Doja të isha si vajza e Jefteut
Doja të isha si vajza e Jefteut
Treguar nga Xhoana Soansi
Kur isha adoleshente, më lindi një dëshirë e fortë të bëhesha si vajza e Jefteut. Më lejoni t’ju shpjegoj çfarë kisha në mendje dhe si arrita me kalimin e kohës t’i ngjaja shumë asaj.
NË VITIN 1956, ndoqa asamblenë time të parë të Dëshmitarëve të Jehovait në Bombei (tani Mumbai), Indi, dhe kjo ma ndryshoi jetën. Më preku jashtë mase një fjalim që fliste për vajzën e Jefteut.
Siç mund ta keni lexuar në Bibël, vajza e Jefteut nga sa duket pranoi të mos martohej që kur ishte adoleshente. Falë kësaj, i ati mund ta përmbushte zotimin që kishte marrë. Kështu, ajo shërbeu gjithë jetën beqare në shtëpinë e Jehovait ose në tabernakull.—Gjykatësit 11:28-40.
Sa shumë doja të isha si ajo! Por kisha një problem të madh: të rrije beqare, ishte e papranueshme për kulturën indiane të asaj kohe.
Prejardhja familjare
Isha e pesta nga gjashtë fëmijët që i lindën Benxhamin dhe Marcelina Soansit në Udupi, qytet në bregun perëndimor të Indisë. Gjuha e nënës është tulu, e cila flitet nga rreth dy milionë veta. Gjithsesi, ashtu si shumë njerëz në Udupi, u arsimuam në gjuhën kanade.
Martesa dhe rritja e fëmijëve gjithnjë kanë zënë vendin kryesor në jetën e kësaj zone. Teksa rritesha, s’e kujtoj të kem mësuar ndonjë shprehje në tulu për të përshkruar beqarinë, vetminë ose mallin për shtëpinë. Ishte sikur të mos ekzistonin fare këto. Për shembull, familja jonë jetonte në një shtëpi me gjyshërit, dajat, hallën me burrin, tezet, si dhe me dymbëdhjetë kushërinj.
Ishte traditë që fëmijët të konsideroheshin pjesë e familjes së nënës. Linja familjare përcaktohej nga ajo dhe vajzat merrnin trashëgiminë më të madhe. Në disa komunitete tulu, vajza bashkë me burrin jetonte me nënën edhe pas martese.
Meqenëse familja jonë ishte bërë pjesë e të ashtuquajturit krishterim, disa gjëra ishin ndryshe. Çdo mbrëmje, gjyshi drejtonte adhurimin në familje, lutej dhe lexonte me zë Biblën në gjuhën tulu. Sa herë që hapte Biblën e vjetruar që të na e lexonte, ishte sikur po hapte një kuti me xhevahire. Sa emocionuese ishte! Psalmi 23:1 më fuste në mendime: «Jehovai është Bariu im. Nuk do të më mungojë asgjë.» Pyesja veten: «Kush është ky Jehovai dhe pse quhet bari?»
Më ranë «luspat» nga sytë
Si rezultat i vështirësive ekonomike pas Luftës II Botërore, u shpërngulëm në Bombei, mbi 900 kilometra larg. Atje, dy Dëshmitarë të Jehovait vizituan babanë në vitin 1945 dhe i dhanë një broshurë biblike. Babai e përpiu mesazhin, ashtu si toka e zhuritur përpin shiun, e nisi t’ua tregonte edhe të tjerëve që flitnin gjuhën kanade. Në fillim të viteve 50, një grup i vogël studimi u rrit dhe u bë
kongregacioni i parë i gjuhës kanade në Bombei.Babai dhe nëna na mësuan ne fëmijëve të studionim Biblën me zell dhe të bëheshim mësues të mirë. Ata gjenin kohë përditë të luteshin e të studionin me ne. (Ligji i përtërirë 6:6, 7; 2 Timoteut 3:14-16) Një ditë, ndërsa po lexoja Biblën, si të thuash, më ranë luspa nga sytë. (Veprat 9:18) Mësova se Jehovai krahasohet me një bari, sepse i udhëheq, i ushqen dhe i mbron adhuruesit e tij.—Psalmi 23:1-6; 83:18.
Jehovai më ka mbajtur për dore
U pagëzova pak pas kongresit të paharrueshëm që u mbajt në Bombei në vitin 1956. Gjashtë muaj më vonë, ndoqa shembullin e vëllait më të madh, Prëbakërit, dhe u bëra ungjillëzuese në kohë të plotë. Megjithëse kisha shumë dëshirë të predikoja të vërtetat biblike, gjuha më lidhej sa herë përpiqesha të flisja për besimin. Belbëzoja dhe zëri më dridhej. «Këtë vepër mund ta kryej vetëm me ndihmën e Jehovait»,—qaja me vete.
Ndihma nga Jehovai erdhi nëpërmjet misionarëve Homer dhe Rutha Mekkeji nga Kanadaja. Ata kishin ndjekur shkollën misionare të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork, SHBA, në vitin 1947. Ata, si të thuash, më mbanin për dore teksa i hidhja me vështirësi hapat e parë në shërbim. Rutha praktikonte rregullisht me mua prezantime për veprën shtëpi më shtëpi. Ishte shumë e zonja të ma hiqte ankthin. Duke më mbajtur duart që më dridheshin, më thoshte: «Mos ki merak, e dashur. Le të provojmë shtëpinë tjetër.» Toni i saj qetësues më jepte zemër.
Një ditë mora vesh se Elizabeta Çakranarajani, një mësuese e Biblës me përvojë, më e madhe në moshë, do të shërbente me mua. Reagimi im fillestar ishte: «A do t’ia dal të jetoj me këtë motër? Ajo është shumë më e madhe se unë!» Por, më pas kuptova se ishte tamam shoqja që më duhej.
