Së dyti, nuk marrin pjesë në politikë dhe në luftëra. (Isaia 2:4) Këto dy fakte më bindën se kisha gjetur fenë e vërtetë; rrugën e kufizuar që çon në jetë të përhershme.​—Mateu 7:13, 14.

E kuptova se nëse doja t’i pëlqeja Perëndisë, duhej të bëja ndryshime të mëdha. Duhej t’i kushtoja më tepër vëmendje familjes. Gjithashtu, duhej të bëhesha më i përulur. Nuk ishte e lehtë të bëja ndryshimet e nevojshme, por me ndihmën e Jehovait, ia dola mbanë. Gruas i bënë përshtypje këto ndryshime. Ajo kishte filluar të studionte Biblën para meje, por tani përparoi me ritme më të shpejta. S’kaloi shumë dhe të dy e kuptuam se donim të bëheshim Dëshmitarë të Jehovait. U pagëzuam në të njëjtën ditë.

DOBITË:

Bashkë me gruan provojmë gëzim duke ndihmuar tre fëmijët tanë që të lidhin miqësi të ngushtë me Jehovain. Jemi familje e lumtur. Falënderoj Jehovain që më ka tërhequr në të vërtetën që gjendet në Fjalën e tij, në Bibël. Ajo ua ndryshon vërtet jetën njerëzve! Unë jam provë e gjallë.

«Ndihem e pastër, e gjallë dhe bëj jetë kuptimplotë.»​—VIKTORIA TANGU

  • LINDUR: 1957

  • VENDI I LINDJES: AUSTRALIA

  • MË PARË: FËMIJËRI PLOT VUAJTJE

E KALUARA IME:

U rrita në Njukasll të Uellsit të Ri Jugor. Jam më e madhja e shtatë fëmijëve që patën një baba të dhunshëm e të alkoolizuar dhe një nënë të dhunshme. Mamaja abuzonte me mua si fizikisht, edhe me fjalë. Më thoshte vazhdimisht se isha e keqe dhe se do të mundohesha në ferr. Kërcënime të tilla më kallnin datën.

Shpesh nuk shkoja në shkollë nga dëmtimet fizike që më shkaktonte nëna. Në moshën 11-vjeçare, më morën nga prindërit dhe, si fillim, më çuan në një institucion qeveritar dhe pastaj në një manastir. Kur mbusha 14 vjeçe, ia mbatha nga manastiri. Nuk doja të kthehesha në shtëpi, prandaj jetova në rrugët Kings Kros, në periferi të Sidneit.

Gjatë jetës nëpër rrugë, u përfshiva në drogë, alkool, pornografi dhe prostitucion. Një ndodhi më frikësoi vërtet. Po rrija në apartamentin e pronarit të një klubi nate. Një mbrëmje, erdhën dy burra për ta takuar. Ai më çoi në dhomën e gjumit, por mund ta dëgjoja bisedën e tyre. Pronari i klubit po bënte ujdi të më shiste te këta burra. Ata do të më fshihnin në një anije mallrash e do të më çonin në Japoni që të punoja në një bar. Më zuri paniku, u hodha nga ballkoni dhe ia mbatha për ndihmë.

Takova një burrë që po vizitonte Sidnein dhe i shpjegova situatën, me shpresë se do të më jepte ca para. Në vend të kësaj, më ftoi në vendin ku po rrinte, që të bëja dush e të haja diçka. Ashtu si rrodhën gjërat, nuk u largova kurrë. Një vit më vonë, u martuam.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Kur fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, përjetova lloj-lloj ndjenjash. U ndjeva e zemëruar kur mësova se Satanai është shkaktari i ligësisë. Gjithmonë më kishin mësuar se vuajtjet na i shkakton Perëndia. Ndjeva lehtësim të jashtëzakonshëm kur mësova se ai nuk i ndëshkon njerëzit në ferrin e zjarrtë, mësim që më kishte kallur datën prej kohësh.

Më bënte shumë përshtypje se si Dëshmitarët linin që Bibla të ndikonte në çdo vendim tyrin. Ata jetojnë në harmoni me gjërat që besojnë. Isha tip i vështirë, por pavarësisht çfarë thosha ose bëja, Dëshmitarët më trajtonin me dashuri dhe respekt.

