A po na ndëshkon Perëndia?
«Megjithëse më vjen keq për viktimat e katastrofës, mendoj se është tembatsu (ndëshkim hyjnor)»,—tha një politikan i shquar japonez, pasi vendi u godit nga një tërmet 9-ballësh sipas shkallës Rihter dhe nga një tsunam, në mars të vitit 2011.
Kur vdiqën më tepër se 220.000 njerëz nga tërmeti që goditi Haitin në janar të 2010-s, një televangjelist i njohur tha se ndodhi ngaqë haitianët «kanë bërë pakt me djallin» dhe duhet «të kthehen te Perëndia».
«Perëndia dëshiron të na e zgjojë ndërgjegjen e mpirë dhe indiferente»,—deklaroi një prift katolik kur 79 veta vdiqën ngaqë u shtypën nga dyndjet e një turme në Manilë, Filipine. Një gazetë vendëse raportoi se «njëzet e një për qind e të rriturve besojnë se Perëndia po e shfryn zemërimin e tij me shkarje dheu, tajfune dhe katastrofa të tjera» që godasin vazhdimisht vendin.
BINDJA se Perëndia i sjell katastrofat për të ndëshkuar njerëzit e këqij, nuk është diçka e re. Në vitin 1755 vdiqën rreth 60.000 veta nga një tërmet, një zjarr dhe një tsunam që goditën Lisbonën, Portugali. Për këtë, Volteri, një filozof me famë, ngriti pyetjen: «Pra, a u rrënua Lisbona ngaqë kishte më tepër vese se Parisi, ku lulëzojnë kënaqësitë e shfrenuara?» Vërtet, miliona njerëz pyesin veten nëse Perëndia po i ndëshkon njerëzit me anë të katastrofave natyrore. Në fakt, në shumë vende këto katastrofa i quajnë vepra të Perëndisë.
Duke pasur parasysh gjithë këtë, është me vend të pyesim. A i ka përdorur vërtet Perëndia katastrofat natyrore që të ndëshkojë njerëzit? A është ndëshkim nga Perëndia breshëria e ngjarjeve të tmerrshme të kohëve të fundit?
Teksa nxitohen të fajësojnë Perëndinë, disa e drejtojnë vëmendjen te tregimet biblike, ku Perëndia solli shkatërrim me anë të forcave natyrore. (Zanafilla 7:17-22; 18:20; 19:24, 25; Numrat 16:31-35) Gjithsesi, një shqyrtim i këtyre tregimeve biblike nxjerr në pah se, në secilin rast, ka tre faktorë të veçantë. Së pari u lajmëruan paraprakisht. Së dyti, ndryshe nga katastrofat e sotme natyrore, të cilat vrasin si të mirët, edhe të këqijtë, shkatërrimi nga Perëndia ishte përzgjedhës. U shkatërruan vetëm të këqijtë e pandreqshëm ose ata që s’donin t’ua vinin veshin paralajmërimeve. Së treti, Perëndia u dha mundësi njerëzve të pafajshëm të shpëtonin.—Zanafilla 7:1, 23; 19:15-17; Numrat 16:23-27.
Nuk ka asnjë provë se Perëndia fshihet pas katastrofave të panumërta që kanë rrënuar jetën e miliona njerëzve sot. Atëherë, pse po shtohen gjithnjë e më tepër këto katastrofa? Si t’i përballojmë? Dhe, a do të marrin fund ndonjëherë ato? Përgjigjet do t’i gjejmë në artikujt vijues.