Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ajo mbrojti popullin e Perëndisë

Ajo mbrojti popullin e Perëndisë

Imitoni besimin e tyre

Ajo mbrojti popullin e Perëndisë

ESTERA përpiqej të qetësonte zemrën teksa i afrohej oborrit të pallatit në Shushan. Nuk e kishte të lehtë. Çdo gjë e kështjellës​—skulpturat shumëngjyrëshe në reliev të demave me krahë, të harkëtarëve e luanëve të bëra me tulla të lustruara, kolonat prej guri me hulli dhe statujat hijerënda, si edhe vendndodhja e kështjellës në majë të platformave gjigante pranë maleve Zagros mbuluar me dëborë, nga ku dukeshin ujërat e pastra të lumit Koaspes​—ishte projektuar që t’i kujtonte çdo vizitori fuqinë tejet të madhe të atij që Estera po shkonte të takonte, njeriut që e quante veten «mbreti i madh». Atë e kishte edhe burrë.

Burrë?! Sa ndryshe ishte Asueri nga bashkëshorti që do të donte çdo vajzë besnike judeje! * Ai nuk ndiqte shembuj si ai i Abrahamit, i cili me përulësi pranoi drejtimin e Perëndisë që të dëgjonte Sarën, gruan e vet. (Zanafilla 21:12) Mbreti dinte pak ose aspak për Perëndinë e Esterës, Jehovain, ose për Ligjin e Tij. Por Asueri njihte ligjin pers, përfshirë një ligj që ndalonte pikërisht atë veprim që do të bënte pas pak Estera. Ç’thoshte ai? Po ja, ligji thoshte se kushdo që dilte para monarkut pers, pa qenë i thirrur nga ai, dënohej me vdekje. Esterën nuk e kishin thirrur e, prapëseprapë, po ikte te mbreti. Ndërsa afrohej në oborrin e brendshëm, ku do të dukej që nga froni i mbretit, mund të jetë ndier sikur po shkonte drejt vdekjes.​—Estera 4:11; 5:1.

Pse rrezikoi kaq shumë? Ç’mund të mësojmë nga besimi i kësaj gruaje të jashtëzakonshme? Së pari, le të shohim si u gjend Estera në pozitën e pazakontë si mbretëreshë e Persisë.

Ishte «e bukur»

Estera ishte jetime. Dimë shumë pak për prindërit që i vunë emrin Hadasa, fjalë hebraike që do të thotë «mërsinë», një shkurre e këndshme me lule të bardha. Kur Esterës i vdiqën prindërit, një nga të afërmit, njeri dashamirës i quajtur Mordekai, pati mëshirë për fëmijën. E kishte kushëri, por shumë më të madh se ajo në moshë. Mordekai e mori Esterën në shtëpi dhe e trajtoi si bijën e vet.​—Estera 2:5-7, 15.

Mordekai dhe Estera jetonin si të mërguar judenj në atë kryeqytet pers, ku me sa duket përballeshin me njëfarë përbuzjeje për fenë e tyre dhe për Ligjin që përpiqeshin ta zbatonin. Por Estera me siguri u lidh më shumë me kushëririn ndërsa ai e mësonte për Jehovain, për Perëndinë e mëshirshëm që kishte shpëtuar popullin e Tij mjaft herë nga telashet në të kaluarën. Këtë gjë Perëndia do ta bënte përsëri. (Levitiku 26:44, 45) Qartë, mes Esterës e Mordekait u zhvillua një lidhje e dashur dhe besnike.

Me sa duket Mordekai punonte si një lloj zyrtari në kështjellën e Shushanit, ku ulej rregullisht brenda portës së saj me shërbëtorë të tjerë të mbretit. (Estera 2:19, 21; 3:3) Nuk e dimë me siguri si e kalonte kohën Estera ndërsa rritej, edhe pse mund ta themi pa frikë se kujdesej mirë për kushëririn më të madh dhe për shtëpinë, e cila ka të ngjarë të ndodhej në një lagje të thjeshtë matanë lumit, që i ndante nga kështjella mbretërore. Mbase kënaqej duke shkuar në pazarin e Shushanit, ku arpunuesit, argjendarët dhe tregtarë të tjerë ekspozonin mallrat e tyre. Estera nuk e imagjinonte se lukse të tilla më vonë do të bëheshin të zakonshme për të. As e kishte idenë ç’e ardhme e priste.

