Lexuesit pyesin . . .
A do të shkatërrohet toka?
▪ Disa mendonin se toka do të shkatërrohej më 21 tetor 2011. Por kjo nuk ndodhi. Kështu doli huq profecia e një spikeri radioje në Amerikë, Harold Kampingut. Ai parashikoi se dita e gjykimit do të vinte më 21 maj 2011: në mbarë globin do të binte një tërmet i llahtarshëm dhe, pesë muaj më vonë, më 21 tetor, toka do të shfarosej.
Gjithsesi, toka nuk do të shkatërrohet kurrë. Krijuesi i saj nuk do ta lejojë. Fjala e tij thotë: «E ke bërë tokën të patundur, që të mbetet përgjithnjë.»—Psalmi 119:90.
Megjithatë, disa lexues të Biblës mund të kundërshtojnë e të thonë se këtë planet do ta përpijë zjarri. Për të mbështetur pikëpamjen e tyre, e drejtojnë vëmendjen te 2 Pjetrit 3:7, 10: «Me anë të së njëjtës fjalë, qiejt dhe toka që janë tani, janë ruajtur për zjarrin dhe po rezervohen për ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm. . . . E megjithatë, dita e Jehovait do të vijë si një hajdut, në të cilën qiejt do të kalojnë me një zhurmë vërshëllyese, kurse elementët, duke qenë tejet të nxehtë, do të shpërbëhen, dhe toka e veprat në të do të zbulohen.» A duhen marrë në kuptimin e mirëfilltë fjalët e apostullit Pjetër?
Përgjigjja është jo. Pse jo? Sepse interpretimi i këtyre vargjeve duhet harmonizuar me kontekstin e letrës së Pjetrit dhe me pjesën tjetër të Biblës. Po t’i marrim në kuptimin e mirëfilltë këto vargje, i bie që qiejt ose universi—miliarda e miliarda yjet dhe çdo materie tjetër—të konsumohen nga zjarri vetëm ngaqë një grimcë e kësaj pafundësie ka njerëz të ligj. A do të shkatërroje kilometra të tërë bregdeti me rërë vetëm se një kokrrizë nuk të pëlqen? S’do të kishte kuptim. Prandaj, as Jehovai s’do ta shkatërrojë gjithë universin që ka krijuar, vetëm ngaqë në një nga veprat e tij krijuese shpërtheu rebelimi.
Për më tepër, një pikëpamje e tillë bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me fjalët e Jezu Krishtit: «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën.» (Mateu 5:5; Psalmi 37:29) A do të ndërtonte një baba i dashur një shtëpi të rehatshme për familjen me qëllim që ta shkrumbonte më pas? (Psalmi 115:16) As që mendohet. Jehovai nuk është vetëm Krijuesi, por edhe një Atë i dashur.—Psalmi 103:13; 1 Gjonit 4:8.
Pjetri e përdor termin «tokë» në kuptim të figurshëm. Ai e ka fjalën për shoqërinë njerëzore, në këtë rast për shoqërinë e ligë njerëzore. Vër re se Pjetri bën një paralelizëm me Përmbytjen e ditëve të Noesë. (2 Pjetrit 3:5, 6) Në atë kohë u shkatërruan vetëm njerëzit e ligj, kurse toka dhe Noeja i drejtë me familjen mbijetuan. Po njësoj, edhe «qiejt» që përmendi Pjetri janë simbolikë. Në këtë rast, «qiejt» i referohen sundimit njerëzor. Kështu, të ligjtë e pandreqshëm nuk do të jenë më, sikurse tërë qeveritë e liga, të cilat do të shpërbëhen dhe do të zëvendësohen nga sundimi qiellor i Perëndisë ose Mbretëria e tij qiellore.—Danieli 2:44.
Atëherë, a do të shkatërrohet planeti Tokë? Jo. Ajo që do të marrë fund është toka simbolike ose shoqëria e ligë njerëzore. Toka e mirëfilltë dhe shoqëria e ardhshme me njerëz të perëndishëm do të ekzistojnë përgjithmonë.—Proverbat 2:21, 22.