A do të shkatërrohet toka në vitin 2012?
Lexuesit pyesin . . .
A do të shkatërrohet toka në vitin 2012?
▪ «Fluks besimtarësh të apokalipsit në një fshat francez. . . . Ata besojnë se bota do të marrë fund më 21 dhjetor 2012, që është fundi i një cikli 5.125-vjeçar, sipas kalendarit të lashtë maja.»—BBC News.
Me gjithë parashikimet e udhëheqësve fetarë që u thonë njerëzve se bota do të marrë fund, të pseudoshkencëtarëve dhe të ndonjë parashikuesi tjetër të shekullit të 21-të, toka do të ekzistojë për një kohë shumë të gjatë. Po, toka nuk do të shkatërrohet në vitin 2012. Ç’është e vërteta, planeti Tokë jo vetëm që nuk do të shkatërrohet në atë vit, por edhe në vitet pasuese.
Bibla na thotë: «Një brez shkon, një brez vjen, por toka mbetet përjetë.» (Eklisiastiu 1:4, Diodati i Ri) Gjithashtu, shqyrto çfarë mesazhi përcjellin fjalët e Isaisë 45:18: «Kështu thotë Jehovai, . . . Formuesi i tokës dhe Bërësi i saj, Ai që e ka bërë të patundshme, që nuk e krijoi më kot, por e formoi që të banohej: ‘Unë jam Jehovai, dhe nuk ka asnjë tjetër.’»
Një atë i dashur, a do të kalonte shumë orë duke projektuar e ndërtuar një varkë lodër për të kënaqur të birin ose një shtëpi kukull për gëzimin e së bijës, vetëm që t’i shkatërronte këto pak çaste pasi t’ua jepte? Kjo do të ishte mizore. Po njësoj, Perëndia e krijoi tokën kryesisht për kënaqësinë e krijesave të tij njerëzore. Ai i tha çiftit të parë, Adamit dhe Evës: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni.» Pastaj, «Perëndia pa çdo gjë që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë». (Zanafilla 1:27, 28, 31) Perëndia nuk ka hequr dorë nga qëllimi për tokën; nuk do të lejojë që ajo të shkatërrohet. Për atë që ka premtuar, Jehovai ka thënë prerë: «Nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, do ta bëjë atë që më pëlqen dhe do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.»—Isaia 55:11.
Gjithsesi, vullneti i Jehovait është që ‘të rrënojë ata që rrënojnë tokën’. (Zbulesa 11:18) Në Fjalën e tij ai bën këtë premtim: «Vetëm të drejtët do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit do të mbeten në të. Kurse të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj.»—Proverbat 2:21, 22.
Kur do të ndodhë kjo? Asnjë njeri s’e di. Jezui tha: «Atë ditë ose atë orë s’e di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, përveç Atit.» (Marku 13:32) Dëshmitarët e Jehovait nuk përpiqen të parashikojnë se kur do t’i shkatërrojë Perëndia të ligjtë. Edhe pse janë vigjilentë për ‘shenjën’ e fundit dhe besojnë se njerëzimi po jeton në «ditët e fundit» sipas Biblës, ata nuk e dinë me saktësi se kur do të vijë «fundi». (Marku 13:4-8, 33; 2 Timoteut 3:1) Këtë ia lënë në dorë vetëm Atit të tyre qiellor dhe Birit të tij.
Ndërkohë, Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të angazhuar në predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë, qeverisë qiellore që do të sundojë dhe do ta transformojë planetin Tokë në një parajsë paqësore, që ‘do ta trashëgojnë të drejtët dhe do të jetojnë përgjithmonë në të’.—Psalmi 37:29.
[Burimi i figurës në faqen 10]
Image Science and Analysis Laboratory, NASA-Johnson Space Center