Zëvendësohet një mbretëreshë

Një ditë, Shushani gumëzhinte nga thashethemet për rrëmujën në shtëpinë e mbretit. Në një gosti madhështore ku Asueri po kënaqte fisnikët e tij me ushqim e verë të kushtueshme, mbreti vendosi të thërriste mbretëreshën e tij të bukur, Vashtin, e cila po festonte veçmas me gratë. Por Vashti nuk pranoi të shkonte. I poshtëruar dhe i zemëruar, mbreti pyeti këshilltarët si duhej ndëshkuar. Rezultati? U zëvendësua si mbretëreshë. Shërbëtorët e mbretit nisën të kërkonin nëpër gjithë vendin për virgjëresha të reja e të bukura nga të cilat mbreti do të zgjidhte një mbretëreshë tjetër.​—Estera 1:1–2:4.

Mund ta imagjinojmë Mordekain tek shihte herë pas here gjithë ëndje e krenari Esterën, e në të njëjtën kohë i shqetësuar që kushërira e vogël ishte rritur e ishte bërë kaq e bukur. Për të lexojmë: «Vajza kishte trup të hijshëm dhe ishte e bukur.» (Estera 2:7) Bukuria fizike është e këndshme, por duhet të shoqërohet me mençuri e përulësi. Përndryshe mund të sjellë kryelartësinë, krenarinë dhe cilësi të tjera të shëmtuara. (Proverbat 11:22) A e ke parë ndonjëherë këtë? Po në rastin e Esterës, si do të ndikonte bukuria, për mirë apo për keq? Koha do ta tregonte.

Shërbëtorët e mbretit e vunë re Esterën, e morën dhe e çuan larg Mordekait, në pallatin madhështor përtej lumit. (Estera 2:8) Duhet të ketë qenë ndarje e vështirë, pasi ishin si babë e bijë. Mordekai nuk do të donte që bija e tij e adoptuar të martohej me një jobesimtar, ndonëse mbret, por ngjarjet s’i kishte nën kontroll. Kushedi me sa zjarr duhet t’i ketë dëgjuar Estera këshillat e Mordekait para se ta merrnin! Ndërsa e çonin në kështjellën e Shushanit, koka i ziente nga mendimet. Si për shembull, ç’jetë e priste tani?

Fitoi pëlqimin «e kujtdo që e shihte»

Estera e gjeti veten në një botë krejt të re e të huaj. Ishte mes ‘shumë vajzave’ që i kishin mbledhur nga të katra anët e Perandorisë Perse. Duhet të kishin zakone, gjuhë dhe qëndrime mjaft të larmishme. Nën mbikëqyrjen e një zyrtari që quhej Hegai, vajzat do të bënin një trajtim estetik për një vit, që përfshinte masazhe me vajra aromatikë. (Estera 2:8, 12) Një mjedis dhe mënyrë jetese e tillë, fare lehtë mund të ketë nxitur tek ato vajza fiksimin pas pamjes, si edhe kryelartësinë e konkurrencën. Si ndikoi kjo tek Estera?

Askush në tokë nuk ishte më i shqetësuar për Esterën, sa Mordekai. Lexojmë se ditë për ditë ai i afrohej sa të mundej shtëpisë së grave dhe përpiqej të merrte vesh si ishte Estera. (Estera 2:11) Teksa copëzat e informacionit i merrte me pikatore, mbase me anë të shërbëtorëve të shtëpisë që bashkëpunonin, zemra duhej t’i bëhej mal nga krenaria atërore. Pse?

Kaq përshtypje i bëri Estera Hegait, saqë e trajtoi me dashamirësi të madhe duke i dhënë shtatë vajza si shërbëtore dhe vendin më të mirë në shtëpinë e grave. Madje tregimi thotë: «Ndërkohë Estera fitonte vazhdimisht pëlqimin e kujtdo që e shihte.» (Estera 2:9, 15) Mos ndoshta vetëm bukuria u bëri kaq përshtypje të gjithëve? Jo, Estera kishte shumë më tepër se kaq.