Luftën më të madhe e kisha me ndjenjat e pavlefshmërisë. E urreja vërtet veten dhe këto ndjenja vazhduan edhe shumë kohë pasi u pagëzova si Dëshmitare e Jehovait. E doja Jehovain, por isha e bindur se ai kurrë s’do ta donte dikë si unë.

Një pikë kthese ndodhi rreth 15 vjet pas pagëzimit. Gjatë një fjalimi në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, oratori lexoi Jakovin 1:23, 24. Ato vargje e krahasojnë Fjalën e Perëndisë me një pasqyrë, në të cilën mund ta shohim veten ashtu siç na sheh Jehovai. Nisa të mendoja nëse e shihja veten ndryshe nga ç’më shihte Jehovai. Në fillim, nuk e pranova këtë pikëpamje të re. Ende më dukej sikur po kërkoja tepër që Jehovai të më donte.

Disa ditë më vonë, lexova një shkrim që më ndryshoi jetën. Tek Isaia 1:18 gjenden fjalët e Jehovait që thotë: «Ejani tani dhe le t’i ndreqim gjërat mes nesh. . . . Edhe sikur mëkatet tuaja të jenë të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora.» Ndihesha sikur Jehovai po më drejtohej mua duke më thënë: «Hajde Viki, le t’i ndreqim gjërat mes nesh. Unë të njoh, i di mëkatet e tua, ta njoh zemrën​—dhe të dua.»

Atë natë nuk vija dot gjumë në sy. Kisha akoma dyshime nëse Jehovai më donte, por fillova të mendoja për flijimin shpërblyes të Jezuit. Pastaj, krejt papritur nisa të kuptoja se Jehovai më kishte duruar për mjaft kohë, duke më treguar në shumë mënyra se më donte. Prapëseprapë, dukej sikur i thosha: «Dashuria jote nuk është aq e madhe sa të arrijë deri tek unë. Flijimi i Birit tënd nuk është i mjaftueshëm për mua.» Ishte sikur t’ia kisha kthyer mbrapsht shpërblesën Jehovait. Por, më në fund, pasi meditova për dhuratën e shpërblesës, fillova të mendoja se Jehovai më donte.

DOBITË:

Ndihem e pastër, e gjallë dhe bëj jetë kuptimplotë. Martesa më është përmirësuar dhe jam e lumtur që mund t’i përdor përvojat e mia për të ndihmuar të tjerët. Tani e ndjej veten gjithnjë e më afër Jehovait.

«Ishte përgjigjja e lutjes sime.»​—SERGEI BOTANKINI

  • LINDUR: 1974

  • VENDI I LINDJES: RUSIA

  • MË PARË: I APASIONUAR PAS MUZIKËS HEAVY-METAL

E KALUARA IME:

Linda në Votkinsk, vendlindja e kompozitorit të famshëm Pjetër Iliç Çajkovski. Familja ishte e varfër. Babai kishte shumë cilësi të mira, por ishte i alkoolizuar, prandaj atmosfera në shtëpi ishte gjithmonë e nderë.

Nuk isha nxënës shumë i mirë dhe, ndërsa vitet kalonin, nisa të ndihesha si i pavlerë dhe mendoja se kurrë nuk do të isha në lartësinë e të tjerëve. U bëra tip i mbyllur dhe mosbesues. Shkolla më sillte shumë stres. Për shembull, kur më duhej të paraqitja një referat, shpesh nuk arrija as të shpjegoja konceptet bazë, që në raste të tjera s’e kisha problem. Kur mbarova klasën e tetë, në dëftesë shkruhej: «Ka fjalor të kufizuar, nuk është në gjendje t’i shprehë mendimet.» Këto fjalë më dërrmuan fare dhe m’i shtuan akoma më tepër ndjenjat e pavlefshmërisë. Nisa të pyetja veten se ç’qëllim kishte jeta ime.

