Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush mund t’i interpretojë profecitë?

Kush mund t’i interpretojë profecitë?

Kush mund t’i interpretojë profecitë?

Nyja gordiane mendohej të ishte enigma më e madhe në ditët e Aleksandrit të Madh. Ai që do ta zgjidhte nyjën e ndërlikuar, do të ishte i mençur dhe pushtues i madh. * Sipas legjendës, Aleksandri e zgjidhi enigmën me një goditje shpate.

PËRGJATË epokave, njerëzit e mençur nuk janë përpjekur vetëm të zgjidhin nyjat e vështira, por edhe të gjejnë gjëegjëza, të interpretojnë profeci e madje të parashikojnë të ardhmen.

Gjithsesi, në shumicën e rasteve këta njerëz e kishin tejet të vështirë t’i zgjidhnin këto mistere. Për shembull, burrat e mençur të Babilonisë nuk qenë në gjendje të interpretonin shkrimin me dorë që u shfaq në mënyrë të mrekullueshme në murin e pallatit të mbretit Belshazar gjatë një gostie të zhurmshme. Vetëm Danieli, profeti i moshuar i Perëndisë Jehova, i cili njihej se ‘zgjidhte çështje të koklavitura’, arriti ta interpretonte mesazhin profetik. (Danieli 5:12) Ajo profeci, e cila parathoshte fundin e Perandorisë Babilonase, u përmbush po atë natë.​—Danieli 5:1, 4-8, 25-30.

Çfarë është profecia?

Profecia është përkufizuar si zbulimi i së ardhmes ose si ngjarje të dokumentuara para se të ndodhin. Profecia e vërtetë është një mesazh i frymëzuar nga Perëndia, i shkruar a i folur, një zbulim i qëllimit dhe i vullnetit hyjnor. Në Bibël ka profeci për shfaqjen dhe identitetin e Mesisë dhe për ‘përfundimin e sistemit’, si dhe mesazhe gjykuese nga Perëndia.​—Mateu 24:3; Danieli 9:25.

Sot, ‘burrat e mençur’, që janë ekspertë të shkencës, ekonomisë, shëndetësisë, politikës, mjedisit e të shumë fushave të tjera, përpiqen të parashikojnë të ardhmen. Ndonëse mjaft parashikimeve të tilla u bëhet tepër bujë në media dhe publiku i pranon me etje, s’janë gjë tjetër veçse hamendje të bazuara në njohuri dhe në opinione personale. Veç kësaj, për çdo mendim që shprehin, përherë ka shumë mendime dhe argumente kundër. Të parashikosh të ardhmen është e rrezikshme, pasi s’mund të jesh i sigurt për të.

Burimi i profecisë së vërtetë

Atëherë, ku e kanë origjinën profecitë e vërteta dhe kush mund t’i interpretojë? Apostulli Pjetër shkroi: «Asnjë profeci e Shkrimit nuk buron nga ndonjë interpretim personal.» (2 Pjetrit 1:20) Fjala greke për «interpretim» ka kuptimin «zgjidhje, zbulim», që nënkupton se «ajo që lirohet ose zgjidhet, më parë ishte e lidhur». Kështu, një përkthim i Biblës i shpreh në këtë mënyrë fjalët e Pjetrit: «Asnjë profeci e Shkrimit nuk vjen nga ndonjë zgjidhje . . . personale.»

Përfytyro një marinar i cili me mjeshtëri lidh një litar dhe bën një nyjë të ndërlikuar. Kur e mbaron, një i papërvojë e sheh litarin të ndërthurur në nyjë, por nuk është i sigurt si ta zgjidhë. Në mënyrë të ngjashme, njerëzit i vëzhgojnë ngjarjet e sotme që çojnë në një të ardhme të ndërlikuar, por nuk janë të sigurt si do t’i vejë filli së ardhmes ose si do të jetë ajo.

Profetët e frymëzuar nga Perëndia në kohët e lashta, si Danieli, nuk i analizuan vetë ngjarjet e ditëve të tyre e më pas nuk u përpoqën të zbulonin një të ardhme të ndërlikuar me anë të një profecie. Po të ishin përpjekur që e ardhmja të shpalosej me çdo kusht sipas asaj që mendonin vetë, një profeci e tillë do ta kishte burimin në imagjinatën e tyre. Atëherë do të ishte një parashikim njerëzor, bazuar në një themel të papërsosur. Në vend të kësaj, Pjetri shpjegoi më tej: «Profecia nuk ka ardhur kurrë nga vullneti i njeriut, por njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.»​—2 Pjetrit 1:21.

‘Interpretimet i përkasin Perëndisë’

Rreth 3.700 vjet më parë, dy burra i burgosën larg në Egjipt. Secili pa një ëndërr që ngjallte kureshtje. Pasi nuk mund të lidheshin me burrat e mençur të vendit, ata ia shprehën pështjellimin e tyre një të burgosuri tjetër, Jozefit, të cilit i thanë: «Kemi parë të dy nga një ëndërr, por s’ka kush na i interpreton.» Ai shërbëtor i Perëndisë i nxiti me këto fjalë që t’ia thoshin ëndrrat: «A nuk i përkasin Perëndisë interpretimet?» (Zanafilla 40:8) Vetëm Perëndia Jehova ka aftësinë t’i zbulojë profecitë, tamam si një marinar me përvojë ka aftësinë të zgjidhë nyje të koklavitura. Në fund të fundit, ishte Perëndia ai që i bëri ose i lidhi ato profeci. Është logjike që duhet t’i drejtohemi atij për t’ua kuptuar domethënien. Po, Jozefi kishte të drejtë që ia dha meritën Perëndisë.

