Mësoji fëmijët
I quajti «Bij të bubullimës»
KUR bën stuhi, mund të dëgjosh bubullima të forta. A je trembur ndonjëherë nga bubullimat? . . . * Jezui i quan dy nga dishepujt e tij «Bij të bubullimës». Le ta kuptojmë pse i quan kështu.
Këta dy dishepuj të Jezuit janë Jakovi dhe Gjoni. Janë vëllezër, bij të Zebedeut dhe të Salomës, gruas së tij. Saloma ka të ngjarë të jetë motra e nënës së Jezuit, Marisë. Kështu që Jezui, Jakovi dhe Gjoni mund të jenë kushërinj dhe mund të kenë qenë shokë të mirë teksa rriteshin.
Zebedeu është peshkatar, por edhe Jakovi dhe Gjoni kanë të njëjtin zanat. Këta të dy janë ndër të parët që Jezui i zgjedh të bëhen dishepuj të tij. Kur i fton që ta ndjekin, ata menjëherë lënë punën si peshkatarë dhe i shkojnë nga pas. Më vonë, mes dishepujve Jezui zgjedh 12 si apostuj. Jakovi dhe Gjoni janë dy prej tyre.
Pak muaj para se Jezuin ta vrasin, ai bashkë me apostujt kalojnë në territorin malor të Samarisë. Po bëhet vonë dhe të gjithë janë shumë të lodhur. Megjithatë samaritanët u thonë se nuk duan që Jezui dhe apostujt ta kalojnë natën në qytetin e tyre. A e di pse? . . . Le ta zbulojmë.
Jezui dhe apostujt janë judenj, dhe shumica e judenjve sillen me ligësi ndaj samaritanëve. Kuptohet që Jezui nuk sillet asnjëherë kështu. I trajton me mirëdashje, ashtu si duhet të bëjnë edhe Jakovi e Gjoni. Por dy dishepujt
zemërohen që samaritanët nuk i mirëpresin dhe e pyesin Jezuin: «A dëshiron të themi që të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i shfarosë?» Si mendon se u përgjigj Jezui? . . . U thotë se e kanë gabim që flasin aq keq. Jakovi dhe Gjoni duhet të mësojnë më tepër për mëshirën.Ata kanë një tjetër problem të madh. Duan të jenë të parët ose më të rëndësishmit. Pak para vdekjes së Jezuit, çojnë nënën e tyre tek ai me këtë kërkesë: «Thuaj që djemtë e mi të ulen njëri në të djathtën tënde e tjetri në të majtë në mbretërinë tënde.» Kur dhjetë apostujt e tjerë marrin vesh çfarë kanë bërë Jakovi dhe Gjoni, zemërohen. A do të reagoje edhe ti po njësoj? . . .
Ka mundësi që po. Nuk na pëlqen kur të tjerët duan të jenë të parët dhe përpiqen t’i japin rëndësi vetes. Me kalimin e kohës Jakovi dhe Gjoni mësojnë se s’kishin treguar fare mirëdashje dhe se kishin vepruar shumë gabim, prandaj kthejnë rrugë. Bëhen apostuj mjaft të dashur dhe të mirë. Çfarë mësojmë nga kjo? . . .
Diçka që duhet të mësojmë nga Jezui është të jemi mirëdashës me njëri-tjetrin. Jezui sillej mirë me të gjithë: burra, gra e fëmijë. A do të përpiqesh fort gjithmonë që ta mbash parasysh këtë shembull dhe ta ndjekësh? . . .
Lexo në Biblën tënde
^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.