Kur u shkatërrua Jerusalemi i lashtë?—Pjesa e dytë
Kur u shkatërrua Jerusalemi i lashtë?—Pjesa e dytë
Ç’tregojnë vërtet dokumentet prej argjile?
Ky është i dyti nga dy artikujt e numrave të njëpasnjëshëm të Kullës së Rojës që trajtojnë pyetje akademike për datën e shkatërrimit të Jerusalemit të lashtë. Kjo seri me dy pjesë paraqet përgjigje të nxjerra nga kërkime të kujdesshme e të bazuara në Bibël të pyetjeve që i kanë pështjelluar disa lexues.
Në pjesën e parë u vërtetuan pikat e mëposhtme:
▪ Historianët jobiblikë thonë se Jerusalemi u shkatërrua në vitin 587 p.e.s. *
▪ Kronologjia biblike tregon se shkatërrimi ndodhi në vitin 607 p.e.s.
▪ Historianët jobiblikë i bazojnë përfundimet në shkrimet e historianëve të lashtë dhe në kanonin e Ptolemeut.
▪ Disa shkrime të historianëve të lashtë kanë gabime të mëdha dhe nuk përputhen gjithmonë me dokumentimet e pllakave prej argjile. *
BIBLA thotë se robërit judenj duhej të mërgonin në Babiloni «derisa . . . të mbusheshin shtatëdhjetë vjet. . . . që të përmbushej fjala e Jehovait që kishte dalë nga goja e Jeremisë». Kur u liruan ata? Në «vitin e parë [të mbretërimit] të Kirit si mbret i Persisë». (2 Kronikave 36:21, 22) Historia biblike dhe jobiblike janë dakord se ky mërgim në Babiloni përfundoi pasi Kiri pushtoi Babiloninë dhe liroi judenjtë, të cilët u rikthyen në Jerusalem në vitin 537 p.e.s. Meqë Bibla e thotë qartë se mërgimi zgjati 70 vjet, ai duhet të ketë filluar në vitin 607 p.e.s.
Megjithatë, shumë studiues thonë se Jerusalemi u shkatërrua në vitin 587 p.e.s. Kjo nënkupton se mërgimi zgjati vetëm 50 vjet. Pse arrijnë në këtë përfundim? I bazojnë llogaritjet te dokumentet e lashta kuneiforme që sigurojnë hollësi për Nabukodonosorin II dhe për pasuesit e tij.1 Mjaft prej këtyre dokumenteve u shkruan nga burra që jetuan gjatë ose afër kohës së shkatërrimit të Jerusalemit. Por, sa të sakta janë llogaritjet që çojnë në vitin 587 p.e.s.? Çfarë tregojnë vërtet këto dokumente?
Për të gjetur përgjigjet e këtyre pyetjeve, shqyrtoni tri lloje dokumentesh ku bazohen shpesh studiuesit: (1) Kronikat Babilonase, (2) pllakat e fushës së ekonomisë dhe (3) pllakat astronomike.
● Kronikat Babilonase.
Çfarë janë? Kronikat Babilonase janë një seri pllakash që dokumentojnë ngjarje të rëndësishme të historisë së Babilonisë.2
Çfarë thonë ekspertët? Ronald H. Saku, studiues i shquar i dokumenteve kuneiforme, thotë se Kronikat sigurojnë një dokumentim të cunguar të ngjarjeve të rëndësishme. * Ai shkroi se historianët duhet të hulumtojnë «burime dytësore . . . me shpresën që të përcaktojnë se ç’ka ndodhur në të vërtetë».
Çfarë tregojnë dokumentet? Ka shumë boshllëqe në historinë e dokumentuar te Kronikat Babilonase.3 (Shih kutinë më poshtë.) Atëherë, logjikisht ngrihet pyetja: sa të besueshme janë përfundimet e bazuara në këtë dokumentim të cunguar?
● Pllakat e fushës së ekonomisë.
