Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Pse Perëndia zgjodhi shkurtat që të ushqente izraelitët në shkretëtirë?

▪ Pasi izraelitët dolën nga Egjipti, Perëndia u siguroi dy herë mish me bollëk duke u dërguar shkurta.​—Dalja 16:13; Numrat 11:31.

Shkurtat janë zogj të vegjël, me gjatësi deri në 18 centimetra dhe me peshë afërsisht 100 gramë. Ato shumohen në shumë pjesë të Azisë Perëndimore dhe të Evropës. Ngaqë janë zogj shtegtarë, dimërojnë në veri të Afrikës dhe në Arabi. Gjatë shtegtimit, tufa të stërmëdha përshkojnë brigjet lindore të detit Mesdhe dhe fluturojnë mbi gadishullin e Sinait.

Sipas një fjalori biblik, shkurtat «fluturojnë shpejt dhe mirë, si dhe shfrytëzojnë erën. Por, nëse era ndryshon drejtim ose zogjtë rraskapiten nga udhëtimi i gjatë, e gjithë tufa tejet e madhe priret të rrëzohet përdhe, ku zogjtë bien të trullosur». (The New Westminster Dictionary of the Bible) Para se të vazhdojnë shtegtimin, atyre u duhet të pushojnë në tokë për një ose dy ditë, e kështu kapen kollaj nga gjahtarët. Në fillim të shekullit të 20-të, Egjipti eksportonte çdo vit rreth tre milionë shkurta si ushqim.

Në të dyja rastet kur izraelitët u ushqyen me shkurta, ishte pranverë. Megjithëse shkurtat fluturonin rregullisht mbi zonën e Sinait gjatë asaj periudhe, ishte Jehovai ai që «ngriti një erë» që t’i çonte këta zogj te kampi i izraelitëve.​—Numrat 11:31.

Çfarë ishte «festa e kushtimit» që përmendet te Gjoni 10:22?

▪ Tri festat stinore që Perëndia i urdhëroi judenjtë të mbanin​—festa e Kuleçve të Ndormë, festa e Ditës së Pesëdhjetë dhe festa e Mbledhjes—​kremtoheshin përkatësisht në fillim të pranverës, në fund të pranverës dhe në vjeshtë. Gjithsesi, festa që përmendet te Gjoni 10:22 mbahej në «dimër» dhe gjatë saj kremtohej rikushtimi i tempullit të Jehovait në vitin 165 p.e.s. Zgjaste tetë ditë, fillonte më 25 të muajit hislev, afër solsticit të dimrit. Çfarë çoi në themelimin e saj?

Në vitin 168 p.e.s., sundimtari seleukas Antioku IV (Epifan), në përpjekje që të zhdukte adhurimin dhe zakonet judaike, ngriti një altar pagan mbi altarin e tempullit të Jehovait në Jerusalem. Mbi të i ofronte flijime perëndisë grek Zeus.

Kjo ngjarje i dha shkëndijë revoltës së makabenjve. Udhëheqësi jude Judë Makabeu pastroi Jerusalemin nga seleukasit. Pastaj shembi altarin e ndotur dhe ndërtoi një të ri në vend të tij. Fiks tre vjet pasi ishte përdhosur altari, Juda ia rikushtoi Jehovait tempullin e pastruar. Që prej asaj kohe, «festa e kushtimit» (hebraisht hanukkáh) është festuar në dhjetor nga judenjtë. Sot, kjo festë njihet me emrin Hanukah.

[Figura në faqen 14]

Portret i Judë Makabeut, Lion, 1553

[Burimi i figurës në faqen 14]

Nga libri Wood’s Bible Animals. 1876