Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

SI ARRITI të gjente kuptim të vërtetë në jetë një e re që kishte pasur fëmijëri të hidhur? Çfarë e shtyu një rebel të dhunshëm politik të bëhej predikues paqësor? Lexoni tregimet vijuese për të marrë përgjigjet.

«Kisha jashtëzakonisht nevojë për dashuri dhe ngrohtësi.»​—INA LEZHNINA

LINDUR: 1981

VENDI I LINDJES: RUSIA

MË PARË: FËMIJËRI E HIDHUR

E KALUARA IME: Prindërit i kisha të shurdhër, po kështu linda edhe unë. Gjashtë vitet e para të jetës ishin të këndshme. Më pas, prindërit u divorcuan. Ndonëse isha e vogël, e kuptova çfarë ishte divorci, dhe kjo më theri në shpirt. Pas divorcit, babai dhe vëllai i madh qëndruan në Troitsk, kurse mamaja u shpërngul në Çeljabinsk e më mori me vete. Më vonë, ajo u martua sërish. Njerku ishte i alkoolizuar dhe shpesh na rrihte mua dhe mamin.

Në vitin 1993, vëllai im i dashur më i madh në moshë u mbyt. Familjen tonë e tronditi shumë ky aksident. Mamaja iu fut pijes dhe nisi të më keqtrajtonte si njerku. Fillova të kërkoja një jetë më të mirë. Kisha jashtëzakonisht nevojë për dashuri dhe ngrohtësi. Nisa të shkoja në kisha të ndryshme, në kërkim të ngushëllimit, por s’gjeta gjë.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Në moshën 13-vjeçare, një shoqe klase, që ishte Dëshmitare e Jehovait, më tregoi disa histori biblike. Më pëlqente shumë të mësoja për personazhe biblike si Noeja dhe Jobi, që i shërbyen Perëndisë edhe në rrethana të vështira. S’kaloi shumë dhe po studioja Biblën me Dëshmitarët dhe ndiqja mbledhjet e tyre.

Studimi i Biblës m’i hapi sytë ndaj shumë të vërtetave të bukura. U preka kur mësova se Perëndia ka emër. (Psalmi 83:18) Më la mbresa saktësia me të cilën Bibla kishte parathënë kushtet «në ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1-5) U mrekullova kur mësova për shpresën e ringjalljes. Sa bukur do të jetë kur ta shoh prapë vëllanë!​—Gjoni 5:28, 29.

Gjithsesi, jo të gjithë u entuziazmuan si unë. Mamaja dhe njerku i kishin zët Dëshmitarët e Jehovait. Ata më bënë presion që ta lija studimin e Biblës. Por më kishin hyrë në zemër gjërat që po mësoja, dhe as më shkonte ndër mend ta ndërpritja.

S’e kisha të lehtë ta përballoja kundërshtimin e familjes. Një tronditje tjetër erdhi kur u mbyt edhe vëllai i vogël, i cili më kishte shoqëruar në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Megjithatë, Dëshmitarët më ndenjën pranë në çdo moment. Dashurinë dhe ngrohtësinë që i kërkoja me zjarr tërë jetën, i gjeta mes tyre. E dija se kjo duhej të ishte feja e vërtetë. Në vitin 1996 u pagëzova si Dëshmitare e Jehovait.

DOBITË: Kam gjashtë vjet e martuar me një burrë të mrekullueshëm që quhet Dimitri. Të dy shërbejmë në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Shën-Pjetërburg. Ndërsa koha kalonte, prindërve iu zbut qëndrimi ndaj bindjeve të mia.

Sa mirënjohëse jam që kam njohur Jehovain! Shërbimi ndaj tij i ka dhënë kuptim të vërtetë jetës sime.

«Më ziente koka nga pyetje të shumta.»​—RAUDEL RODRIGEZ RODRIGEZI

LINDUR: 1959

VENDI I LINDJES: KUBA

MË PARË: REBEL POLITIK

E KALUARA IME: Linda në Havanë, Kubë, dhe jam rritur në një lagje të varfër ku sherret në rrugë ishin të zakonshme. Teksa rritesha, më hyri në qejf xhudoja dhe sporte të tjera marciale.