Çfarë janë? Shumë pllaka të fushës së ekonomisë të periudhës neobabilonase janë fatura që i kërkonte ligji. Ato datojnë në ditën, muajin dhe vitin e mbretit që sundonte. Për shembull, në një pllakë tregohet se u bë një veprim tregtar më «27 nisan, vitin e 11-të të Nabukodrezarit [i njohur edhe si Nabukodonosori II], mbretit të Babilonisë».4
Kur mbreti vdiste ose hiqej nga froni dhe pasohej nga një mbret tjetër, muajt që mbeteshin nga ai vit mbretërimi konsideroheshin si viti i hipjes në fron i sundimtarit të ri. *5 Me fjalë të tjera, kalimi nga një mbret te tjetri ndodhte në të njëjtin vit kalendarik babilonas. Si rrjedhojë, pllakat e vitit të hipjes në fron të sundimtarit të ri logjikisht duhet të datojnë në muajt që pasojnë muajin e fundit të mbretit të mëparshëm.
Çfarë thonë ekspertët? Ronald H. Saku shqyrtoi shumë pllaka të fushës së ekonomisë të periudhës neobabilonase. Në vitin 1972,
ai shkroi se tekste të reja e të papublikuara të Muzeut Britanik, që i ishin vënë në dispozicion, «hedhin krejtësisht poshtë» përfundimet e mëparshme për kalimin nga Nabukodonosori II tek i biri Amel-Marduku (i njohur edhe si Evil-Merodaku).6 Si ka mundësi? Saku e dinte që pllakat tregonin se Nabukodonosori II sundonte ende muajin e gjashtë të vitit të tij të fundit (viti i 43-të). Por këto pllaka të sapodeshifruara të vitit kur hipi në fron mbreti pasues, Amel-Marduku, datonin muajin e katërt dhe të pestë të atij që mendohej si i njëjti vit.7 Është e qartë se kishte një mospërputhje.Çfarë tregojnë dokumentet? Ka edhe mospërputhje të tjera që lidhen me kalimin nga njëri mbret te tjetri. Për shembull, një dokument tregon se Nabukodonosori II sundonte ende muajin e tij të dhjetë, gjashtë muaj pasi mendohet të ketë filluar mbretërimin pasuesi i tij.8 Një mospërputhje e ngjashme ekziston mes kalimit nga Amel-Marduku te pasuesi i tij, Neriglisari.9
Pse janë të rëndësishme këto mospërputhje? Siç u përmend më sipër, boshllëqet në historinë e dokumentuar nga Kronikat Babilonase nënkuptojnë se mund të mos kemi një dokumentim kronologjik pa ndërprerje.10 A mund të kenë sunduar të tjerë ndërmjet këtyre mbretërve? Nëse po, periudhës neobabilonase duhet t’i shtohen vite të tjera. Prandaj, as Kronikat Babilonase, as pllakat e fushës së ekonomisë nuk janë një bazë për të përcaktuar me siguri se Jerusalemi u shkatërrua në vitin 587 p.e.s. *
● Pllakat astronomike.
Çfarë janë? Janë pllaka kuneiforme ku përshkruhen pozicione të Diellit, të Hënës, të planetëve dhe të yjeve, si edhe kanë informacion historik për gjëra të tilla, si viti i mbretërimit të një mbreti. Për shembull, ditari astronomik që tregohet më poshtë përmban një eklips hënor që ndodhi muajin e parë të vitit të parë të mbretit Mukin-Zeri.11
Çfarë thonë ekspertët? Ekspertët bien dakord se babilonasit kishin krijuar tabela e skema të hollësishme që të parashikonin kohën kur kishte më tepër të ngjarë të ndodhnin eklipset.12
Por, a mund të bënin të kundërtën, të llogaritnin eklipset që kishin ndodhur në të kaluarën? Profesor Xhon Stilli thotë se «ka mundësi që, kur u përpilua teksti, disa nga parashikimet më të hershme të jenë bërë duke e projektuar
skemën për të kaluarën». (Kursivi është yni.)13 Profesor Deivid Brauni, i cili beson se tabelat astronomike përfshinin parashikime të bëra pak para ngjarjeve të dokumentuara, e pranon se mendohet që disa nga këto ishin «llogaritje për të kaluarën që i bënë skribët në shekullin e 4-t dhe në shekujt pasues para Krishtit».14 Nëse këto janë llogaritje për të kaluarën, a mund të konsiderohen absolutisht të besueshme po të mos mbështeten nga prova të tjera?Edhe sikur një eklips të ketë ndodhur në një datë të caktuar, a do të thotë kjo se është i saktë informacioni historik që shkrimtari i pllakës e lidh me atë datë? Jo medoemos. Studiuesi Robart J. van der Speku shpjegon: «Përpiluesit ishin astrologë, jo historianë.» Ai i përshkruan disa pjesë të pllakave me dokumentime historike si «pak a shumë të rastësishme», dhe paralajmëron se ky informacion historik duhet «përdorur me kujdes».15
Çfarë tregojnë dokumentet? Le të shqyrtojmë pllakën VAT 4956. Rreshti i parë i kësaj pllake thotë: «Viti i 37-të i Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë.»16 Më pas, ajo përmban përshkrime të hollësishme të pozicionit të Hënës e të planetëve në raport me yje e yjësi të ndryshme. Përmend edhe një eklips hënor. Studiuesit thonë se të gjitha këto pozicione u ndodhën në vitin 568/567 p.e.s., dhe kjo bën që viti i 18-të i Nabukodonosorit II, kur shkatërroi Jerusalemin, të jetë viti 587 p.e.s. Por, a të çojnë patjetër këto të dhëna astronomike vetëm te viti 568/567 p.e.s.?