«Në të vërtetë nuk jemi kurrë vetëm»
Caktimi ynë i parë ishte në qytetin historik të Aurangabadit, afro 400 kilometra në lindje të Bombeit. E kuptuam menjëherë se kishte vetëm dy Dëshmitarë në një qytet me rreth një milion banorë. Përveç të tjerave, duhej të mësoja gjuhën marate, gjuha më e folur në qytet.
Ndonjëherë më kaplonin ndjenja vetmie dhe qaja me dënesë si një fëmijë pa nënë. Por Elizabeta, me një zë prej nëne, më jepte zemër. Ajo më thoshte: «Ndonjëherë mund të ndihemi vetëm, por në të vërtetë nuk jemi kurrë vetëm. Ndonëse i ke larg miqtë dhe familjen, Jehovain e ke gjithnjë pranë. Bëje mik atë dhe shpejt vetmia do të fluturojë tutje.» Ende i çmoj këshillat e saj.
Kur s’kishim shumë para për të udhëtuar me automjete, ecnim deri 20 kilometra çdo ditë përmes pluhurit dhe baltës, të nxehtit e të ftohtit. Mjaft herë temperaturat arrinin 40 gradë celsius në verë. Gjatë stinës së shirave, disa zona të territorit mbuloheshin me baltë për muaj të tërë. Megjithatë, shpesh kuptonim se kultura e njerëzve ishte më sfiduese se moti.
Gratë nuk flitnin me burrat në publik, përveçse kur kishin lidhje gjaku, dhe rrallë ndodhte që gratë të mësonin burrat. Prandaj hasnim tallje dhe abuzime. Gjashtë muajt e parë, në mbledhjet biblike javore ishim të
pranishme vetëm ne të dyja. Me kalimin e kohës, erdhën edhe të tjerë. Shpejt do të formohej një grup i vogël. Madje disa dolën me ne në predikim.«Vazhdo të aftësohesh»
Pasi kaluan rreth dy vjet e gjysmë, u ricaktuam në Bombei. Elizabeta vazhdoi në veprën e predikimit, kurse mua më kërkuan të ndihmoja babanë, i cili në atë kohë përkthente i vetëm botimet tona biblike në gjuhën kanade. Ai e pranoi me gjithë qejf ndihmën time, pasi kishte shumë përgjegjësi në kongregacion.
Në vitin 1966, prindërit vendosën të ktheheshin në Udupi, në vendlindje. Ndërsa po largohej nga Bombei, babai më tha: «Bija ime, vazhdo të aftësohesh. Përkthe thjesht dhe qartë. Mos ji tepër e sigurt te vetja, qëndro e përulur. Mbështetu te Jehovai.» Këto ishin këshillat e fundit që më dha, sepse vdiq pak kohë pasi u kthye në Udupi. Pikërisht këtë jam munduar të bëj deri më sot, teksa punoj në përkthim.
«A nuk do që të sistemohesh?»
Në Indi është traditë që prindërit t’i martojnë fëmijët të rinj fare dhe t’i nxitin të krijojnë familje. Kështu që më pyetnin shpesh: «A nuk do që të sistemohesh? Kush do të kujdeset për ty kur të plakesh? A s’ke për t’u ndier vetëm?»
Ndonjëherë, komente të tilla e të shpeshta më mbytnin emocionalisht. Megjithëse nuk e jepja veten në publik, ia zbrazja zemrën Jehovait sapo gjendesha vetëm. Ngushëllohesha duke ditur se ai nuk më shihte sikur më mungonte diçka, ngaqë isha beqare. Që të forcoja vendosmërinë e t’i shërbeja atij pa shpërqendrime, mendoja për vajzën e Jefteut dhe për Jezuin—të dy ndenjën beqarë dhe bënë vullnetin e Jehovait duke u përfshirë tërësisht.—Gjoni 4:34.
Dhuratë nga Jehovai
Unë dhe Elizabeta e ruajtëm miqësinë e ngushtë për thuajse 50 vjet. Ajo vdiq në vitin 2005, në moshën 98-vjeçare. Vitet e fundit nuk e lexonte dot Biblën ngaqë e lanë sytë, prandaj shumicën e ditës e kalonte duke i bërë Perëndisë lutje të përzemërta e të zgjatura. Ndonjëherë mendoja se po diskutonte me dikë ndonjë shkrim në dhomë, por ajo po i fliste Jehovait. Ai ishte real për të dhe ajo jetoi si të ishte në prani të tij. Kam mësuar se ky është çelësi si të qëndrosh e palëkundur në shërbim të Perëndisë, siç bëri vajza e Jefteut. I jam shumë mirënjohëse Jehovait që më dha një motër të madhe e të pjekur, që të më drejtonte gjatë rinisë dhe gjatë tërë vështirësive.—Eklisiastiu 4:9, 10.
Sa bekime kam provuar në shërbim të Jehovait, ashtu si vajza e Jefteut! Beqaria dhe ndjekja e këshillave të Jehovait më kanë ndihmuar të bëj jetë të pasur e shpërblyese, teksa i kryej ‘shërbim të vazhdueshëm Zotërisë, pa shpërqendrim’.—1 Korintasve 7:35.
[Figura në faqen 28]
Babai duke mbajtur fjalim publik në Bombei në vitet 50
[Figura në faqen 28]
Me Elizabetën, pak para se të vdiste
[Figura në faqen 29]
Duke lajmëruar një fjalim biblik në Bombei në vitin 1960
[Figura në faqen 29]
Me kolegë të tjerë në zyrën e përkthimit