Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Olivetani​—«Përkthyesi i vogël e i përulur» i Biblës në frëngjisht

Olivetani​—«Përkthyesi i vogël e i përulur» i Biblës në frëngjisht

Olivetani​—«Përkthyesi i vogël e i përulur» i Biblës në frëngjisht

Ishte 13 shtator 1540. Policia po kontrollonte shtëpinë e Kolin Pelenkut. Në një dhomë të fshehtë gjetën ca dokumente të dyshimta, ku ndodhej dhe një libër i madh. Në faqen e dytë gjendeshin fjalët: «Pjer Roberi (Olivetani), përkthyesi i vogël e i përulur.» Ishte një Bibël valdeze. Kolin Pelenkun e arrestuan, e dënuan për herezi dhe e dogjën të gjallë.

NË Francën e asaj kohe, si kudo tjetër në Evropë, Kisha Katolike ishte në ndjekje të reformatorëve, me synimin që të hiqte qafe doktrinat e tyre «tinëzare». Njëri prej reformatorëve, i zjarrti Guiljam Fareli, ishte i vendosur të bënte për vete zonat frëngjishtfolëse që të përkrahnin idetë e Martin Luterit, figurë e shquar e Reformës protestante. Fareli, nga provinca e Dofinesë në Francën Juglindore, e dinte se botimet e shtypura kishin ndikim kryesor në betejën e ideve. Që të arrinte misionin e tij, i duheshin plot pamflete e botime të hollësishme, si dhe Bibla. Por kush do ta financonte këtë sipërmarrje? Nuk kishte më të përshtatshëm se valdezët, një grup i pavarur fetar i përkushtuar ndaj predikimit të Biblës.

Një sinod në Shanforan

Në të shkuarën, nga mesi i shtatorit të vitit 1532, barbesët (pastorët) valdezë mbajtën një sinod ose konferencë në Shanforan, një fshat i vogël pranë Torinos, Itali. Për disa vjet kishte pasur bashkëbisedime mes valdezëve dhe udhëheqësve të Reformës. Prandaj, Farelin dhe disa të tjerë i ftuan në sinod. Valdezët donin të dinin nëse doktrinat e tyre përputheshin me ato që predikonin Luteri e dishepujt e tij. *

Në Shanforan, oratoria e Farelit ishte bindëse. Kur barbesët valdezë i treguan Biblat që kishin shkruar me dorë në dialektin e tyre, ai i bindi të financonin shtypjen e një Bible në frëngjisht. Ndryshe nga versioni i vitit 1523 nga Lëfevrë d’Etaplë që bazohej në gjuhën latine, ky përkthim do të bëhej nga hebraishtja dhe greqishtja. Por cili ishte i aftë të merrej me këtë punë?

Fareli njihte pikërisht një njeri të tillë. Quhej Pjer Rober, por njihej si Olivetani, * një mësues i ri i lindur në Pikardi, rajon në Francën Veriore. Olivetani, kushëri i Xhon Kalvinit, ishte nga reformatorët e parë dhe njeri i besueshëm. Gjithashtu kaloi disa vjet në Strasburg ku studioi me zell gjuhët biblike.

Ashtu si Fareli e shumë të tjerë, Olivetani ishte strehuar në Zvicër. Miqtë iu lutën ta pranonte projektin e përkthimit. Pasi refuzoi disa herë, më në fund pranoi caktimin që të përkthente Biblën «nga gjuha hebraike e greke në frëngjisht». Ndërkohë, valdezët dhanë 500 korona​—një thes me para—​nga 800 koronat e arta që duheshin për financimin e shtypshkronjës.

Korbi dhe bilbili

Në fillim të vitit 1534, Olivetani u izolua në Alpe dhe nisi punën i rrethuar nga «mësuesit e heshtur», librat e tij. Bibliotekën e tij do ta kishin zili gjithë studiuesit e sotëm. Në të gjendeshin versione siriake, greke e latine të Biblës, vepra shpjeguese rabinike, libra gramatikë të gjuhës kaldease dhe mjaft libra të tjerë. Më e rëndësishmja, ai kishte një botim bashkëkohor venecian të Shkrimeve Hebraike, që ishte shtypur në hebraishten origjinale.

Për përkthimin e asaj që zakonisht quhet Dhiata e Re, Olivetani u bazua në tekstin në frëngjisht që kishte bërë Lëfevrë d’Etaplë, ndonëse shumë herë mori parasysh tekstin grek të studiuesit holandez Erasmi. Shpesh Olivetani zgjidhte fjalë që nuk e mbështetnin pikëpamjen dhe autoritetin e Kishës Katolike. Për shembull, ai preferonte fjalën «mbikëqyrës» dhe jo «peshkop», «sekret» dhe jo «mister», «kongregacion» dhe jo «kishë».

Olivetani ishte i vendosur ta përkthente fjalë për fjalë nga hebraishtja origjinale atë që shumë veta e njohin si Dhiata e Vjetër. Ai tha me shaka se të përktheje nga hebraishtja në frëngjisht ishte si «t’i mësoje bilbilit të ëmbël të këndonte si korbi që çirret».

Në tekstin hebraik, Olivetani hasi mijëra herë emrin hyjnor në formën e Tetragramit. Ai zgjodhi ta përkthente «i Përjetshmi», shprehje që më vonë u bë e zakonshme te Biblat protestante në frëngjisht. Por në disa vende zgjodhi emrin «Jehova», siç vërehet te Dalja 6:3.