Për shembull, lexojmë: «Estera nuk tregoi për popullin dhe për të afërmit e saj, sepse Mordekai e kishte urdhëruar të mos tregonte.» (Estera 2:10) Mordekai e kishte udhëzuar vajzën të ishte e matur për prejardhjen e saj judeje, pasi ai me siguri e kishte parë sa paragjykime kishte në oborrin mbretëror për popullin e tij. Ç’kënaqësi ishte të merrte vesh se tani, ndonëse larg tij, Estera ende tregonte të njëjtën frymë bindjeje e mençurie.

Edhe të rinjtë sot mund t’ua gëzojnë zemrën prindërve dhe atyre që kujdesen për ta. Kur janë larg prindërve, madje kur rrethohen nga njerëz të cekët, imoralë ose të degjeneruar, mund t’u rezistojnë ndikimeve të këqija e t’u përmbahen normave që e dinë se janë të drejta. Kur veprojnë kështu, ia gëzojnë zemrën Atit të tyre qiellor, siç bëri Estera.​—Proverbat 27:11.

Kur erdhi koha që Estera të paraqitej te mbreti, iu dha liria të zgjidhte ç’do gjë që mendonte se i nevojitej, ndoshta që të zbukurohej edhe më tepër. Por, sipas këshillës së Hegait, me modesti s’kërkoi më shumë nga ç’iu ofrua. (Estera 2:15) Ndoshta e kuptoi se vetëm bukuria nuk do t’ia fitonte zemrën mbretit dhe se një frymë modeste dhe e përulur do të ishte diçka me vlerë shumë më të rrallë në atë oborr. A kishte të drejtë?

Tregimi përgjigjet: «Mbreti e deshi Esterën më shumë se të gjitha gratë e tjera. Ajo fitoi pëlqimin dhe dashamirësinë e tij më shumë se të gjitha virgjëreshat e tjera. Ai i vuri në kokë vellon mbretërore dhe e bëri mbretëreshë në vend të Vashtit.» (Estera 2:17) Duhet të ketë qenë e vështirë për këtë vajzë të thjeshtë judeje që të përshtatej me ndryshimin​—u bë mbretëresha e re, gruaja e monarkut më të fuqishëm të tokës në atë kohë! A i hyri vetja në qejf nga kjo pozitë duke u mbushur me krenari?

As që bëhet fjalë. Estera mbeti e bindur ndaj babait adoptues, Mordekait. E mbajti sekret lidhjen me popullin jude. Për më tepër, kur Mordekai zbuloi një komplot për të vrarë Asuerin, Estera pa ngurruar ia bëri të ditur paralajmërimin e tij mbretit, dhe komplotistët dështuan. (Estera 2:20-23) Ajo ende tregonte besim te Perëndia duke shfaqur frymë të përulur e të bindur. Sot bindja rrallë vlerësohet si virtyt; mosbindja e rebelimi janë të zakonshme. Gjithsesi njerëzit me besim të sinqertë e çmojnë bindjen, siç bëri Estera.

Besimi i Esterës sprovohet

Një njeri i quajtur Haman u ngrit në detyrë në oborrin e Asuerit. Mbreti e emëroi kryeministër duke e bërë Hamanin këshilltarin e tij kryesor dhe të dytin për nga autoriteti në perandori. Madje mbreti dekretoi se, kushdo që e shihte këtë zyrtar, duhej të përkulej para tij. (Estera 3:1-4) Për Mordekain ky ligj përbënte një problem. Ai ishte dakord që t’i bindej mbretit, por jo në kurriz të respektit ndaj Perëndisë. Hamani ishte ‘agatit’. Kjo me sa duket do të thoshte se ishte pasardhës i Agagut, mbretit amalekit të ekzekutuar nga profeti i Perëndisë, Samueli. (1 Samuelit 15:33) Kaq të ligj ishin amalekitët, sa ishin bërë armiq të Jehovait dhe të Izraelit. Amalekitët ishin një popull i dënuar nga Perëndia. * (Ligji i përtërirë 25:19) E si mund të përkulej një jude besnik para një amalekiti të oborrit mbretëror?! Mordekai nuk e bënte dot këtë. Qëndroi i patundur. Deri sot e kësaj dite, burra e gra me besim kanë rrezikuar jetën që t’i përmbahen këtij parimi: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.»​—Veprat 5:29.

