Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lexuesit pyesin . . .

Pse Perëndia i kërkoi Abrahamit të flijonte të birin?

Pse Perëndia i kërkoi Abrahamit të flijonte të birin?

▪ Siç dokumentohet në librin biblik të Zanafillës, Perëndia Jehova i kërkoi Abrahamit të flijonte të birin, Isakun. (Zanafilla 22:2) Disa lexues të Biblës e kanë tejet të vështirë ta kuptojnë këtë tregim. Një profesoreshë e quajtur Karola thotë: «Kur isha fëmijë dhe dëgjova për herë të parë këtë tregim, u indinjova tej mase. Cili Perëndi do të kërkonte diçka të tillë?» Megjithëse këto ndjenja janë të kuptueshme, bëjmë mirë të mbajmë në mendje disa fakte.

Së pari, shqyrto çfarë nuk bëri Jehovai. Nuk e la Abrahamin ta flijonte të birin, ndonëse Abrahami ishte përgatitur për këtë, dhe, që nga ajo kohë, nuk ia ka kërkuar një gjë të tillë askujt tjetër. Jehovai do që të gjithë adhuruesit e tij, përfshirë fëmijët, të mos vdesin, por të kenë jetë të gjatë e të kënaqshme.

Së dyti, Bibla lë të kuptohet se Jehovai kishte një arsye të veçantë pse i kërkoi Abrahamit të flijonte Isakun. Perëndia e dinte se mjaft shekuj më vonë do ta lejonte Jezuin të vdiste për ne. Ai ishte krijesa e tij e parë në qiell të cilin e quajti Bir * të tij. (Mateu 20:28) Jehovai donte që ne të kuptonim sa shumë do t’i kushtonte kjo sakrificë. Me atë që i kërkoi Abrahamit, ai demonstroi qartë flijimin që do të ndodhte në të ardhmen. Në ç’mënyrë?

Shqyrto fjalët që Jehovai i tha Abrahamit: «Merre birin tënd, të lutem, birin tënd të vetëm që e do kaq shumë, Isakun, dhe . . . flijoje si një blatim të djegur.» (Zanafilla 22:2) Vër re se Jehovai iu referua Isakut si biri «që e do kaq shumë». Ai e dinte sa i çmuar ishte Isaku për Abrahamin. Perëndia dinte edhe si ndihej Ai vetë për Birin e tij, Jezuin. E donte kaq shumë Jezuin, saqë foli dy herë nga qielli, dhe e quajti «Biri im, i dashuri».​—Marku 1:11; 9:7.

Gjithashtu, vër re se kërkesa që i bëri Jehovai Abrahamit përfshinte fjalën «të lutem». Një studiues biblik sugjeron se, fakti që përdori këtë fjalë, «ZOTI e kupton sa shumë i kushton kërkesa e tij Abrahamit». Siç mund ta përfytyrojmë, ajo kërkesë do ta hidhëronte thellësisht Abrahamin. Po kështu, zor se mund ta përfytyrojmë dhembjen e thellë që duhet të ketë ndier Jehovai, teksa shihte Birin e tij të dashur të vuante e të vdiste. Pa dyshim, ishte dhembja më e madhe që Jehovai ka ndier ose do të ndiejë ndonjëherë.

Prandaj, ndonëse mund të rrëqethemi kur mendojmë për atë që Jehovai i kërkoi Abrahamit, do të jemi të mençur nëse kujtojmë se Jehovai nuk e lejoi atë patriark besnik ta çonte deri në fund flijimin. Ai i kurseu Abrahamit humbjen më të madhe që mund të përjetojë një prind; e mbrojti Isakun nga vdekja. Megjithatë, Jehovai nuk mbrojti «Birin e vet, por e dorëzoi për të gjithë ne». (Romakëve 8:32) Pse iu nënshtrua një vuajtjeje kaq të tmerrshme Jehovai? E bëri këtë që «ne të fitonim jetën». (1 Gjonit 4:9) Çfarë përkujtuesi i fuqishëm i dashurisë që Perëndia ka për ne! A nuk nxitemi që t’i tregojmë dashuri në këmbim? *

[Shënimet]

^ par. 5 Bibla nuk mëson se Perëndia e ngjizi Jezuin në kuptimin e mirëfilltë me anë të një gruaje. Por, Jehovai e krijoi si krijesë engjëllore dhe më vonë e dërgoi në tokë që të lindte nga virgjëresha Mari. Pra, si Krijuesi i Jezuit, Perëndia mund të quhet me të drejtë Ati i tij.

^ par. 8 Për të mësuar më tepër pse ishte e nevojshme vdekja e Jezuit dhe si ta tregojmë mirënjohjen për të, shih kapitullin 5 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?