Si të zgjedhim miq të mirë?
Mëso nga Fjala e Perëndisë
Si të zgjedhim miq të mirë?
Ky artikull ngre pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.
1. Pse duhet t’i zgjedhim me kujdes miqtë?
Shumica e njerëzve duan të jenë të pranuar nga të tjerët. Shpesh, kjo dëshirë bën që t’i imitojmë ata që na rrethojnë. Kështu që miqtë kanë shumë ndikim te qëndrimet që zhvillojmë në zemër. Prandaj, zgjedhja e miqve ndikon te lloji i njeriut që do të bëhemi.—Lexo Proverbat 4:23; 13:20.
Shkrimtari i frymëzuar i Biblës, Davidi, i zgjodhi me mençuri miqtë. Shoqërohej me ata që e ndihmonin të mbante integritetin si shërbëtor i Perëndisë. (Psalmi 26:4, 5, 11, 12) Për shembull, Davidi kishte miqësi me Jonatanin, sepse Jonatani e nxiste të besonte te Jehovai.—Lexo 1 Samuelit 23:16-18.
2. Si të jesh mik me Perëndinë?
Edhe pse Jehovai është i plotfuqishëm, mund të bëhemi miq me të. Për shembull, Abrahami u bë mik i Perëndisë. Abrahami i besonte e i bindej Jehovait, prandaj Jehovai e quante mik. (Zanafilla 22:2, 9-12; Jakovi 2:21-23) Po t’i besojmë Jehovait e të bëjmë atë që na kërkon, edhe ne do të bëhemi miq të Perëndisë.—Lexo Psalmin 15:1, 2.
3. Si të ndihmojnë miqtë e mirë?
Miqtë e vërtetë janë besnikë dhe të ndihmojnë të bësh atë që është e drejtë. (Proverbat 17:17; 18:24) Për shembull, Jonatani ndoshta ishte 30 vjet më i madh se Davidi dhe i takonte të ishte trashëgimtari i fronit të Izraelit, prapëseprapë me besnikëri mbështeti Davidin si i zgjedhuri i Perëndisë për t’u bërë mbret. Gjithashtu, miqtë e vërtetë marrin guximin të të ndreqin kur shohin se vepron në mënyrë të pamend. (Psalmi 141:5) Miqtë që e duan Perëndinë të ndihmojnë të zhvillosh zakone të mira.—Lexo 1 Korintasve 15:33.
Në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, mund të gjesh individë që, si ti, duan të bëjnë atë që është e drejtë. Atje do të gjesh miq që do të të japin zemër ndërsa përpiqesh të kënaqësh Perëndinë.—Lexo Hebrenjve 10:24, 25.
Megjithatë, edhe miqtë që e duan Perëndinë ndonjëherë mund të na zhgënjejnë. Mos u fyej shpejt nga gabimet e tyre. (Eklisiastiu 7:9, 20-22) Mos harro se asnjë mik nuk është i përsosur dhe miqtë që e duan Perëndinë janë të çmuar për ne. Fjala e Perëndisë na nxit t’i anashkalojmë të metat e të bashkëkrishterëve.—Lexo Kolosianëve 3:13.
4. Po sikur «miqtë» të të kundërshtojnë?
Shumë veta shohin se, kur fillojnë të marrin ndihmë që të kuptojnë Fjalën e Perëndisë, disa nga miqtë e vjetër i kundërshtojnë. Mbase këta miq nuk i kuptojnë këshillat praktike ose shpresën e sigurt që ke gjetur në Bibël. Ndoshta ti mund t’i ndihmosh.—Lexo Kolosianëve 4:6.
Në raste të tjera, «miqtë» mund të tallen me lajmin e mirë që gjendet në Fjalën e Perëndisë. (2 Pjetrit 3:3, 4) Disa mund të tallen me përpjekjet e tua për të bërë atë që është e drejtë. (1 Pjetrit 4:4) Nëse të ndodh kjo, ndoshta duhet të zgjedhësh mes miqësisë së tyre dhe miqësisë me Perëndinë. Nëse zgjedh të jesh mik i Perëndisë, do të zgjedhësh mikun më të mirë që ekziston.—Lexo Jakovin 4:4, 8.
Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitujt 12 dhe 19, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.