Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«O Jehova, ti . . . më njeh»

«O Jehova, ti . . . më njeh»

Afrojuni Perëndisë

«O Jehova, ti . . . më njeh»

«NUK mund të ketë peshë më të rëndë për dikë, sesa të dijë që askush nuk kujdeset apo nuk e kupton.» * A është e vërtetë kjo edhe për ty? A je ndier ndonjëherë sikur askush nuk interesohet ose nuk e kupton atë që po kalon, e jo më si ndihesh? Nëse po, mund të marrësh zemër nga kjo gjë: Jehovai interesohet kaq shumë për adhuruesit e tij, sa vëren gjithçka që u ndodh në jetën e përditshme. Fjalët e Davidit te Psalmi 139 na sigurojnë për këtë të vërtetë.

Davidi ishte i sigurt se Perëndia interesohej për të, prandaj tha: «O Jehova, ti më ke hetuar fund e krye dhe më njeh.» (Vargu 1) Këtu Davidi bën një përshkrim të bukur. Folja hebraike e përkthyer «hetuar» mund t’i referohet gërmimit për minerale (Jobi 28:3), zbulimit të një vendi (Gjykatësit 18:2), ose shqyrtimit të fakteve për një çështje ligjore (Ligji i përtërirë 13:14). Po, Jehovai na njeh kaq mirë, sa duket sikur ka shqyrtuar çdo aspekt dhe çdo skutë të qenies sonë. Duke folur në njëjës, Davidi na mëson se Perëndia interesohet për secilin nga shërbëtorët e tij. I heton fund e krye dhe arrin të njohë çdonjërin prej tyre.

Davidi na thotë më tej se sa i imtësishëm është hetimi i Perëndisë: «Ti e di kur ulem e kur ngrihem, shqyrton nga larg çdo mendim timin.» (Vargu 2) Në njëfarë kuptimi, Jehovai është «larg», pasi banon në qiej. Megjithatë, ai e di kur ulemi, ndoshta në fund të një dite të gjatë, dhe kur ngrihemi në mëngjes e nisim ditën. Gjithashtu, ai i njeh mendimet, dëshirat dhe synimet tona. A ndihet i kërcënuar Davidi nga ky shqyrtim kaq i hollësishëm? Përkundrazi, ai e dëshiron atë. (Vargjet 23, 24) Përse?

Davidi e di se Jehovai i shqyrton adhuruesit e tij me qëllim të mirë. Ai e ka fjalën për këtë qëllim kur shkruan: «Ti peshon ecjen dhe prehjen time, i njeh mirë gjithë udhët e mia.» (Vargu 3) Çdo ditë Jehovai sheh ‘gjithë udhët tona’​—si gabimet, edhe veprimet e mira. A përqendrohet te të këqijat apo te të mirat? Fjala hebraike e përkthyer «peshon», mund të ketë kuptimin «shoshit» ose «hedh në erë për të pastruar», pak a shumë siç bën bujku kur pastron drithin nga byku. Shprehja «i njeh mirë» është përkthim i një fjale hebraike që mund të ketë kuptimin «të çmosh». Kur Jehovai shqyrton gjërat që adhuruesit e tij bëjnë e thonë çdo ditë, çmon gjërat e mira. Pse? Sepse i çmon përpjekjet e tyre për ta kënaqur.

Psalmi 139 na mëson se Jehovai interesohet thellësisht për adhuruesit e vet. Ai i heton fund e krye dhe i ruan çdo ditë të jetës. Kështu ua njeh problemet që hasin dhe ua kupton dhembjen mendore dhe shpirtërore që mund të sjellin këto probleme. A nuk nxitesh të adhurosh këtë Perëndi kaq të dashur? Nëse po, të jesh i sigurt për këtë gjë: Jehovai kurrë nuk ‘do ta harrojë veprën tënde dhe dashurinë që tregove për emrin e tij’.​—Hebrenjve 6:10.

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë shtatorit:

Psalmet 119-150

[Shënimi]

^ par. 1 Citim i autorit Artur Steinbek