Si të kemi një familje të lumtur?
Kur fëmija adoleshent vë në dyshim besimin tënd
Teksa rriten, mjaft të rinj zgjedhin fenë e prindërve. (2 Timoteut 3:14) Ndërsa të tjerë jo. Ç’mund të bësh nëse fëmija yt që po rritet, nis të vërë në dyshim besimin tënd? Ky artikull do të shpjegojë si e përballojnë këtë sfidë Dëshmitarët e Jehovait.
«Nuk dua ta ndjek më fenë e prindërve. Thjesht mendoj ta lë.»—Kora, 18 vjeçe. *
TI JE i bindur se feja jote mëson të vërtetën për Perëndinë. Beson se Bibla nxit mënyrën më të mirë të jetesës. Prandaj, natyrshëm përpiqesh t’i ngulitësh fëmijës vlerat e tua. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Po sikur fëmijës të mos i interesojë më besimi teksa rritet? * Po nëse fillon të vërë në dyshim fenë që dukej se e pranonte tërë zell kur ishte i vogël?—Galatasve 5:7.
Nëse po ndodh kjo, mos nxirr përfundimin se ke dështuar si prind i krishterë. Siç do ta shohim, mund të përfshihen edhe faktorë të tjerë. Megjithatë mbaj në mendje: mënyra si reagon ndaj dyshimeve të adoleshentit, fare mirë mund të përcaktojë nëse do të zgjedhë t’i afrohet apo t’i largohet edhe më tepër besimit tënd. Po t’i shpallësh luftë, do të bësh një betejë të mundimshme, betejë që është thuajse e sigurt se do ta humbësh.—Kolosianëve 3:21.
Është shumë më mirë t’ia vësh veshin këshillës së apostullit Pavël. Ai shkroi: «Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël me të gjithë, i kualifikuar për të mësuar, ta frenojë veten.» (2 Timoteut 2:24) Si mund të tregosh se je «i kualifikuar për të mësuar» nëse adoleshenti vë në dyshim besimin tënd?
Trego aftësi dalluese
Së pari, përpiqu të dallosh faktorët që ndoshta po ndikojnë te qëndrimi i adoleshentit. Për shembull:
-
A ndihet i vetmuar e pa shokë në kongregacionin e krishterë? «Ngaqë doja shoqe, zura shoqëri në shkollë dhe, për një kohë të gjatë, kjo më pengoi t’i afrohesha Perëndisë. Kryesisht për
shkak të shoqërisë së keqe nuk më interesonte më feja dhe tani ndiej shumë keqardhje për këtë.»—Lenora, 19 vjeçe. -
A i mungon besimi te vetja, ndaj e ka të vështirë të flasë për bindjet e tij? «Kur isha në shkollë, ngurroja të flitja për bindjet e mia me shokët e klasës. Kisha frikë se mos u dukesha i çuditshëm ose ‘shenjtor’. Të gjithë fëmijët që ishin ndryshe nuk pranoheshin në shoqëri, dhe s’doja të isha një prej tyre.»—Ramoni, 23 vjeç.
-
A i duket mbytëse jetesa sipas normave të krishtere? «Më duket sikur premtimi biblik për jetën e përhershme është majë shkallëve të larta, kurse unë as që kam filluar të ngjitem. Jam shumë, shumë larg. Kisha kaq frikë t’i ngjitja shkallët, sa mendova të hiqja dorë nga besimi.»—Reneja, 16 vjeçe.
Fol me të
Cili mund të jetë problemi i vërtetë që po kalon fëmija yt adoleshent? Mënyra më e mirë për ta kuptuar është ta pyesësh. Por bëj kujdes që biseda të mos kthehet në debat. Përkundrazi, zbato këshillën e Jakovit 1:19: ‘Ji i shpejtë në të dëgjuar, mos u nxito në të folur e mos u zemëro shpejt.’ Tregohu i duruar me të. Ji «gjithë shpirtgjerësi dhe art mësimdhënieje», siç do të bëje me dikë jashtë familjes.—2 Timoteut 4:2.
