Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

ÇFARË e nxiti një kultivues duhani të ndryshonte jo vetëm punën, por edhe bindjet fetare të rrënjosura thellë? Si gjeti forcë një e alkoolizuar të ndryshonte mënyrën e jetesës? Lexoni përvojat e tyre.

«Më pëlqen shumë që jam pjesë e kësaj familjeje të madhe.»​—DINO ALI

LINDUR: 1949

VENDI I LINDJES: AUSTRALIA

MË PARË: KULTIVUES DUHANI

E KALUARA IME: Prindërit emigruan nga Shqipëria në vitin 1939 dhe u vendosën në Maribë, një qytet i vogël në Kuinsland të Australisë. Në këtë zonë erdhën të jetonin edhe mjaft boshnjakë, grekë, italianë, serbë etj, duke sjellë me vete vlerat, zakonet e kulturën e tyre. Mariba ishte zonë ku kultivohej duhani dhe prindërit nisën të merreshin me rritjen e tij.

Shumë shpejt lindi motra e madhe, pastaj dy vëllezërit më të mëdhenj dhe unë. Mjerisht, babai vdiq nga një infarkt në zemër kur isha një vjeç. Mamaja u martua sërish e lindi katër djem të tjerë. Të gjithë u rritëm në fermën e duhanit të njerkut.

U largova nga shtëpia kur isha adoleshent. Në fillim të të 20-ave u martova me Sajmën në xhami, meqë të dy ishim myslimanë. Të gjithë të afërmit e mi i përkitnin fesë islame. Atëherë lexoja Kuranin dhe një libër për historinë e profetit Muhamed. Në të njëjtën kohë, lexoja edhe një Bibël të vogël. Kurani flet për profetët e përmendur në Bibël dhe leximi i Biblës më ndihmoi të kuptoja kur jetuan.

Dëshmitarët e Jehovait na vinin në shtëpi dhe linin rregullisht revista e libra që na pëlqente t’i lexonim. Më kujtohet që bënim shumë biseda interesante me Dëshmitarët për tema fetare të ndryshme. Në çdo rast ata më përgjigjeshin nga Bibla, në vend që të thoshin mendimin e vet. Kjo më bënte mjaft përshtypje.

Dëshmitarët më nxitnin të studioja Biblën me ta dhe më ftonin në mbledhjet e tyre, por unë refuzoja gjithnjë. Në atë kohë doja vetëm të kisha një fermë timen dhe një familje të madhe. Kurrë nuk pata një fermë timen, por me kalimin e kohës u bëra me pesë fëmijë dhe isha krenar për ta.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Megjithëse takohesha me Dëshmitarët e Jehovait prej nëntë vjetësh, nuk i kisha ndryshuar ende bindjet fetare. Gjithsesi, më pëlqente t’i merrja e t’i lexoja tërë botimet e tyre. Çdo të diel, unë dhe Sajma e kishim zakon t’i lexonim. I ruanim të gjitha revistat që kishim marrë ndër vite. Ato na ndihmuan jashtë mase kur të tjerët filluan të sprovonin besimin që po më rritej në zemër.

Njëherë takova një predikues evangjelist i cili u përpoq të më bënte presion të pranoja Jezuin si Shpëtimtarin tim. Ia kishte mbushur mendjen vëllait të Sajmës dhe një prej gjysmëvëllezërve të mi që t’i shkonin pas. S’kaloi shumë dhe disa të njohur të të gjitha prejardhjeve fetare u përpoqën të më bindnin të bashkohesha me grupet e tyre fetare. Disa më dhanë literaturë kundër Dëshmitarëve të Jehovait. U kërkoja atyre kritikëve të më tregonin nga Bibla arsyet e doktrinave që mësonin, por nuk më jepnin dot përgjigje.

Gjithë ai kundërshtim vetëm sa më nxiti të gërmoja më tepër në Bibël e të bëja më shumë kërkime, duke përdorur literaturën që kisha grumbulluar nga Dëshmitarët. Më në fund, kuptova se kishte ardhur koha të veproja sipas asaj që po mësoja.