Pllaka përmend një eklips hënor që sipas llogaritjeve kishte ndodhur ditën e 15-të të muajit të tretë babilonas, simanu. Është fakt se një eklips hënor ndodhi në këtë muaj babilonas që korrespondon me 4 korrikun (sipas kalendarit julian) e vitit 568 p.e.s. Megjithatë, ka pasur edhe një eklips 20 vjet më parë, më 15 korrik të vitit 588 p.e.s.17
Nëse viti 588 p.e.s. shënonte vitin e 37-të të Nabukodonosorit II, atëherë viti i tij i 18-të i bie të ketë qenë viti 607 p.e.s., pikërisht viti i shkatërrimit të Jerusalemit sipas kronologjisë biblike. (Shih tabelën kronologjike më poshtë.) Por, a siguron pllaka VAT 4956 dëshmi të tjera që mbështetin vitin 607 p.e.s.?
Përveç eklipsit të lartpërmendur, pllaka ka 13 vëzhgime për Hënën dhe 15 për planetët. Këto vëzhgime përshkruajnë pozicionin e Hënës dhe të planetëve në raport me yje e yjësi të caktuara.18 Gjithashtu, ka tetë intervale midis lindjeve dhe perëndimeve të diellit e të hënës.18a
Ngaqë pozicionet e Hënës janë më të besueshme, studiuesit i kanë analizuar me kujdes këto 13 pozicione të saj në pllakën VAT 4956. Ata analizuan të dhënat me anë të një
programi kompjuterik që tregon vendndodhjen e trupave qiellorë në një datë të caktuar të së kaluarës.19 Çfarë zbuloi analiza e tyre? Ndërkohë që jo të gjitha këto pozicione të Hënës përputhen me vitin 568/567 p.e.s., që të 13-ta pozicionet përputhen me pozicionet e llogaritura për 20 vjet më parë, pra me vitin 588/587 p.e.s.Një nga vendet ku vëzhgimet e Hënës përputhen më shumë me vitin 588 p.e.s., se me vitin 568 p.e.s. tregohet në pllakën e riprodhuar në këto faqe. Në rreshtin e tretë të kësaj pllake lexojmë se Hëna kishte një pozicion të caktuar «natën e 9-të [të nisanut]». Megjithatë, studiuesit të cilët në fillim e datuan ngjarjen më 568 p.e.s., (viti -567 astronomik) e pranuan se në atë vit Hëna ndodhej në atë pozicion «më 8 dhe jo më 9 nisanu». Që të mbështetnin datimin e pllakës në vitin 568 p.e.s., ata supozonin se skribi kishte shkruar gabimisht «9» në vend se «8».20 Por pozicioni i Hënës sipas rreshtit 3 përputhet saktësisht me 9 nisanun e vitit 588 p.e.s.21
Qartë, shumë të dhëna në pllakën VAT 4956 përkojnë me vitin 588 p.e.s. si viti i 37-të i Nabukodonosorit II. Prandaj, kjo mbështet vitin 607 p.e.s. si vitin e shkatërrimit të Jerusalemit, pikërisht siç tregon Bibla.
Pse t’i besojmë Biblës?
Sot shumica e historianëve jobiblikë mendojnë se Jerusalemi u shkatërrua në vitin 587 p.e.s. Gjithsesi, shkrimtarët biblikë, Jeremia dhe Danieli, thonë qartë se judenjtë mërguan për 70 vjet, jo për 50. (Jeremia 25:1, 2, 11; 29:10; Danieli 9:2) Pohimet e tyre janë prova të forta se Jerusalemi u shkatërrua në vitin 607 p.e.s. Siç e tregojnë dëshmitë e mësipërme, ky përfundim mbështetet nga disa burime jobiblike.
