Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të kemi një familje të lumtur?

Zhvilloni karakterin frymor si çift

Zhvilloni karakterin frymor si çift

Frederiku *: «Në fillim të martesës këmbëngulja që të studioja Biblën bashkë me gruan. Me çdo kusht doja të përqendrohej gjatë studimit. Por, dukej sikur Lianën nuk e zinte vendi. Dhe, kur bëja pyetje, përgjigjej vetëm po ose jo. Përgjigjet e saj nuk shkonin me mënyrën si duhej bërë studimi sipas meje.»

Liana: «Kur u martova me Frederikun, isha 18 vjeçe. E studionim rregullisht Biblën së bashku, por, sa herë që studionim, Frederiku nxirrte në pah të gjitha të metat e mia dhe çfarë duhej të përmirësoja si bashkëshorte. Kjo m’i priste krahët dhe më lëndonte.»

SI MENDONI, ku qëndronte problemi mes Frederikut dhe Lianës? Qëllimet i kishin të mira. Të dy e donin Perëndinë dhe e shihnin të nevojshme të studionin Biblën së bashku. Mirëpo, pikërisht ajo që mund t’i bashkonte dukej se kishte ndikim të kundërt. Ata studionin së bashku, por nuk po zhvillonin karakterin frymor si çift.

Çfarë është karakteri frymor? Pse çiftet duhet të përpiqen ta zhvillojnë? Cilat vështirësi mund të hasin dhe si t’i kapërcejnë?

Çfarë është karakteri frymor?

Shprehja «karakter frymor», siç përdoret në Bibël, i referohet qëndrimit ose synimit që dikush ka në jetë. (Juda 18, 19) Për shembull, shkrimtari biblik Pavël thekson si ndryshon qëndrimi i njeriut frymor nga ai i njeriut mishor. Pavli tregon se ata me prirje mishore përqendrohen më tepër te vetja, sesa te të tjerët. Në vend që të përpiqen të jetojnë sipas normave të Perëndisë, bëjnë atë çka është e drejtë sipas tyre.​—1 Korintasve 2:14; Galatasve 5:19, 20.

Krejt ndryshe, ata që kanë qëndrim frymor i vlerësojnë normat e Perëndisë. E shohin Perëndinë Jehova si mik dhe mundohen të imitojnë personalitetin e tij. (Efesianëve 5:1) Prandaj janë të dashur, mirëdashës dhe të butë në marrëdhëniet me të tjerët. (Dalja 34:6) I binden Perëndisë edhe kur s’e kanë të volitshme. (Psalmi 15:1, 4) Dareni, i cili jeton në Kanada dhe është i martuar prej 35 vjetësh, thotë: «Sipas meje, njeriu frymor gjithmonë merr parasysh si ndikojnë fjalët dhe veprimet e tij në miqësinë me Perëndinë.» Gruaja, Xhejni, shton: «Mendoj se gruaja frymore punon fort çdo ditë që ta bëjë pjesë të personalitetit frytin e frymës së Perëndisë.»​—Galatasve 5:22, 23.

Pa dyshim, nuk ka pse të jesh medoemos i martuar që të zhvillosh një qëndrim frymor. Në fakt, Bibla tregon se gjithsecili ka përgjegjësinë të mësojë për Perëndinë dhe ta imitojë.​—Veprat 17:26, 27.

Pse të kultivoni karakterin frymor si çift?

Atëherë, pse të martuarit duhet të përpiqen fort të zhvillojnë karakterin frymor si çift? Mendoni për këtë ilustrim. Dy kopshtarë kanë një kopsht të përbashkët dhe duan të rritin perime. Njëri vendos të mbjellë fara në një kohë të caktuar të vitit, kurse tjetri mendon se farat duhen mbjellë më vonë. Njëri dëshiron të përdorë njëfarë plehu, ndërsa tjetri e kundërshton me forcë dhe mendon se bimët s’kanë nevojë për pleh. Njërit i pëlqen të robtohet në kopsht çdo ditë, kurse tjetri është i kënaqur duke ndenjur duarkryq. Kopshti mund të japë disa fryte, por jo aq shumë sa do të kishte prodhuar nëse të dy kopshtarët do të binin dakord se çfarë të bënin, dhe më pas do të punonin së bashku që t’i arrinin synimet.

Burri e gruaja janë si këta kopshtarë. Nëse vetëm njëri zhvillon karakterin frymor, lidhja e tyre mund të përmirësohet. (1 Pjetrit 3:1, 2) Por, është shumë më mirë kur të dy partnerët bien dakord të jetojnë sipas normave të Perëndisë dhe punojnë fort që të mbështetin njëri-tjetrin teksa i shërbejnë Atij. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Dy janë më mirë se një.» Pse? «Sepse kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre. Sepse në rëntë njëri, tjetri mund ta ngrejë shokun.»​—Eklisiastiu 4:9, 10.

Ndoshta edhe ti ke shumë dëshirë të zhvillosh karakterin frymor me bashkëshortin. Por, si në rastin e kopshtit, vetëm dëshira nuk do të sjellë rezultate. Shqyrto dy vështirësi që mund të hasësh dhe si mund t’i kapërcesh.

VËSHTIRËSIA 1: Nuk e gjejmë dot kohën.

Suja, e cila është martuar nga pak kohë, thotë: «Burri më merr nga puna në orën 19.00. Kur mbërrijmë në shtëpi, na presin të gjitha punët. Është një luftë mes mendjes dhe trupit; mendja na thotë se duhet të kalojmë kohë të dy duke mësuar për Perëndinë, kurse trupi mezi pret pak pushim.»

