Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësoji fëmijët

Kur duhet të rrimë zgjuar?

Kur duhet të rrimë zgjuar?

NDOSHTA je dakord se të rrish zgjuar në shkollë është e rëndësishme. Shumë veta nis t’i zërë gjumi kur janë në mësim, por duhet të rrish zgjuar që të mësosh. Mbase shkon edhe në mbledhje ku studion Biblën.

Çfarë mendon se do të të ndihmonte të rrije zgjuar? . . .  * Një mundësi është të shkosh në krevat herët. Ndoshta një dremitje në drekë do të të ndihmonte. Le të shikojmë çfarë mund të mësojmë nga ajo që i ndodhi një të riu. Atë e zuri gjumi një mbrëmje vonë teksa apostulli Pavël mbante një fjalim. Lexo në Bibël te Veprat kapitulli 20, vargjet 7 deri në 12 dhe shiko çfarë ndodhi.

Pavli po vizitonte kongregacionin e qytetit-port të Troadës. Bibla thotë se Pavli «të nesërmen do të nisej» me anije, prandaj «foli deri në mesnatë». Tregimi vazhdon: «Një djalë i ri që quhej Eutik, ishte ulur në dritare. Teksa Pavli fliste gjerë e gjatë, ai ra në gjumë të thellë.» Çfarë ndodhi më pas? . . .

Eutiku ‘ra nga dritarja e katit të tretë’. Pavli dhe të tjerë vrapuan poshtë me sa u hanin këmbët. Eutiku gjendej përdhe i vdekur. A e merr dot me mend sa keq u vinte? . . . Bibla thotë se Pavli e mori Eutikun në krahë dhe e përqafoi. S’kaloi shumë dhe Pavli tha i gëzuar që të mos shqetësoheshin, pasi ishte shëndoshë e mirë. Perëndia e solli sërish në jetë Eutikun.

Çfarë mësojmë për Perëndinë nga ajo që i ndodhi Eutikut? . . . Një mësim është se Jehovai, Ati ynë qiellor, mund t’i sjellë sërish në jetë të vdekurit, përfshirë edhe të rinjtë. Jehovai të kupton dhe të do, madje më shumë se prindërit. Gjatë kohës që ishte në tokë, Jezui tregoi si është Ati kur i mori të vegjlit në krahë dhe i bekoi. Ai ringjalli edhe të rinj në moshë, si për shembull, një 12-vjeçare.

Si ndihesh ngaqë e di se Ati yt qiellor të do? . . . Po, kjo na bën që ta duam edhe ne Jehovain dhe t’i bindemi me dëshirë asaj që thotë. Si mund ta tregojmë dashurinë për Perëndinë? . . . Një mënyrë është të themi se e duam. Jezui tha: «Unë e dua Atin.» Por Jezui nuk e shprehu vetëm me fjalë dashurinë për Perëndinë. Ai e tregoi edhe me atë që bëri.

Jezui iu bind Perëndisë. Ai tha: «Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij.» Nëse edhe ne bëjmë njësoj, që t’i pëlqejmë Jehovait dhe Birit të tij, Jezuit, do të bëjmë më të mirën që të rrimë zgjuar kur duhet.

^ par. 4 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.