Nuk e studioja Biblën me ndonjë Dëshmitar; thjesht nisa të ndiqja mbledhjet e tyre. Në fillim ndihesha shumë në siklet dhe isha tepër i ndrojtur, por në ato mbledhje takova mjaft njerëz miqësorë dhe më kënaqte ajo që mësoja. E ndava mendjen të bëhesha Dëshmitar i Jehovait dhe, më 1981, e simbolizova kushtimin ndaj Perëndisë me anë të pagëzimit.

Gruaja nuk e kundërshtoi vendimin tim, edhe pse ndonjëherë dyshonte se mos më mashtronin. Prapëseprapë erdhi në pagëzimin tim. Vazhdoja t’i flitja për të vërtetat e shumta që po mësoja. Rreth një vit pas pagëzimit, teksa ktheheshim me makinë nga pushimet, Sajma shprehu dëshirën të bëhej Dëshmitare. Aq u habita, sa gati më shkau timoni nga duart. Ajo u pagëzua në vitin 1982.

S’ishte e lehtë të bënim ndryshimet e nevojshme në mënyrën e jetesës. Nuk kultivoja më duhan, pasi kjo ishte në kundërshtim me parimet biblike. (2 Korintasve 7:1; Jakovi 2:8) Na u desh ca kohë para se të gjenim punë të përshtatshme që siguronte të ardhura të vazhdueshme. Gjithashtu, për shumë vjet më pas, disa nga të afërmit nuk donin të na vinin në shtëpi. Përpiqeshim të silleshim sipas parimeve biblike duke u treguar dashuri. Pak nga pak, pengesat u sheshuan dhe të afërmit e ngushtë nuk na shmangin më.

DOBITË: Sprovat e ndryshme, si mposhtja e turpit, përballimi i anktheve financiare e kundërshtimi familjar, më kanë mësuar sa durim tregon Perëndia Jehova teksa më ndihmon t’i kapërcej problemet. Për shembull, tani shërbej si plak kongregacioni dhe shpesh duhet të mësoj të tjerët nga podiumi. Kjo është akoma sfidë për mua, sepse nga emocionet ende luftoj me belbëzimin. Por me anë të lutjeve të pareshtura dhe falë ndihmës së Jehovait, arrij ta mbaj këtë privilegj.

Jam lidhur më tepër me gruan dhe tani gëzojmë një marrëdhënie tejet të çmuar. Kemi bërë gabime teksa rritnim fëmijët, por jemi përpjekur shumë t’u ngulitnim të vërtetat biblike që mësuam. (Ligji i përtërirë 6:6-9) Djali i madh me të shoqen tani shërbejnë si misionarë.

Më kujtohet një rast pak pasi filluam të ndiqnim familjarisht mbledhjet e Dëshmitarëve. Parkova makinën dhe pashë se salla ishte plot me njerëz. Pyeta familjen: «Çfarë shikoni?» Kishte njerëz të kulturave, të prejardhjeve dhe të gjuhëve të ndryshme: aborigjenë, australianë, kroatë e shqiptarë. Prapëseprapë ishin mbledhur të lumtur së bashku. Më pëlqen shumë që jam pjesë e kësaj familjeje të madhe me motra e vëllezër në besim, e cila nuk ekziston vetëm në Australi, por në gjithë botën.​—1 Pjetrit 5:9.

«Motra kurrë nuk hoqi dorë nga unë.»​—JELENA-VLADIMIROVNA SJOMINA

LINDUR: 1952

VENDI I LINDJES: RUSIA

MË PARË: E ALKOOLIZUAR, TENTOI TË VETËVRITEJ

E KALUARA IME: Linda në Krasnogorsk, qytet i vogël e paqësor pranë Moskës. U rrita në një familje arsimtarësh. Isha nxënëse e mirë dhe bëra shkollën e muzikës. E ardhmja dukej e ndritur.