Atëherë, në ç’kuptim «i përkasin Perëndisë interpretimet»? Ka një sërë mënyrash si ndodh kjo. Disa profeci biblike janë dokumentuar gjatë përmbushjes. Pra këto janë relativisht të lehta për t’u zgjidhur ose kuptuar, siç janë disa nyja që marinari i ka të lehta t’i shpjegojë si zgjidhen.​—Zanafilla 18:14; 21:2.

Profeci të tjera mund të shpjegohen e të zbulohen duke shqyrtuar kontekstin. Profeti Daniel pa në vegim profetik «një dash me dy brirë» që pësoi goditje përfundimtare nga një ‘cjap leshtor’ që kishte «një bri të madh midis syve». Konteksti tregon se dashi me dy brirë përfaqësonte «mbretin e Medisë dhe të Persisë», kurse cjapi përfaqësonte «mbretin e Greqisë». (Danieli 8:3-8, 20-22) Më se 200 vjet më vonë, «briri i madh»​—Aleksandri i Madh—​filloi të pushtonte Persinë. Historiani jude, Jozefi, thoshte se Aleksandrit ia treguan këtë profeci gjatë fushatës ushtarake në afërsi të Jerusalemit, të cilën ai e besoi se ishte për të.

‘Interpretimet i përkasin Perëndisë’ edhe në një kuptim tjetër. I udhëhequr nga fryma e shenjtë, Jozefi, një shërbëtor besnik i Perëndisë Jehova, ishte në gjendje të kuptonte domethënien e ëndrrave pështjelluese që i treguan të burgosurit e tjerë. (Zanafilla 41:38) Kur shërbëtorët e Perëndisë të ditëve tona, nuk janë të sigurt për kuptimin e një profecie, luten për frymën e Perëndisë dhe më pas studiojnë e kërkojnë me zell në Fjalën e Perëndisë të frymëzuar nga fryma e shenjtë. Me udhëheqjen e Perëndisë ata arrijnë të gjejnë shkrimet që hedhin dritë mbi kuptimin e disa profecive. Interpretimi nuk ndodh në mënyrë të mrekullueshme nga ndonjë njeri. Ai vjen nga Perëndia, pasi domethënia bëhet e qartë me anë të frymës dhe të Fjalës së tij. Interpretimi nuk vjen nga parashikuesit njerëzorë, të cilët nuk bazohen në Bibël.​—Veprat 15:12-21.

Gjithashtu, ‘interpretimet i përkasin Perëndisë’ në kuptimin që ai përcakton dhe drejton se kur duhet ta kuptojnë një profeci shërbëtorët e tij besnikë në tokë. Domethënia e një profecie mund të dallohet para, gjatë ose pas përmbushjes. Meqë Perëndia i lidhi profecitë, ai do t’i zgjidhë në kohën e duhur sipas tij.

Në tregimin për Jozefin dhe dy të burgosurit, ai ua interpretoi ëndrrat tri ditë para se të përmbusheshin. (Zanafilla 40:13, 19) Më vonë, kur Jozefin e çuan para Faraonit të fuqishëm që t’ia shpjegonte ëndrrat, ai tha se do të fillonin shtatë vite bollëku. Me frymën e Perëndisë, Jozefi zbuloi kuptimin e ëndrrave të Faraonit në mënyrë që të merreshin masa për të grumbulluar të korrat e bollshme që paratha.​—Zanafilla 41:29, 39, 40.

Profeci të tjera kuptohen plotësisht nga shërbëtorët e Perëndisë vetëm pasi përmbushen. Mjaft ngjarje të jetës së Jezuit u profetizuan shekuj para lindjes së tij, por dishepujt i kuptuan plotësisht vetëm pas ringjalljes së tij. (Psalmi 22:18; 34:20; Gjoni 19:24, 36) Së fundi, sipas Danielit 12:4, disa profeci duheshin ‘vulosur’ «deri në kohën e fundit», kur «njohuria e vërtetë do të jetë e bollshme». Ne po jetojmë pikërisht në kohën kur këto profeci po përmbushen. *

Profecitë biblike dhe ti

Jozefi dhe Danieli dolën para mbretërve të kohës së tyre dhe u dhanë mesazhe profetike që ndikuan te kombe e mbretëri. Të krishterët e shekullit të parë dolën para bashkëkohësve si zëdhënës të Jehovait, Perëndisë së profecive, dhe u sollën dobi të mëdha personave që reaguan pozitivisht ndaj mesazheve të tyre.

Sot Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën po i bëjnë jehonë një mesazhi profetik​—lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë—​dhe u thonë njerëzve se po përmbushet profecia e Jezuit për ‘përfundimin e sistemit’. (Mateu 24:3, 14) A e di çfarë profecie është kjo dhe si do të ndikojë te ti? Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmojnë me kënaqësi të kuptosh e të nxjerrësh dobi nga ajo që pa dyshim është një nga profecitë biblike më të mëdha.

[Shënimet]

^ par. 2 Legjenda greke thotë se në Gordi, kryeqyteti i Frigjisë, karroca e themeluesit të qytetit, Gordiut, u lidh pas një shtylle me një nyjë të ndërlikuar që mund të zgjidhej vetëm nga pushtuesi i ardhshëm i Azisë.

^ par. 19 Shih serinë «Gjashtë profeci biblike që i shihni të përmbushen» në numrin e 1 majit 2011 të kësaj reviste.

[Figurat në faqen 13]

Jozefi dhe Danieli ia dhanë meritën Perëndisë kur shpjeguan profecitë