Një zgjidhje e mundshme: Ji elastik dhe bashkëpunues. Suja thotë: «Unë dhe burri vendosëm të zgjoheshim herët dhe të lexonim e të diskutonim një pjesë nga Bibla së bashku para se të shkonim në punë. Gjithashtu, më ndihmon me disa punë, që të kem kohë të rri me të.» Ç’dobi vijnë nga këto përpjekje të mëtejshme? Burri i Susë, Edi, thotë: «Kam parë se, kur unë e gruaja diskutojmë rregullisht për gjëra frymore, i përballojmë më mirë problemet dhe kemi më pak ankth.»

Përveçse të flitni me njëri-tjetrin, është jetësore të kaloni ca minuta çdo ditë duke u lutur së bashku. Si mund t’ju ndihmojë kjo? Rajani, i cili është i martuar prej 16 vjetësh, thotë: «Pak kohë më parë, unë dhe gruaja kaluam një periudhë shumë të vështirë në martesë. Por gjetëm kohë të luteshim së bashku çdo natë, duke ia shprehur shqetësimet Perëndisë. Mendoj se lutja si çift na ndihmoi të zgjidhnim problemet e të kishim sërish martesë të lumtur.»

SUGJERIM: Lini mënjanë sikur edhe pak minuta në fund të çdo dite që të flitni për çdo gjë të mirë që ju ka ndodhur si çift, gjëra për të cilat mund të falënderoni Perëndinë. Gjithashtu, flitni për vështirësitë që hasni, për të cilat ju duhet ndihma e Perëndisë që t’i përballoni. Kujdes: mos e shfrytëzoni këtë mundësi që të radhitni të metat e bashkëshortit. Përkundrazi, kur luteni së bashku, përmendni vetëm ato çështje ku duhet të punoni që të dy. Ditën tjetër veproni në përputhje me kërkesat që bëtë në lutje.

VËSHTIRËSIA 2: Kemi aftësi të ndryshme.

Toni thotë: «S’kam qenë kurrë tip i librave.» Gruaja e tij, Natalia, thotë: «Vdes të lexoj dhe më pëlqen shumë të flas për atë që kam mësuar. Ndonjëherë mendoj se Toni është pak i frikësuar nga unë kur diskutojmë tema biblike.»

Një zgjidhje e mundshme: Ji mbështetës e jo konkurrues a gjykues. Thuaji bashkëshortit se e çmon atë që ai ose ajo po bën, dhe nxite të vazhdojë me vendosmëri të bëjë atë që është e drejtë në shërbim të Jehovait. Toni thotë: «Entuziazmi i gruas për të diskutuar tema biblike ndonjëherë është pak mbytës, dhe në të kaluarën ngurroja të diskutoja për tema të tilla me të. Por Natalia më mbështet shumë. Tani diskutojmë rregullisht tema frymore dhe kam kuptuar se nuk ka pse të frikësohem. Më pëlqen të flasim për gjëra të tilla. Kjo na ka ndihmuar të ndihemi më rehat dhe në paqe si çift.»

Mjaft çifte kanë parë se martesa u përmirësohet kur lënë rregullisht kohë çdo javë që të lexojnë e të studiojnë Biblën së bashku. Por, pak kujdes: secili të flasë si vlejnë këshillat për atë vetë, jo për bashkëshortin. (Galatasve 6:4) Temat që ndezin grindje mes jush diskutojini një herë tjetër, jo gjatë studimit. Pse jo?

Mendo pak: a do ta mjekoje një plagë të qelbëzuar ndërkohë që ha një vakt me familjen? Aspak. Të gjithëve do t’ua pritje oreksin. Jezui tha se të mësosh e të bësh vullnetin e Perëndisë është si të ushqyerit. (Mateu 4:4; Gjoni 4:34) Nëse flet për plagë emocionale sa herë e hap Biblën, mund t’ia heqësh bashkëshortit oreksin për gjërat frymore. Sigurisht, keni nevojë t’i diskutoni problemet. Por trajtojini këto çështje në një kohë që e keni lënë mënjanë për to.​—Proverbat 10:19; 15:23.

SUGJERIM: Shkruaj dy ose tri cilësi që çmon shumë te bashkëshorti. Kur të diskutoni herën tjetër për tema frymore që lidhen me ato cilësi, shprehja bashkëshortit sa shumë e çmon mënyrën si i shfaq.

Do të korrni atë që mbillni

Nëse mbillni ose zhvilloni karakterin frymor si çift, me kalimin e kohës do të keni një martesë më paqësore e më shpërblyese. Në fakt, Fjala e Perëndisë garanton se «çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë».​—Galatasve 6:7.

Frederiku dhe Liana, të përmendur në fillim të artikullit, e mësuan sa i vërtetë është ky parim biblik. Tani kanë 45 vjet të martuar dhe e dinë se këmbëngulja shpërblehet. Frederiku thotë: «Dikur ia hidhja fajin gruas për mungesën e komunikimit. Mirëpo, me kalimin e kohës, kuptova se edhe unë duhej të përpiqesha.» Liana thotë: «Ajo që na ndihmoi vërtet në kohë të vështira ishte dashuria e përbashkët për Perëndinë Jehova. Gjatë viteve kemi studiuar e jemi lutur rregullisht së bashku. Ndërsa shoh Frederikun që përpiqet t’i shfaqë më shumë cilësitë e krishtere, e kam më të lehtë ta dua.»

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.

PYET VETEN . . .

  • Kur ishte hera e fundit që u lutëm si çift?

  • Ç’mund të bëj që ta nxis bashkëshortin të jetë më i hapur ndërsa diskutojmë tema frymore?