Gjatë adoleshencës, iu futa pijeve alkoolike. Në fillim, ndihesha mirë kur pija. Por, kur pija rëndshëm, ndërgjegjja më trazonte. Jeta më dukej pa kuptim. Nisa të ndihesha më i dëshpëruar; ndonjëherë s’dilja nga shtëpia për ditë të tëra. Po filloja të mendoja edhe vetëvrasjen.

Kur mbusha 20 vjeç, gjeta një lehtësim të ri, por të përkohshëm. Zbulova muzikën heavy-metal. Muzika më mbushte me energji dhe kërkova të tjerë që e dëgjonin atë. Rrita flokët, shpova veshët dhe vishesha si muzikantët që i admiroja. Dalëngadalë u bëra i papërgjegjshëm dhe agresiv, e shpesh grindesha me familjen.

Mendoja se ndihesha më i lumtur kur dëgjoja heavy-metal, por ndodhte krejt e kundërta. Po bëhesha tjetër njeri! Gjithashtu, kur mora vesh ca gjëra të këqija për yjet e muzikës që admiroja, u ndjeva i tradhtuar.

Përsëri nisa ta mendoja vetëvrasjen​—kësaj here e kisha seriozisht. E vetmja gjë që më ndaloi ishte si do e përjetonte mamaja këtë. Ajo më donte jashtë mase dhe kishte bërë kaq shumë për mua. Situata ishte torturuese. S’doja të jetoja më, por as i jepja dot fund jetës.

Që ta çoja mendjen diku tjetër, fillova të lexoja literaturë klasike ruse. Personazhi kryesor i një historie shërbente në kishë. Papritur, më mbërtheu një dëshirë e zjarrtë që të bëja diçka për Perëndinë dhe për njerëzit e tjerë. Ia zbraza zemrën Perëndisë në lutje, diçka që s’e kisha bërë kurrë më parë. I kërkova Perëndisë të më tregonte si të bëja jetë domethënëse. Gjatë asaj lutjeje, ndjeva njëfarë lehtësimi të pabesueshëm. Megjithatë, edhe më mahnitëse ishte ajo që ndodhi më tej. Vetëm dy orë më vonë, një Dëshmitar i Jehovait më trokiti në derë dhe u ofrua të studionte Biblën me mua. Them se kjo ishte përgjigjja e lutjes sime. Po përjetoja ditën e parë të një jete të re e të lumtur.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Megjithëse ishte mjaft e vështirë, i hodha të gjitha gjërat që lidheshin me muzikën heavy-metal. Prapëseprapë, muzika la gjurmë për shumë kohë në mendjen time. Ndodhte që, sa herë kaloja pranë një vendi ku luhej kjo muzikë, menjëherë më vinte ndër mend e kaluara. Nuk doja t’i përzieja ato kujtime të pakëndshme me gjithçka të mirë që tani po zinte rrënjë në mendjen e në zemrën time. Kështu që i shmanga qëllimisht vende të tilla. Dhe, sa herë që tundohesha të mendoja për të kaluarën, bëja lutje të zjarrta. Kjo më ndihmoi të përjetoja ‘paqen e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim’.​—Filipianëve 4:7.

Ndërsa studioja Biblën, mësova se të krishterët kanë detyrimin t’u flasin të tjerëve për besimin e tyre. (Mateu 28:19, 20) Sinqerisht, nuk e mendoja kurrë se do ta bëja këtë. Në të njëjtën kohë, gjërat e reja që po mësoja më sillnin lumturi të madhe dhe paqe të brendshme. E dija se edhe të tjerët kanë nevojë t’i mësojnë këto të vërteta. Pavarësisht nga frika, fillova t’u flitja të tjerëve për ato që po mësoja. Për habinë time tejet të madhe, më rritej besimi te vetja kur u flitja të tjerëve për Biblën. Gjithashtu, duke bërë këtë, bindjet e reja më depërtonin thellë në zemër.

DOBITË:

Tani kam martesë të lumtur dhe kam pasur gëzimin të ndihmoj disa veta të mësojnë për Biblën, përfshirë motrën dhe nënën. Shërbimi ndaj Perëndisë dhe ndihma që u jap të tjerëve që të mësojnë për të, i kanë dhënë jetës sime kuptim të vërtetë.