Ekspertët jobiblikë kanë dyshuar vazhdimisht në saktësinë biblike. Por, çdo herë që janë zbuluar dëshmi të reja, edhe dokumentimi biblik është shfajësuar. * Ata që i besojnë Biblës kanë arsye të fortë për këtë, pasi bazohen te provat që tregojnë se Bibla është e saktë nga ana historike, shkencore dhe profetike. Falë këtyre provave i besojnë pohimit të Biblës se është Fjala e frymëzuar e Perëndisë. (2 Timoteut 3:16) Pse të mos i shqyrtoni vetë dëshmitë? Fare mirë mund të arrini në të njëjtin përfundim.
[Shënimet]
^ par. 5 Ka mënyra të ndryshme për të treguar datat. Në këtë artikull, p.e.s. do të thotë «para erës sonë».
^ par. 8 Shih artikullin «Kur u shkatërrua Jerusalemi i lashtë?—Pse ka rëndësi? Çfarë tregojnë dëshmitë?» në numrin e 1 tetorit 2011 të kësaj reviste.
^ par. 14 Vini re: Asnjë nga ekspertët jobiblikë të përmendur në këtë artikull nuk mendojnë se Jerusalemi u shkatërrua në vitin 607 p.e.s.
^ par. 18 Viti i hipjes në fron nuk llogaritej si pjesë e viteve të sundimit të mbretit. Ai u referohej muajve që mbeteshin derisa mbreti i ri të kurorëzohej zyrtarisht në fillim të vitit tjetër kalendarik.
^ par. 21 Pllakat e fushës së ekonomisë ekzistojnë për të gjitha vitet që tradicionalisht u atribuohen mbretërve neobabilonas. Kur vitet e sundimit të këtyre mbretërve mblidhen dhe bëhet një llogaritje që nga mbreti i fundit neobabilonas, Nabonidi, del se viti i shkatërrimit të Jerusalemit ishte 587 p.e.s. Gjithsesi, kjo metodë datimi është e saktë vetëm nëse secili mbret e ka pasuar tjetrin në të njëjtin vit, pa sundimtarë të tjerë ndërmjet.
^ par. 36 Për shembuj specifikë, shih kapitujt 4 dhe 5 të librit Bibla—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia dhe tabela në faqen 23]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
KRONIKAT BABILONASE—HISTORI ME BOSHLLËQE
Kronikat babilonase dokumentojnë vetëm 35 vjet të periudhës neobabilonase, e cila në përgjithësi mendohet të përfshijë rreth 88 vjet.
VIT I PADOKUMENTUAR NGA KRONIKAT
VIT I DOKUMENTUAR NGA KRONIKAT
BM 21901
BM 21946
BM 35382
PERIUDHA NEOBABIOLONASE
PERSËT
Nabopolasari
Nabukodonosori II
Amel-Marduku
Nabonidi
Neriglisari
Labashi-Marduku
BM 25127
BM 22047
BM 25124
[Burimet]
BM 21901 dhe BM 35382: fotografia, me mirësjellje nga Muzeu Britanik; BM 21946: Copyright British Museum; BM 22047, 25124, 25127: © The Trustees of the British Museum
[Kutia dhe figura në faqen 24]
Ditari Astronomik BM 32238
Kjo pllakë përmban një dokumentim të eklipseve të Hënës, por ajo nuk u përpilua deri në eklipsin e fundit që ndodhi rreth 400 vjet pas të parit. Meqë skribi nuk i vëzhgoi të gjitha ato, mund të ketë përdorur llogaritje matematikore që të përcaktonte kur ndodhën eklipset më të hershme. Nëse nuk ka dëshmi të tjera që vërtetojnë përfundimet e tij, llogaritje të tilla s’ka si të jenë burim i besueshëm informacioni kronologjik.
[Burimi]
© The Trustees of the British Museum
[Kutia dhe figurat në faqet 26, 27]
ÇFARË THOTË NË TË VËRTETË PLLAKA VAT 4956?