Për shembull, nëse adoleshenti nuk do që të vijë në mbledhjet e krishtere, përpiqu të zbulosh se mos e shqetëson diçka tjetër. Por këtë bëje me durim. Prindi në dialogun e mëposhtëm s’arrin t’ia prekë zemrën të birit.
Djali: Nuk më pëlqen më të shkoj në mbledhje.
Babai: [me ton të ashpër] Ç’do të thuash nuk më pëlqen më?
Djali: Më duken të mërzitshme dhe kaq.
Babai: Pse kështu ndihesh për Perëndinë ti? Të duket i mërzitshëm? S’e ke mirë punën kështu. Të pëlqen apo jo, për sa kohë je në këtë shtëpi, do të vish me ne, pikë.
Perëndia u kërkon prindërve t’i mësojnë fëmijët për të. Ndërsa fëmijët duhet t’u binden prindërve. (Efesianëve 6:1) Sidoqoftë, ti nuk do që fëmija yt të ndjekë verbërisht rutinën tënde fetare e të vijë me pahir në mbledhjet e krishtere. Po të ishte e mundur, do të doje që ai të përfshihej me gjithë zemër në to.
Këtë ke më tepër shanse ta arrish nëse ia del të dallosh rrënjën e problemit që mbase po ndikon te qëndrimi i tij. Me këtë në mendje, shqyrto si do të shkonte më mirë biseda e mësipërme.
Djali: Nuk më pëlqen më të shkoj në mbledhje.
Babai: [me qetësi] Pse mendon kështu?
Djali: Më duken të mërzitshme dhe kaq.
Babai: Mund të jetë e mërzitshme të rrish ulur për një a dy orë. Por, çfarë është më e vështirë për ty?
Djali: S’e di. Thjesht do të doja të isha diku tjetër.
Babai: Po shokët e tu, kështu mendojnë?
Djali: Ky është problemi. Nuk kam asnjë shok, të paktën jo më. Që kur u transferua shoku im i ngushtë, më duket se s’kam me
kë të flas. Të gjithë janë për bukuri, kurse unë ndihem kaq i lënë mënjanë.Duke e ndihmuar adoleshentin të shprehet lirshëm, babai në situatën e mësipërme jo vetëm që shkon në rrënjë të problemit, në këtë rast vetmia, por fiton edhe besimin e të birit. Kështu i lë hapur dyert e komunikimit për biseda të mëtejshme.—Shih kutinë shoqëruese «Ji i duruar».
Me kalimin e kohës, shumë të rinj mësojnë se, po të përballen me vështirësitë që i pengojnë t’i afrohen Perëndisë, zakonisht do të ndihen më mirë me veten dhe me besimin e tyre. Mendo për Ramonin, të riun e përmendur më sipër, i cili dridhej qoftë edhe nga ideja që të identifikohej në shkollë si i krishterë. Më vonë, Ramoni kuptoi se nuk ishte dhe aq tronditëse të fliste për besimin, edhe kur e tallnin.
Ai tregon: «Një herë në shkollë, një shok po tallej me mua për besimin tim. U vura vërtet në siklet dhe ndjeva se po dëgjonte e gjithë klasa. Pastaj vendosa ta ktheja bisedën duke e pyetur për besimin e tij. Për habinë time, më shumë në siklet u vu ai. Atëherë zbulova se mjaft të rinj s’i kuptojnë bindjet e tyre fetare. Të paktën, unë mund t’i shpjegoj bindjet e mia. Kur bie fjala te besimi, ata që duhet të ndihen në siklet janë shokët e klasës, jo unë.»
SUGJERIM: Nxite adoleshentin të shprehet si ndihet si i krishterë. Sipas tij, ç’dobi ka? Cilat vështirësi has? A ka më tepër dobi se vështirësi? Nëse po, cilat janë? (Marku 10:29, 30) Fëmija yt adoleshent mund t’i shkruajë mendimet në dy kolona: në të majtë vështirësitë dhe në të djathtë dobitë. Kur sheh të dhënat në letër, mund ta ketë më të lehtë të identifikojë problemin dhe të gjejë një zgjidhje.