Hamani u xhindos. Ai nuk donte vetëm ekzekutimin e Mordekait, por edhe shfarosjen e gjithë popullit të Mordekait. Hamani i foli mbretit duke bërë një përshkrim të errët për judenjtë. Pa i përmendur, nënkuptoi se ishin të papërfillshëm, një komb «i shpërndarë e i veçuar nga popujt». Më keq akoma, tha se nuk u bindeshin ligjeve të mbretit, prandaj ishin rebelë të rrezikshëm. Ai propozoi t’i dhuronte thesarit të mbretit një shumë të majme parash që të mbulonte shpenzimet e asgjësimit të të gjithë judenjve në perandori. * Asueri i dha Hamanit unazën e vet me nënshkrim që të vuloste çfarëdo urdhri që kishte në mendje.​—Estera 3:5-10.

Shpejt lajmëtarët po rendnin me galop në çdo cep të perandorisë së paanë, duke shpërndarë dënimin me vdekje për popullin jude. Përfytyro si ndikoi kjo shpallje kur arriti në Jerusalemin e largët, ku një mbetje judenjsh, që ishin kthyer nga mërgimi babilonas, po përpiqeshin fort të rindërtonin një qytet që ende nuk kishte mure mbrojtëse. Ndoshta Mordekai mendoi për ta, si edhe për miqtë e të afërmit e tij në Shushan, kur dëgjoi lajmin e tmerrshëm. I dëshpëruar, shqeu rrobat, u vesh me copë thesi dhe leu kokën me hi, pastaj lëshoi një klithmë të fortë në mes të qytetit. Ndërsa Hamani, u ul të pinte me mbretin, i pandjeshëm ndaj hidhërimit që u kishte shkaktuar shumë judenjve e miqve të tyre në Shushan.​—Estera 3:12–4:1.

Mordekai e dinte se duhej të vepronte. Por ç’mund të bënte? Estera mori vesh për dëshpërimin e tij dhe i dërgoi rroba, kurse ai nuk pranoi të ngushëllohej. Ndoshta kishte kohë që pyeste veten pse Perëndia i tij, Jehovai, kishte lejuar t’ia merrnin Esterën e shtrenjtë e ta bënin mbretëreshën e një sundimtari pagan. Tani dukej se arsyeja po dilte në pah. Mordekai i dërgoi një mesazh mbretëreshës, duke iu përgjëruar Esterës të ndërhynte te mbreti, që të mbronte «popullin e saj».​—Estera 4:4-8.

Estera duhet të jetë ndier shumë në ankth kur dëgjoi mesazhin. Ja ku gjendej përballë provës më të madhe të besimit. Kishte frikë, siç iu përgjigj hapur Mordekait. Ajo i kujtoi ligjin e mbretit. Të dilje para mbretit pa qenë thirrur, do të thoshte dënim me vdekje. Vetëm nëse mbreti shtrinte skeptrin prej ari, i kursehej jeta shkelësit. Dhe, a kishte ndonjë arsye Estera të pretendonte që ai t’ia kursente jetën, sidomos pas asaj që i ndodhi Vashtit kur nuk pranoi të shkonte megjithëse e thirrën? Ajo i tha Mordekait se mbreti nuk e kishte ftuar ta takonte që prej 30 ditësh. Meqë nuk e kishte thirrur për një kohë kaq të gjatë, me të drejtë dyshonte nëse mbreti e shihte ende me pëlqim. *​—Estera 4:9-11.

Mordekai u përgjigj me vendosmëri, që të forconte besimin e Esterës. Ai e siguroi se, po të mos vepronte, shpëtimi i judenjve do të vinte nga ndonjë burim tjetër. E si mund të priste t’i kursehej jeta asaj kur përndjekja të merrte hov? Për këtë Mordekai tregoi besim të thellë te Jehovai, i cili nuk do të lejonte kurrë që populli i tij të shfarosej dhe premtimet e tij të mos përmbusheshin. (Josiu 23:14) Më pas Mordekai i tha Esterës: «Kushedi, mbase për një kohë të tillë arrite në këtë pozitë mbretërore.» (Estera 4:12-14) Ai besonte plotësisht te Perëndia i tij, Jehovai. Po ne?​—Proverbat 3:5, 6.