Pse është ngritur si problem? Rreshti i tretë i kësaj pllake thotë se «natën e 9-të» të muajit të parë (nisanu/nisan), «Hëna qëndronte 1 kut përpara Virgjëreshave ß». Por, më 1915-n, Noigebaueri dhe Uidneri shkruan se ‘Hëna qëndronte 1 kut para këtij ylli më 8 nisan, dhe jo më 9 nisan’ në vitin 568 p.e.s. [që do të thotë se Jerusalemi u shkatërrua më 587 p.e.s.] (Kursivi është yni.) Gjithsesi, Hëna ishte saktësisht në këtë pozicion më 9 nisan të vitit 588 p.e.s., dhe kjo të çon në vitin 607 p.e.s.
Duhet të jetë data 9 apo 8?
(1) Siç tregohet në fotografi, duket qartë simboli akadian për numrin 9.
(2) Kur bënë transliterimin e tekstit kuneiform, Noigebaueri dhe Uidneri e ndryshuan numrin «9» në «8».
(3) Vetëm nga shënimi kuptojmë se në tekstin origjinal ishte «9».
(4) Edhe në përkthimin e tyre në gjermanisht ata vunë «8».
(5) Më 1988, Saksi dhe Hangeri botuan tekstin siç është në origjinal, pra me numrin «9».
(6) Megjithatë në përkthimin e tyre në anglisht ata e ruajnë ndryshimin dhe thonë se «9-a» është vënë «gabim për 8-n».
[Burimi]
bpk/Vorderasiatisches Museum, SMB/Olaf M. Teßmer
[Kutia në faqen 28]
Shënime për artikullin «Kur u shkatërrua Jerusalemi i lashtë?—Pjesa e dytë»
1. Shkrimi kuneiform ishte një formë shkrimi ku një skrib bënte shenja të ndryshme në sipërfaqen e një pllake të butë argjile duke përdorur një kunj me majë të mprehtë.
2. Assyrian and Babylonian Chronicles, nga A. K. Grejsëni, botuar më 1975, rishtypur më 2000, faqja 8.
3. Periudha neobabilonase filloi gjatë shekullit të shtatë p.e.s., kur dinastia e mbretërve kaldeas sundonte në Perandorinë Babilonase. Sundimtari i parë ishte Nabopolasari, i ati i Nabukodonosorit II. Kjo periudhë përfundoi në vitin 539 p.e.s. kur Nabonidin, mbretin e fundit, e përmbysi mbreti pers Kiri.
4. Neo-Babylonian Business and Administrative Documents, nga Elen Uajtli Muri, botuar më 1935, faqja 33.
5. Archimedes, Volume 4, New Studies in the History and Philosophy of Science and Technology, «Vëzhgime dhe parashikime të eklipseve nga astronomë të hershëm», nga Xhon M. Stilli, botuar më 2000, faqja 36.
6. Amel-Marduk 562-560 B.C.—A Study Based on Cuneiform, Old Testament, Greek, Latin and Rabbinical Sources. With Plates, nga Ronald H. Saku, botuar më 1972, faqja 3.
7. Pllakat BM 80920 dhe BM 58872 datojnë që në muajt e katërt e të pestë të vitit të hipjes në fron të Evil-Merodakut. Këto u botuan nga Saku te Amel-Marduk 562-560 B.C.—A Study Based on Cuneiform, Old Testament, Greek, Latin and Rabbinical Sources. With Plates, faqet 3, 90, 106.
8. Pllaka në Muzeun Britanik (BM 55806) daton që në muajin e dhjetë të vitit të 43-të.
9. Pllakat BM 75106 dhe BM 61325 datojnë që në muajt e shtatë e të dhjetë të atij që mbahet si viti i fundit (i dytë) i mbretit Evil-Merodak. Megjithatë, pllaka BM 75489 daton që në muajin e dytë të vitit të hipjes në fron të Neriglisarit, pasuesit të tij.—Catalogue of the Babylonian Tablets in the British Museum, vëllimi VIII, (Pllaka nr. 3) nga Ërl Lajti, Xh. Xh. Finkelshtajni dhe C.B.F. Uokeri, botuar më 1988, faqet 25, 35.
Catalogue of the Babylonian Tablets in the British Museum, vëllimi VII, (Pllaka nr. 2) nga Ërl Lajti dhe A. K. Grejsëni, botuar më 1987, faqja 36.
Neriglissar—King of Babylon, nga Ronald H. Saku, botuar më 1994, faqja 232. Muaji në pllakë është ajaru (muaji i dytë).
