Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Një kohë për të dashur dhe një kohë për të urryer»

«Një kohë për të dashur dhe një kohë për të urryer»

«Një kohë për të dashur dhe një kohë për të urryer»

«PERËNDIA është dashuri.» Në disa vende njerëzit i vënë në kornizë këto fjalë dhe i varin në murin e shtëpisë. Është vërtet një shprehje e bukur që përshkruan si është Perëndia​—personifikimi i dashurisë.

Megjithatë, shumë veta nuk e dinë se këto fjalë vijnë nga Bibla. Ato i shkroi apostulli Gjon: «Kush nuk ka dashuri, nuk ka arritur ta njohë Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.» (1 Gjonit 4:8) Gjoni shkroi edhe rreth dashurisë që ka Perëndia për botën ose për njerëzimin që mund të shpengohet: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»​—Gjoni 3:16.

Duke pasur këtë në mendje, disa mund të mendojnë se Perëndia gjithnjë i mbyll sytë ndaj çdo gjëje që bëjmë. Mënyra si jetojnë shumë njerëz tregon se, sipas tyre, Perëndia nuk do t’u kërkojë llogari për sjelljen, cilado qoftë ajo. Por, a është e vërtetë kjo? A i do Perëndia të gjithë, si të mirin, edhe të keqin? A ka një kohë kur Perëndia urren?

Dashuria e Perëndisë në krahasim me urrejtjen e tij

Mbreti i mençur Solomon bëri këtë deklaratë: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, ka një kohë për çdo punë nën qiej . . . një kohë për të dashur dhe një kohë për të urryer.» (Eklisiastiu 3:1, 8) Sipas këtij parimi, ndonëse Perëndia është shumë i dashur e i mirë, ka një kohë kur ai urren.

Së pari, ç’do të thotë fjala ‘urrej’, siç përdoret në Bibël? Një vepër referimi përgjigjet: «Në Shkrime fjala ‘urrej’ ka disa ngjyrime kuptimore. Mund të nënkuptojë armiqësi të fortë, një mospëlqim të vazhdueshëm të shoqëruar shpesh nga keqdashja. Një urrejtje e tillë mund të bëhet ndjenjë që të bren nga brenda e të nxit ta dëmtosh tjetrin.» Këtë lloj urrejtjeje e njohim më mirë dhe pasojat e saj i shohim në mbarë botën. Por e njëjta vepër vazhdon: «‘Urrejtja’ mund të nënkuptojë edhe që ke një mospëlqim të fortë ndaj një objekti, por s’ke ndër mend ta dëmtosh.»

Në këtë artikull po shqyrtojmë kuptimin e dytë. Ajo është një neveri e madhe, urrejtje e thellë​—jo keqdashje a dëshirë për të dëmtuar. A mund ta provojë Perëndia këtë lloj urrejtjeje? Vër re çfarë thuhet te Proverbat 6:16-19: «Ka gjashtë gjëra që Jehovai i urren; po, shtatë janë gjërat e pështira për shpirtin e tij: sytë krenarë, gjuha gënjeshtare dhe duart që derdhin gjak të pafaj, zemra që sajon plane të dëmshme, këmbët që turren drejt së keqes, dëshmitari i rremë që përhap gënjeshtra dhe kushdo që mbjell grindje mes vëllezërve.»

Siç e shohim, ka disa praktika që Perëndia urren. Megjithatë nuk e urren medoemos personin që i bën këto gjëra, pasi merr parasysh çfarë ka ndikuar tek ai, si: dobësitë e mishit, mjedisin, mënyrën si është rritur dhe padijen. (Zanafilla 8:21; Romakëve 5:12) Shkrimtari i Proverbave përdor një shembull të shkëlqyer për të shpjeguar këtë: «Jehovai qorton atë që do, sikurse bën një atë me birin që i pëlqen.» (Proverbat 3:12) Një fëmijë i pabindur mund të bëjë veprime të urryeshme, por prindi ende e do. Duke e disiplinuar, bën të pamundurën që ta ndihmojë të heqë dorë nga sjellja e keqe. Në bazë të dashurisë, Jehovai bën diçka të ngjashme kur ka shpresë që mëkatari të shpëtojë.

Kur urrejtja justifikohet

Po nëse dikush mëson cili është vullneti i Perëndisë, por s’pranon ta kryejë atë? Këtë njeri Perëndia as e miraton, as i jep dashurinë e tij. Nëse praktikon me dashje gjërat që Jehovai urren, i sjell vetes urrejtjen e Tij. Për shembull, Bibla thotë: «Jehovai heton edhe të drejtin, edhe të ligun. Atë që do dhunën, shpirti i Tij e urren.» (Psalmi 11:5) Nuk ka falje për këtë individ të papenduar. Apostulli Pavël e bën të qartë këtë në letrën drejtuar Hebrenjve: «Po të praktikojmë me dashje mëkatin, pasi të kemi marrë njohurinë e saktë të së vërtetës, nuk ka më asnjë flijim për mëkatet, por një pritje e frikshme e gjykimit dhe një xhelozi e zjarrtë, që do të përpijë ata që janë kundër.» (Hebrenjve 10:26, 27) Pse ka një qëndrim të tillë Perëndia i dashurisë?

Kur dikush praktikon me dashje një mëkat të rëndë, bëhet kaq i lig, sa është e pamundur të ndryshojë. Mund të shthuret dhe të bëhet i pandreqshëm. Bibla e krahason këtë individ me një leopard që nuk mund t’i ndërrojë pullat e veta. (Jeremia 13:23) Nëse nuk pendohet, ky individ kryen atë që Bibla e quan «mëkat të përhershëm», për të cilin nuk ka falje.​—Marku 3:29.

