A e dini?
A e dini?
A u binin vërtet fyejve nëpër funerale në ditët e Jezuit?
▪ Bibla thotë se fyejve u binin në raste festash. (1 Mbretërve 1:40; Isaia 5:12; 30:29) Ajo tregon se u binin edhe gjatë funeraleve. Në këto raste, të vetmet instrumente që përmenden, janë fyejt. Sipas Ungjillit të Mateut, një kre jude i kërkoi Jezuit t’i shëronte të bijën, e cila ishte në prag të vdekjes. Por, kur Jezui mbërriti në shtëpinë e kreut, «vuri re fyelltarët dhe turmën në rrëmujë», ngaqë fëmija kishte vdekur.—Mateu 9:18, 23.
A është i saktë dokumentimi i Mateut për këtë zakon? Përkthyesi biblik Uilliam Barkli thotë: «Në pjesën më të madhe të botës së lashtë: në Romë, në Greqi, në Feniki, në Asiri e në Palestinë, përdorimi i fyellit nëpër vajtime lidhej pandashmërisht me vdekjen dhe me tragjedinë.» Sipas Talmudit, gjatë shekujve të parë të e.s., edhe judeu më i varfër që mbetej vejan, merrte dy fyelltarë dhe një vajtuese që të qante të shoqen e vdekur. Jozef Flavi, historian i shekullit të parë, dokumenton se, kur në Jerusalem arriti lajmi se romakët kishin pushtuar Jotapatën e Galilesë, si dhe lajmi për masakrën e banorëve të saj në vitin 67 të e.s., «mjaft të pikëlluar punësuan fyelltarë që të shoqëronin këngët e përvajshme në funerale».
Ç’krim kishin bërë keqbërësit që u ekzekutuan përkrah Jezuit?
▪ Bibla i quan «kusarë» këta keqbërës. (Mateu 27:38; Marku 15:27) Disa fjalorë biblikë tregojnë se Shkrimet nuk përdorin të njëjtën fjalë për kategori të ndryshme kriminelësh. Fjala greke kleptes përshkruan një hajdut që vepron fshehurazi që të mos e zbulojnë. Kjo fjalë përdoret për Judë Iskariotin, i cili vodhi fshehurazi nga arka e parave që mbanin dishepujt. (Gjoni 12:6) Nga ana tjetër, fjala lestes zakonisht i referohet dikujt që plaçkit me dhunë. Madje i referohet edhe një revolucionari, një rebeli ose një guerilasi. Ata që u ekzekutuan me Jezuin ishin të llojit të dytë. Në fakt, është raportuar se njëri prej tyre ka thënë: «Po marrim plotësisht atë që meritojmë për ato që bëmë.» (Luka 23:41) Kjo do të nënkuptonte se nuk ishin fajtorë thjesht për vjedhje.
Si ata dy kusarë, Baraba quhet lestes. (Gjoni 18:40) Pa dyshim, ai ishte më tepër se një hajdut i thjeshtë. Kjo duket qartë nga Luka 23:19, ku thuhet se «e kishin futur në burg sepse kishte nxitur një kryengritje në qytet dhe për vrasje».
Pra, keqbërësit e ekzekutuar me Jezuin kishin kryer plaçkitje, por ka mundësi të ishin përfshirë edhe në kryengritje e madje në vrasje. Sido të ketë qenë, guvernatori romak Ponc Pilati mendonte se e meritonin ekzekutimin me vënie në shtyllë.