10. Të marrim shembullin e Neriglisarit. Një mbishkrim i mbretit thotë për të se ishte «biri i Bel-Shum-Ishkunit» «mbretit të Babilonisë». (Kursivi është yni.) Në një mbishkrim tjetër Bel-Shum-Ishkuni quhet «princ i mençur». Fjala origjinale e përkthyer «princ», rubû, është një titull që do të thotë edhe «mbret, sundimtar». Meqë ka mospërputhje të dukshme mes mbretërimit të Neriglisarit dhe një pararendësi të tij, Amel-Mardukut, a mund ketë sunduar për njëfarë kohe mes këtyre të dyve ky «mbret i Babilonisë», Bel-Shum-Ishkuni? Profesor R. F. Dauërti pranoi se «dëshmitë e prejardhjes fisnike të Neriglisarit nuk mund të shpërfillen».—Nabonidus and Belshazzar—A Study of the Closing Events of the Neo-Babylonian Empire, nga Rajmond F. Dauërti, botuar më 1929, faqja 61.
11. Astronomical Diaries and Related Texts From Babylonia, vëllimi V, nga Herman Hangeri, botuar më 2001, faqet 2, 3.
12. Journal of Cuneiform Studies, vëllimi 2, nr. 4, 1948, «Një klasifikim i pllakave astronomike babilonase të periudhës seleukase», nga A. Saksi, faqet 282, 283.
13. Astronomical Diaries and Related Texts From Babylonia, vëllimi V, faqja 391.
14. Mesopotamian Planetary Astronomy-Astrology, nga Deivid Brauni, botuar më 2000, faqet 164, 201, 202.
15. Bibliotheca Orientalis, L N° 1/2, Januari-Maart, 1993, «Ditaret astronomike si burim për historinë akaemenase dhe seleukase», nga R. J. Van der Speku, faqet 94, 102.
16. Astronomical Diaries and Related Texts From Babylonia, vëllimi I, nga Abraham Xh. Saksi, i përfunduar nga Herman Hangeri, botuar më 1988, faqja 47.
17. Babylonian Eclipse Observations From 750 BC to 1 BC, nga Piter Xh. Habëri dhe Salvo de Meisi, botuar më 2004, faqja 186. Sipas pllakës VAT 4956, ky eklips ndodhi më datë 15 të muajit të tretë babilonas, dhe kjo tregon se muaji simanu ka filluar 15 ditë më parë. Nëse eklipsi ka ndodhur më 15 korrik 588 p.e.s. sipas kalendarit julian, atëherë dita e parë e muajit simanu i bie të ketë qenë 30 qershori/1 korriku 588 p.e.s. Prandaj, muaji i parë babilonas (nisanu) i bie të ketë filluar në vitin e ri, dy muaj më herët, në 2/3 maj. Ndërkohë që normalisht viti i këtij eklipsi duhej të kishte filluar më 3/4 prill, pllaka VAT 4956 thotë në rreshtin e 6-të se një muaj shtesë (i ndërfutur) u shtua pas muajit të dymbëdhjetë, adarit (muaji i fundit) të vitit të mëparshëm. (Pllaka thotë: «Data 8 e muajit XII2 [muajit të trembëdhjetë].») Prandaj kjo do të thotë se viti i ri nuk ka filluar deri më 2/3 maj. Kështu, data e këtij eklipsi të vitit 588 p.e.s. përputhet më së miri me datën e pllakës.
18. Sipas Berichte über die Verhandlungen der Königl. Sächsischen Gesellschaft der Wissenschaften zu Leipzig (Raporte lidhur me diskutime të shoqërisë saksone mbretërore të shkencave në Lajpcig); vëllimi 67; 1 maj 1915; në artikullin “Ein astronomischer Beobachtungstext aus dem 37. Jahre Nebukadnezars II” (Tekst astronomie i një vëzhguesi për vitin e 37-të të Nabukodonosorit II), nga Pol V. Noigebaueri dhe Ernst F. Uidneri, faqet 67-76, paraqiten 13 vëzhgime që përshkruajnë Hënën në raport me një yll a yjësi të caktuar. Ata radhitin edhe 15 vëzhgime të planetëve. (Faqet 72-76) Ndonëse shenja kuneiforme për Hënën është e qartë dhe nuk lë vend për keqkuptim, disa nga shenjat për emrat e planetëve dhe pozicionet e tyre janë të paqarta. (Mesopotamian Planetary Astronomy—Astrology, nga Deivid Brauni, botuar më 2000, faqet 53-57) Për këtë arsye, vëzhgimet planetare lënë vend për spekulim dhe për disa interpretime. Përderisa pozicioni i Hënës mund të gjendet kollaj, pozicionet e atyre trupave qiellorë të përmendur te pllaka VAT 4956 dhe që kanë lidhje me Hënën mund të identifikohen dhe mund të datohen me një siguri të lartë.
