Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i afrohesh Perëndisë?

Si t’i afrohesh Perëndisë?

Mëso nga Fjala e Perëndisë

Si t’i afrohesh Perëndisë?

Ky artikull ngre pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.

1. A i dëgjon Perëndia të gjitha lutjet?

Jehovai i fton njerëzit e të gjitha kombeve t’i afrohen me anë të lutjes. (Psalmi 65:2) Por ai nuk i dëgjon të gjitha lutjet. Për shembull, kur izraelitët nuk hiqnin dorë nga e keqja, Perëndia nuk ua dëgjonte lutjet. (Isaia 1:15) Gjithashtu, lutjet e një burri që keqtrajton gruan mund të pengohen. (1 Pjetrit 3:7) Megjithatë, edhe nëse njerëzit mëkatojnë rëndë, Perëndia do t’i dëgjojë po të pendohen.​—Lexo 2 Kronikave 33:9-13.

2. Si duhet të lutemi?

Lutja është privilegj dhe pjesë e adhurimit tonë, prandaj duhet t’i lutemi vetëm Jehovait. (Mateu 4:10; 6:9) Meqë jemi të papërsosur dhe askush nuk «vjen [vetë] tek Ati», duhet të lutemi në emër të Jezuit, sepse ai është caktuar si «udha». (Gjoni 14:6) Jehovai nuk do që të themi lutje përmendsh ose t’i lexojmë, por të lutemi nga zemra.​—Lexo Mateun 6:7; Filipianëve 4:6, 7.

Krijuesi ynë dëgjon edhe lutjet që bëhen në heshtje. (1 Samuelit 1:12, 13) Ai na fton t’i lutemi në çdo rast, si për shembull, në fillim e në fund të ditës, gjatë vakteve dhe kur hasim probleme.​—Lexo Psalmin 55:22; Mateun 15:36.

3. Pse të krishterët mblidhen së bashku?

T’i afrohesh Perëndisë nuk është e lehtë, pasi jetojmë mes njerëzve që s’kanë besim te Perëndia e që tallen me premtimin e tij për paqe në tokë. (2 Timoteut 3:1, 4; 2 Pjetrit 3:3, 13) Ja pse kemi nevojë për shoqërinë inkurajuese të bashkëbesimtarëve.​—Lexo Hebrenjve 10:24, 25.

Mund t’i afrohesh Perëndisë nëse miqësohesh me njerëz që e duan atë. Mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait sigurojnë mundësi që të nxjerrim dobi nga besimi i të tjerëve.​—Lexo Romakëve 1:11, 12.

4. Si t’i afrohesh Perëndisë?

Mund t’i afrohesh Jehovait duke menduar thellë për atë që ke mësuar nga Fjala e tij. Bluaji në mendje veprat, udhëzimet dhe premtimet e tij. Kur mendojmë thellë ndërsa lutemi, na rritet mirënjohja nga zemra për dashurinë dhe mençurinë e Perëndisë.​—Lexo Josiun 1:8; Psalmin 1:1-3.

Mund t’i afrohesh Perëndisë vetëm nëse ke besim tek ai. Por besimi është si një gjallesë që duhet mbajtur në jetë. Duhet ta ushqesh vazhdimisht besimin duke rishqyrtuar bazat e bindjeve të tua.​—Lexo 1 Selanikasve 5:21; Hebrenjve 11:1, 6.

5. Ç’dobi do të kesh nëse i afrohesh Perëndisë?

Jehovai kujdeset për ata që e duan. Ai i mbron nga çdo gjë që ua vë në rrezik besimin dhe shpresën e jetës së përhershme. (Psalmi 91:1, 2, 7-10) Na paralajmëron për mënyrën e jetesës që kërcënon shëndetin dhe lumturinë tonë. Jehovai na mëson mënyrën më të mirë të jetesës.​—Lexo Psalmin 73:27, 28; Jakovin 4:4, 8.

Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 17, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.