Kur u martova, bashkë me burrin shkuam të jetonim në një zonë ku ishte e zakonshme të mallkoje, të deheshe e të pije duhan. Atëherë s’e kuptoja, por ai ambient ndikoi keq tek unë. Në fillim shkoja në festa thjesht që të këndoja e t’i bija kitarës. Por, sa vija këmbët, njerëzit më ftonin të pija duhan e alkool me ta. Shpejt u bëra e alkoolizuar.

Ky ves nisi të ma shkatërronte jetën. Pas ca kohësh gjendja ime u përkeqësua aq shumë, sa edhe oreksi më iku. Doja të vdisja dhe u përpoqa të vritja veten. Shyqyr që nuk ia dola mbanë.

Gjatë gjithë kësaj kohe, motra më takonte rregullisht. Ajo ishte bërë Dëshmitare e Jehovait dhe përpiqej të më shpjegonte si mund të më ndihmonte Bibla. Në fillim i shmangesha sime motre, pasi nuk më interesonte Bibla. Por motra kurrë nuk hoqi dorë nga unë. Tregoi kaq shumë durim e dashuri, sa në fund pranova të studioja Biblën.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Pasi nisa të studioja Biblën, vendosa ta lija pijen. Në atë kohë më sulmoi e më rrahu një fqinj i pirë. Përfundova në spital në gjendje të rëndë. Më ishin thyer katër brinjë dhe njëra retinë më ishte dëmtuar. Gjithsesi, qëndrimi në spital më ndihmoi t’i kaloja më lehtë simptomat e lënies së alkoolit.

Në atë kohë lutesha pa pushim. Dy vargje biblike që më dhanë shumë zemër gjenden te Vajtimet 3:55, 56: «Nga njëra prej gropave më të thella, thirra emrin tënd, o Jehova! Dëgjoma zërin! Mos i mbyll veshët kur të kërkoj lehtësim dhe kur të thërras për ndihmë.»

Besoj vërtet se Jehovai iu përgjigj lutjeve të mia. Ai më dha forcën të mos sprapsesha. Kishte momente kur tundohesha ta rinisja pijen. Jam e kënaqur që nuk iu dorëzova kurrë atij tundimi.

Teksa përparoja me studimin e Biblës, mësova se duhej të mbështetja burrin në rolin si kreu i familjes. (1 Pjetrit 3:1, 2) Kjo s’ishte e lehtë për mua, pasi isha mësuar të bëja rolin e shefes me të. Iu luta Jehovait për ndihmë. Nuk ndryshova sa hap e mbyll sytë, por gradualisht u bëra bashkëshorte më e mirë dhe e mbështetja më tepër tim shoq.

Kur pa këto ndryshime, burri im i dashur u mahnit. Deri në atë moment, nuk i kishte interesuar Bibla. Por, kur vendosa të lija duhanin, tha: «Po e le duhanin, do të studioj Biblën.» E lamë duhanin në të njëjtën ditë.

DOBITË: Ai e mbajti fjalën dhe nisi të studionte Biblën. Tani e lexojmë së bashku Biblën çdo ditë, meditojmë për atë që lexojmë dhe përpiqemi t’i vëmë në jetë këshillat e saj.

Nuk e përshkruaj dot me fjalë sa shumë është përmirësuar jeta jonë familjare, pa përmendur dobitë që kam nxjerrë vetë. I jam mirënjohëse Jehovait që më ka tërhequr. (Gjoni 6:44) I jam mirënjohëse edhe motrës, e cila kurrë nuk hoqi dorë nga unë. Si rezultat, e kam parë me sytë e mi se Bibla të ndryshon vërtet jetën.

[Diçitura në faqen 11]

Kuptova se kishte ardhur koha të veproja

[Diçitura në faqen 13]

Motra tregoi kaq shumë durim e dashuri, sa në fund pranova të studioj Biblën