18a. Këto intervale kohore («tri intervale të Hënës») janë llogaritje të kohës që fillojnë, për shembull, nga perëndimi i Diellit deri në perëndim të Hënës ditën e parë të muajit dhe gjatë dy periudhave të tjera të mëvonshme të muajit. Studiuesit i kanë lidhur këto llogaritje të kohës me datat kalendarike. («Vëzhgimi më i hershëm i datueshëm i agimeve polare», nga F. R. Stivensoni dhe Deivid M. Uillisi, në Under One Sky—Astronomy and Mathematics in the Ancient Near East, nga Xhon M. Stilli dhe Anet Imhauzeni, botuar më 2002, faqet 420-428) Vëzhguesit e lashtë përdornin një lloj ore që të llogaritnin këtë periudhë. Por këto llogaritje nuk ishin të besueshme. (Archimedes, Volume 4, New Studies in the History and Philosophy of Science and Technology, «Vëzhgime dhe parashikime të eklipseve nga astronomë të hershëm», nga Xhon M. Stilli, botuar më 2000, faqet 65, 66) Nga ana tjetër, llogaritja e pozicionit të Hënës në raport me trupa të tjerë qiellorë bëhej me saktësi më të madhe.
19. Kjo analizë u bë me anë të programit kompjuterik për astronominë të quajtur TheSky6™. Për më tepër, analiza u saktësua me anë të programit kompjuterik falas e të përparuar Cartes du Ciel/Sky Charts (CDC) dhe me anë të një kalendari me data të konvertuara që siguroi Observatori Detar i SHBA-së. Ngaqë shenjat kuneiforme për mjaft nga pozicionet e planetëve ngjallin spekulime dhe disa interpretime, këto pozicione nuk u përdorën në këtë analizë për të përcaktuar vitin që donte të përcaktonte ky ditar astronomik.
20. Berichte über die Verhandlungen der Königl. Sächsischen Gesellschaft der Wissenschaften zu Leipzig (Raporte lidhur me diskutime të shoqërisë saksone mbretërore të shkencave në Lajpcig); vëllimi 67; 1 maj 1915; «Ein astronomischer Beobachtungstext aus dem 37. Jahre Nebukadnezars II, (-567/566)» (Tekst astronomie i një vëzhguesi për vitin e 37-të të Nabukodonosorit II), nga Pol V. Noigebaueri dhe Ernst F. Uidneri, faqja 41.
21. Pllaka VAT 4956 thotë në rreshtin e tretë: «Hëna qëndronte 1 kut [ose 2 gradë] përpara Virgjëreshave ß.» Analiza e përmendur më sipër nxori përfundimin se më 9 nisanu Hëna ishte 2°04ʹ përpara dhe 0° poshtë yllit Virgjëreshat ß. Kjo konsiderohej një përputhje e saktë.
[Tabela në faqen 25]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
NË Ç’VIT U SHKATËRRUA JERUSALEMI SIPAS PLLAKËS VAT 4956—587 p.e.s. APO 607 p.e.s.?
◼ Pllaka përshkruan ngjarje astronomike që ndodhën vitin e 37-të të sundimit të mbretit Nabukodonosori II.
◼ Nabukodonosori II e shkatërroi Jerusalemin vitin e 18-të të mbretërimit të tij.—Jeremia 32:1.
Nëse viti i 37-të i Nabukodonosorit II ishte viti 568 p.e.s., atëherë Jerusalemi u shkatërrua në vitin 587 p.e.s.
610 p.e.s.
600
590
580
570
560
Nëse viti i 37-të i tij ishte viti 588 p.e.s., atëherë Jerusalemi u shkatërrua në vitin 607 p.e.s., viti që tregon kronologjia biblike.
◼ Pllaka VAT 4956 të çon më bindshëm te viti 607 p.e.s.
[Burimi i figurës në faqen 22]
Fotografia, me mirësjellje nga Muzeu Britanik