‘Fuqia për të arsyetuar’ e adoleshentit
Prindërit dhe ekspertët kanë vërejtur se fëmijët e vegjël mendojnë krejt ndryshe nga adoleshentët. (1 Korintasve 13:11) Në përgjithësi, fëmijët e vegjël i marrin gjërat shabllon, bardhë e zi, kurse adoleshentët priren të arsyetojnë në mënyrë abstrakte. Për shembull, një fëmije të vogël mund t’i thuash se të gjitha gjërat i ka krijuar Perëndia. (Zanafilla 1:1) Ndërsa një adoleshent mund ta mundojnë pyetje të tilla, si: «Nga e di që ka Perëndi? Pse do ta lejonte ligësinë një Perëndi i dashur? Si ka mundësi që Perëndia ka ekzistuar gjithmonë?»—Psalmi 90:2.
Ndoshta nga këto pyetje mendon se adoleshenti po bën një hap prapa në besim. Por, ç’është e vërteta, fare mirë mund të jetë një hap para. Në fund të fundit, pyetjet mund të jenë aspekt i rëndësishëm i rritjes së besimit të një të krishteri.—Veprat 17:2, 3.
Për më tepër, adoleshenti po mëson të përdorë ‘fuqinë për të arsyetuar’. (Romakëve 12:1, 2) Si rrjedhojë arrin të kuptojë cila është «gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia» e besimit të krishterë në një mënyrë që s’do ta kuptonte dot po të ishte fëmijë. (Efesianëve 3:18) Më shumë se kurrë, tani është koha ta ndihmosh adoleshentin të arsyetojë për bindjet e tij që të bëhet krejtësisht i bindur për besimin.—Proverbat 14:15; Veprat 17:11.
SUGJERIM: Bashkë me adoleshentin kthehuni te mësimet bazë dhe rishikoni tema që si ti, edhe ai, mund t’i keni marrë si të mirëqena. Për shembull, nxite të mendojë për pyetje, si: «Ç’më bind mua se ka Perëndi? Ç’prova shoh se Perëndia interesohet për mua? Pse mendoj se është gjithnjë në të mirën time t’u bindem ligjeve të Perëndisë?» Ki kujdes të mos ia imponosh pikëpamjet e tua. Përkundrazi, ndihmoje të formojë bindjet e veta. Kështu do ta ketë më të lehtë të bëhet i vendosur në besim.
«U binde të besoje»
Bibla flet për të riun Timote, i cili i njihte shkrimet e shenjta «që nga foshnjëria». Gjithsesi, apostulli Pavël e nxiti: «Vazhdo në gjërat që mësove dhe u binde të besoje.» (2 Timoteut 3:14, 15) Si Timoteu, mund ta kesh mësuar që nga lindja adoleshentin sipas normave biblike. Por tani të duhet ta bindësh që të formojë bindjet e veta.
Libri Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 1, thotë: «Për sa kohë fëmija jeton nën të njëjtën çati me ju, keni të drejtën t’i kërkoni që të ndjekë rutinën tuaj frymore. Megjithatë, synimi juaj është që në fund t’i ngulitni fëmijës në zemër dashurinë për Perëndinë—jo thjesht ta shtyni t’i bëjë gjërat mekanikisht.» Me këtë synim në mendje mund ta ndihmosh adoleshentin ‘ta forcojë besimin’. Kështu besimi do të bëhet edhe mënyra e tij e jetesës, jo vetëm jotja. *—1 Pjetrit 5:9.
^ par. 4 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.
^ par. 5 Për thjeshtësi, në këtë artikull adoleshentëve do t’u referohemi në gjininë mashkullore. Gjithsesi, parimet vlejnë për të dyja gjinitë.
^ par. 40 Për më shumë informacion, shih Kullën e Rojës të 1 majit 2009, faqet 10-12 dhe Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 1, faqet 315-318.
PYET VETEN . . .
-
Si reagoj kur fëmija vë në dyshim bindjet e mia?
-
Si mund ta përdor këtë artikull që të përmirësoj mënyrën si reagoj?