Besim më i fortë se frika nga vdekja

Esterës i erdhi çasti vendimtar. Ajo i kërkoi Mordekait të mblidhte judenjtë e të agjëronin me të për tri ditë, duke e përfunduar mesazhin me një pohim që ka bërë jehonë gjatë shekujve për besimin dhe guximin e qartë që përmban: «Nëse duhet të vdes, le të vdes.» (Estera 4:15-17) Gjatë atyre tri ditëve, ajo duhet të jetë lutur më me zjarr se kurrë më parë. Por, më në fund erdhi koha. Ajo u vesh me stolitë më të mira mbretërore dhe bëri gjithçka mundej që të ishte tërheqëse para mbretit. Pastaj u nis.

Siç përshkruhet në hyrje të këtij artikulli, Estera mori rrugën për në oborrin e mbretit. Vetëm mund t’i përfytyrojmë mendimet plot ankth dhe lutjet e zjarrta që i vërshonin në mendje e në zemër. Ajo hyri në oborr, nga ku mund të shihte Asuerin në fron. Ndoshta u përpoq t’ia lexonte çehren e fytyrës. Nëse iu desh të priste, duhet t’i jetë dukur një përjetësi. Megjithatë, ai çast kaloi kur burri e pa. Me siguri mbreti u habit, por pamja iu zbut. Ai shtriu skeptrin e artë.​—Estera 5:1, 2.

Falë përpjekjeve, Esterës iu kushtua vëmendje. Ajo mori anën e Perëndisë e të popullit të saj, duke lënë një shembull të bukur besimi për gjithë shërbëtorët e Perëndisë përgjatë kohëve. Por puna e saj vetëm sa kishte filluar. Si do ta bindte mbretin se këshilltari i tij i preferuar, Hamani, ishte një komplotist i lig? Si do ta shpëtonte popullin e saj? Këto pyetje do t’i shqyrtojmë në një artikull tjetër.

[Shënimet]

^ par. 4 Asueri mendohet gjerësisht të jetë Kserksi I, i cili sundoi Perandorinë Perse në fillim të shekullit të pestë p.e.s.

^ par. 24 Hamani mund të ketë qenë ndër amalekitët e fundit fare, pasi ‘mbetja’ e tyre u shkatërrua kur mbret ishte Hezekia.​—1 Kronikave 4:43.

^ par. 25 Hamani ofroi 10.000 talenta argjendi, me vlerë qindra milionë dollarë sot. Nëse Asueri ishte Kserksi I, paratë mund ta kenë bërë ofertën e Hamanit më tërheqëse. Kserksi humbi një mal me para në luftën e tij shkatërrimtare kundër grekëve, ka të ngjarë para se të martohej me Esterën.

^ par. 28 Kserksi I njihej për temperamentin e paqëndrueshëm e të dhunshëm. Historiani grek, Herodoti, dokumentoi disa shembuj të sjelljes së tij nga lufta me Greqinë. Mbreti urdhëroi që të ndërtohej një urë lundruese me anije në ngushticën e Helespontit. Kur një stuhi shkatërroi urën, Kserksi urdhëroi që t’u pritej koka inxhinierëve e madje bëri që burrat e tij ta «ndëshkonin» Helespontin duke rrahur ujin me kamxhik ndërsa lexohej me zë të lartë një shpallje sharëse. Në të njëjtën fushatë, kur një i pasur u lut që të birin të mos ia merrnin në ushtri, Kserksi bëri që djalin ta pritnin më dysh dhe trupin e tij ta tregonin si paralajmërim.

[Figura në faqen 19]

Mordekai kishte goxha arsye që të ishte krenar për vajzën e tij të adoptuar

[Figura në faqen 20]

Estera e dinte se përulësia dhe mençuria ishin shumë më të rëndësishme se pamja fizike

[Figura në faqet 22, 23]

Estera rrezikoi jetën që të mbronte popullin e Perëndisë