Ajo që të bën përshtypje është se, më 12 shkurt të vitit 1535, pak a shumë një vit më vonë, përkthyesi e deklaroi të përfunduar punën e tij. Me sa duket viti 1534 ose 1535 ishte kulmi i punës së vazhdueshme e gjithë merak, pasi Olivetani pranoi se «e kishte marrë prej kohësh zgjedhën [e përkthimit] krejt i vetëm». «Bëra më të mirën»,—tha përkthyesi me modesti. Tani gjithçka mbetej ishte shtypja e Biblës së parë në frëngjisht, e përkthyer duke pasur në mendje gjuhët origjinale.

Në punishten e Pirros

Tani hyri në skenë Pjer dë Vengëli, që njihej edhe si Pirro Pikardi, mik i Farelit, dhe shtypte botime për Reformën. Pasi Kisha Katolike e dëboi nga Lioni, ai shkoi të jetonte në Neushatel të Zvicrës, në vitin 1533. Duke përdorur paratë e valdezëve, ai filloi të shtypte me bollëk materiale «kundër pushtetit». Për shembull, në punishten e tij u prodhuan postera që dënonin meshën. Disa nga këto postera arritën deri te mbreti katolik i Francës, Fransisi I.

Edhe një herë, Dë Vengëli i vuri në punë makineritë e tij, kësaj radhe për të prodhuar një Bibël. Që të përshpejtonte punën, një skuadër prej katër ose pesë vetash manovronte secilën nga dy makineritë, duke rregulluar shkronjat dhe duke shtypur faqet. Më në fund, «më 4 qershor të vitit 1535», Dë Vengëli hodhi firmën si botues në Biblën e Olivetanit. Në parathënie, përkthyesi ia kushtoi punën besimtarëve të gjorë që ishin «të dërrmuar dhe të rënduar» nga «traditat e kota».

Rezultati përfundimtar doli pikërisht siç pritej. Teksti në frëngjisht ishte i bukur e i thjeshtë sepse ishte i qartë, lexohej kollaj, kishte shkronja elegante gotike dhe ndahej në dy kolona, në kapituj e paragrafë. Shënimet anash faqeve vërtetojnë sa i zoti ishte përkthyesi. Gjithashtu veprën e stolisin edhe komentet hyrëse, shtojcat, tabelat e poemat. Në fund të vëllimit, një akrostikë e shkurtër me rimë tregon se «valdezët, të cilët Ungjillin predikojnë, këtë thesar ua ofrojnë të gjithëve që ta lexojnë».

Një kryevepër . . . dhe një dështim

Ndonëse dikur e përbuzën, sot vepra e Olivetanit në përgjithësi njihet si kryevepër absolute studimi. Përveç kësaj, teksti i tij vazhdoi të shërbente si bazë për versionet protestante të Biblës për tre shekuj.

Ndonëse u prodhuan rreth një mijë kopje të Biblës së Olivetanit, ato nuk u shitën me sukses. Kjo ndodhi sepse nuk kishte një rrjet të qëndrueshëm shpërndarjeje dhe sepse në atë periudhë gjuha franceze po ndryshonte me shpejtësi. Pastaj, një vëllim i madh që peshonte 5 kilogramë nuk ishte formati ideal për predikuesit udhëtues ose për ata që lexonin fshehurazi.

Edhe pse një kopje kishte arritur deri në shtëpinë e Kolin Pelenkut në Francë, siç u përmend në fillim të artikullit, faktikisht Bibla e Olivetanit ishte një dështim nga ana tregtare. Në vitin 1670, afro një shekull e gjysmë më vonë, një dyqan librash në Gjenevë kishte ende një kopje në shitje.

«Pa emër, pa origjinë»

Sapo mbaroi misionin, Olivetani nuk u duk më. Duke përdorur emra të tjerë, ai rishikoi Dhiatën e Re dhe disa pjesë nga Dhiata e Vjetër, të cilat i kishte përkthyer vetë. Po ashtu, iu kushtua pasionit tjetër që kishte​—mësimdhënies. Si mësues që mendonte thellë, ai ripunoi Udhëzime për fëmijët, një libër për të rinjtë me mësime morale dhe me njohuri bazë për leximin e gjuhës frënge, bazuar tërësisht në Shkrimet e Shenjta. Ndër pseudonimet që adoptoi ishte Belisem de belimakom, që do të thotë «pa emër, pa origjinë».

Olivetani vdiq në vitin 1538 në fillim të të 30-ave, ndoshta në Romë. Pak njerëz sot janë të vetëdijshëm për rolin kyç që ky studiues i ri nga Pikardija pati në qarkullimin e Biblës në frëngjisht. Emri i tij rrallë del nëpër fjalorë, për të mos thënë fare. Me sa duket kjo do t’i shkonte për shtat ‘përkthyesit të vogël e të përulur’, Lui Roberit, ndryshe Olivetanit.

[Shënimet]

^ par. 5 Për të ditur si u zhytën valdezët në Reformë, shih Kullën e Rojës të 15 marsit 2002, faqet 20-23.

^ par. 7 Kur lindi, e quajtën Lui Rober, pastaj adoptoi emrin Pjer. Pseudonimi Olivetan, që ngjan me fjalën franceze për ullirin, me sa duket i referohet bollëkut të vajit të ullirit që përdorte për llambat kur punonte me orë të gjata.

[Burimi i figurës në faqen 18]

Archives de la Ville de Neuchâtel, Suisse/​Fotografia: Stefano Iori

[Burimet e figurave në faqen 19]

Fotografia majtas: Alain Leprince- La Piscine-musée, Roubaix/​Me mirësjellje nga ish-Muzeu Bushar, Paris

Në qendër dhe djathtas: Société de l’Histoire du Protestantisme Français, Paris

[Burimi i figurës në faqen 20]

Société de l’Histoire du Protestantisme Français, Paris