Isha nxënës i mirë dhe prindërit më nxitnin të bëja universitetin. Atje nisa të mendoja se sistemi politik i vendit duhej ndryshuar. Vendosa të rebelohesha. Bashkë me një shok klase sulmuam një polic; donim t’i merrnim pistoletën. Përleshja e la policin me dëmtime të rënda në kokë. Të dyve na rrasën në burg për këtë sulm dhe u dënuam me vdekje; do të na pushkatonin. Isha vetëm 20 vjeç dhe jeta do të më shuhej.

I vetmuar atje në qelinë e burgut, bëja prova si do të sillesha para skuadrës së pushkatimit. S’doja të tregoja pikë frike. Në të njëjtën kohë, më ziente koka nga pyetje të shumta. Pyesja veten: «Pse ka kaq shumë padrejtësi në botë? A është kjo jetë gjithçka?»

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Së fundi, dënimi me vdekje na u ndryshua në 30 vjet burg. Pikërisht atëherë takova disa Dëshmitarë të Jehovait që ishin burgosur për shkak të bindjeve fetare. Më bëri përshtypje sjellja e guximshme, por paqësore, që kishin Dëshmitarët. Megjithëse ishin burgosur padrejtësisht, nuk ishin të zemëruar a të hidhëruar.

Dëshmitarët më mësuan se Perëndia ka një qëllim për njerëzit. Më treguan nga Bibla se ai do ta kthejë tokën në parajsë, ku nuk do të ketë krime dhe padrejtësi. Ata më mësuan se toka do të mbushet me njerëz të mirë, të cilët do të kenë mundësi të jetojnë përgjithmonë në kushte të përsosura.​—Psalmi 37:29.

Më pëlqente ajo që më mësonin Dëshmitarët, por personaliteti im s’kishte fare lidhje me ta. Mendoja se e kisha të pamundur të qëndroja asnjanës në politikë ose të ktheja faqen tjetër. Prandaj vendosa ta lexoja vetë Biblën. Kur e mbarova, kuptova se Dëshmitarët e Jehovait janë i vetmi popull që sillen si të krishterët e hershëm.

Nga studimi i Biblës kuptova se duhej të bëja ndryshime drastike në jetë. Për shembull, duhej të pastroja fjalorin, pasi e kisha zakon të përdorja fjalë të pista. Gjithashtu duhej të lija duhanin dhe të qëndroja asnjanës në çështjet politike. Nuk ishte e lehtë të ndryshoja, por, me ndihmën e Jehovait, dalëngadalë ia dola mbanë.

Një nga ndryshimet më të vështira ishte të mësoja si të kontrolloja temperamentin. Edhe sot e kësaj dite lutem për vetëkontroll. Më kanë ndihmuar jashtë mase vargje biblike si Proverbat 16:32, që thotë: «Kush nuk zemërohet shpejt, është më mirë se një burrë i fuqishëm, dhe kush e kontrollon frymën e tij, është më mirë se ai që merr një qytet.»

Në vitin 1991 u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait. Pagëzimi u bë në një vozë uji në burg. Vitin pasues, bashkë me disa të burgosur u liruam dhe na dërguan në Spanjë, sepse kishim të afërm atje. Sapo mbërrita në Spanjë, fillova menjëherë të ndiqja mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Dëshmitarët atje më mirëpritën si të kisha vite mes tyre dhe më ndihmuan ta nisja jetën nga e para.

DOBITË: Jam i lumtur që i shërbej Perëndisë bashkë me gruan dhe vajzat. Ndihem i privilegjuar që shumicën e kohës e kaloj duke ndihmuar të tjerët të mësojnë për Biblën. Ndonjëherë e kthej vështrimin tek ai djali që ishte në prag të vdekjes dhe jam mirënjohës që kam fituar shumë gjëra që atëherë. Jo vetëm që jam gjallë, por edhe kam shpresë për të ardhmen. Mezi e pres Parajsën e premtuar, kohën kur drejtësia do të mbushë tokën dhe «nuk do të ketë më vdekje».​—Zbulesa 21:3, 4.

[Diçitura në faqen 19]

«U preka kur mësova se Perëndia ka emër»

[Figura në faqen 20]

Bashkë me burrin kënaqemi teksa u tregojmë botime të gjuhës së shenjave atyre që s’dëgjojnë