Kjo vlente për Adamin e Evën, si dhe për Judë Iskariotin. Adami dhe Eva u krijuan të përsosur. Urdhri që u dha Perëndia ishte i qartë dhe i kuptueshëm për të dy. Prandaj, është e dukshme se mëkatuan me dashje dhe qëllimisht, kështu që ishin të pajustifikueshëm. Fjalët që Perëndia u drejtoi më pas, nuk përmbanin asnjë ftesë për pendim. (Zanafilla 3:16-24) Juda, megjithëse i papërsosur, kishte shoqëri të ngushtë me Birin e Perëndisë e prapëseprapë u bë tradhtar. Vetë Jezui e quajti ‘biri i shkatërrimit’. (Gjoni 17:12) Gjithashtu, Bibla tregon se Djalli është një mëkatar i regjur që s’mund të presë gjë tjetër veç shkatërrimit. (1 Gjonit 3:8; Zbulesa 12:12) Këta individë i kanë sjellë vetes urrejtjen e Perëndisë.

Megjithatë, është qetësuese të dimë se jo çdo mëkatar është i pandreqshëm. Jehovai është shumë i durueshëm dhe nuk kënaqet duke ndëshkuar ata që kanë mëkatuar nga padija. (Ezekieli 33:11) Ai i fton të pendohen e të fitojnë faljen. Në Bibël lexojmë: «I ligu le ta lërë rrugën e tij dhe shpirtkeqi le t’i largojë mendimet e tij. Le të kthehet te Jehovai, i cili do t’i tregojë mëshirë, dhe te Perëndia ynë, sepse do ta falë në masë të madhe.»​—Isaia 55:7.

Pikëpamje e ekuilibruar për dashurinë dhe urrejtjen

Qartë, si imitues të Perëndisë, të krishterët e vërtetë duhet të kuptojnë kur është ‘koha për të dashur’ dhe kur është ‘koha për të urryer’. Sentimentalizmi mund t’ia çekuilibrojë dikujt pikëpamjen për dashurinë dhe mëshirën. Por fjalët e dishepullit Judë na ndihmojnë të tregojmë ekuilibrin e duhur kur shfaqim mëshirë dhe urrejtje për mëkatin: «Vazhdoni t’u tregoni mëshirë të tjerëve, duke e bërë këtë me frikë, ndërsa urreni edhe rrobën që është ndotur nga mishi.» (Juda 22, 23) Prandaj duhet të urrejmë atë që është e keqe, por jo personin që e bën atë të keqe.

Gjithashtu, të krishterët urdhërohen të shfaqin dashuri për armiqtë duke u bërë mirë. Jezui tha: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin.» (Mateu 5:44) Ja pse Dëshmitarët e Jehovait ua predikojnë fqinjëve herë pas here lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, ndonëse disa nuk reagojnë pozitivisht ndaj këtij mesazhi. (Mateu 24:14) Dëshmitarët i shohin gjërat sipas asaj që thotë Bibla, prandaj mendojnë se çdo njeri mund të fitojë dashurinë dhe mëshirën e Jehovait. Kur njerëzit nuk ua vlerësojnë përpjekjet që bëjnë për t’i ndihmuar ose kur i refuzojnë, madje i përndjekin, ata zbatojnë këshillën e apostullit Pavël: «Vazhdoni të bekoni ata që ju përndjekin; të bekoni e të mos mallkoni. . . . Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe.» (Romakëve 12:14, 17) Ata mbajnë në mendje se Jehovai do të vendosë kush meriton dashurinë dhe kush urrejtjen e tij. Ai është Gjykatësi që u vë vulën çështjeve për jetë a vdekje.​—Hebrenjve 10:30.

Po, «Perëndia është dashuri». Sa për ne, duhet të tregojmë vlerësim për dashurinë e tij, të përpiqemi të kuptojmë vullnetin e tij dhe pastaj ta kryejmë atë. Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde do të të ndihmojnë me kënaqësi të mësosh nga Bibla jote cili është vullneti i Perëndisë dhe si ta zbatosh në jetë. Kur vepron kështu, Perëndia nuk do të të urrejë, por do të të dojë.

[Diçitura në faqen 23]

«Ka gjashtë gjëra që Jehovai i urren; po, shtatë janë gjërat e pështira për shpirtin e tij: sytë krenarë, gjuha gënjeshtare dhe duart që derdhin gjak të pafaj, zemra që sajon plane të dëmshme, këmbët që turren drejt së keqes, dëshmitari i rremë që përhap gënjeshtra dhe kushdo që mbjell grindje mes vëllezërve.»​—PROVERBAT 6:16-19

[Diçitura në faqen 24]

«Po të praktikojmë me dashje mëkatin, pasi të kemi marrë njohurinë e saktë të së vërtetës, nuk ka më asnjë flijim për mëkatet, por një pritje e frikshme e gjykimit.»​—HEBRENJVE 10:26, 27

[Diçitura në faqen 25]

«I ligu le ta lërë rrugën e tij dhe shpirtkeqi le t’i largojë mendimet e tij. Le të kthehet te Jehovai, i cili do t’i tregojë mëshirë . . . do ta falë në masë të madhe.»​—ISAIA 55:7

[Figura në faqen 24]

Një prind i dashur e disiplinon fëmijën që ta ndihmojë

[Figura në faqen 25]

Shumë të burgosur kanë nxjerrë dobi nga dashuria dhe mëshira e Perëndisë