Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’të keqe ka spiritizmi?

Ç’të keqe ka spiritizmi?

Ç’të keqe ka spiritizmi?

Barbara * që në moshë të re shikonte vegime, dëgjonte zëra dhe ishte e bindur se kishte lidhje me të afërmit e vdekur. Ajo dhe i shoqi, Joakimi, lexonin libra për okultizmin dhe u bënë mjeshtra në leximin e letrave tarot. Këto tregonin se do të bënin goxha para, dhe kështu ndodhi me biznesin e tyre. Një ditë, letrat i paralajmëruan se në shtëpi do t’u shkonin njerëz të rrezikshëm dhe u shpjeguan si të mbroheshin.

EDHE pse në dukje okultizmi është i vjetruar, interesi për dukuritë e mbinatyrshme është mjaft i madh. Njerëz në mbarë botën mbajnë nuska, përdorin tabela falli dhe konsultohen me mediume që të dinë fatin ose që të mbrohen nga e liga. Në një artikull me titull «Laptopi dhe Luciferi», revista gjermane Focus thotë: «Interneti po i jep një impuls të ri shtrigërisë.»

A e dini se Bibla flet për spiritizmin? Mund të habiteni nga ajo që tregon për këtë temë.

Çfarë thotë Bibla për spiritizmin?

Në ligjin që Perëndia i dha popullit të tij, Izraelit të lashtë, thuhej: ‘Mes teje të mos gjendet asnjë që hedh fall, që merret me magji, që kërkon ogure, ndonjë shtrigë, ndonjë që ysht të tjerët, që këshillohet me një medium ose me dikë që ka si zanat parathënien e ngjarjeve a ndonjë që pyet të vdekurit. Sepse ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain.’ (Ligji i përtërirë 18:10-12) Pse një qëndrim kaq i prerë ndaj praktikave spiritiste?

Siç tregon edhe përvoja në fillim, mjaft veta besojnë se të gjallët mund të komunikojnë me të vdekurit dhe se informacioni që marrin me anë të okultizmit zë fill te të vdekurit. Këto bindje burojnë nga mësimi i shumë feve se pas vdekjes, njerëzit vazhdojnë të jetojnë në një botë frymërash. Krejt ndryshe, Bibla thotë: «Të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» (Eklisiastiu 9:5) Ajo i përshkruan të vdekurit si të jenë në gjumë të thellë dhe s’dinë fare çfarë ndodh rreth tyre. * (Mateu 9:18, 24; Gjoni 11:11-14) Nëse është kështu, lind pyetja: si mund t’i shpjegojmë lidhjet e njerëzve me botën e frymërave? Me kë komunikojnë?

Komunikimi me frymërat

Në tregimet e ungjijve lexojmë se, kur Jezui ishte në tokë, iu desh të përballej me frymërat. Marku 1:23, 24 tregon se ‘një frymë e ndyrë’ i tha Jezuit: «Unë e di shumë mirë cili je ti.» S’ka dyshim se frymërat e dinë edhe se cilët jeni ju. Po ju, a e dini cilët janë ata?

Para se të formonte njeriun, Perëndia krijoi një mori me bij frymorë ose engjëj. (Jobi 38:4-7) Engjëjt janë qenie më të larta se njerëzit. (Hebrenjve 2:6, 7) Ata janë të fuqishëm dhe tejet inteligjentë, të krijuar për të bërë vullnetin e Perëndisë. Psalmisti këndoi: «Bekoni Jehovain, ju, o engjëjt e tij shumë të fuqishëm, që përmbushni fjalën e tij.»​—Psalmi 103:20.

Bibla tregon se, me kalimin kohës, disa engjëj krijuan me njerëzit lidhje që Perëndia nuk i lejonte. Ç’motive patën? I pari që veproi kështu, përdori mashtrimin që ta largonte nga Perëndia e Krijuesi i tyre çiftin e parë njerëzor, Adamin dhe Evën. Kështu e shndërroi veten në Satana Djall, shpifës dhe kundërshtar të Perëndisë.​—Zanafilla 3:1-6.

Më vonë, engjëj të tjerë «e braktisën vendbanimin e tyre të duhur» në qiell, morën trupa njerëzorë dhe filluan të bashkëjetonin me gra tërheqëse në tokë. (Juda 6; Zanafilla 6:1, 2) Ata engjëj rebelë dhe pasardhësit e tyre hibridë i terrorizuan aq shumë njerëzit, sa toka «u mbush me dhunë». Ndoshta keni dëgjuar për historinë biblike ku thuhet se Perëndia i dha fund atij brezi të dhunshëm e të lig me anë të Përmbytjes në ditët e Noesë.​—Zanafilla 6:3, 4, 11-13.

Ujërat e përmbytjes i detyruan engjëjt që zbritën në tokë, të linin trupat që kishin marrë e të largoheshin në qiell. Por Krijuesi nuk i lejoi të ktheheshin në «vendbanimin» fillestar. Në vend të kësaj, u kufizuan në një gjendje të poshtëruar që krahasohet me ‘thellësinë e errësirës së dendur’. (2 Pjetrit 2:4, 5) Bibla i quan ‘demonë’ engjëjt rebelë. (Jakovi 2:19) Ata janë forca që fshihet pas spiritizmit.

Çfarë duan demonët?

Synimi kryesor pse frymërat e liga komunikojnë me njerëzit është që t’i largojnë nga adhurimi i Perëndisë së vërtetë, Jehovait. Ata që merren me okultizëm, pretendojnë se kanë dhunti ose fuqi të veçanta. Mirëpo, s’janë veçse shpërqendrime që njerëzit të mos marrin njohurinë e saktë për Perëndinë e të lidhin miqësi me të.

Synimi tjetër i demonëve mund të kuptohet nga orvatjet e udhëheqësit të tyre, Satanait, ndaj Jezuit. Satanai i ofroi atij «të gjitha mbretëritë e botës e lavdinë e tyre». Çfarë donte në këmbim? Ai e nxiti Jezuin ‘të binte përmbys dhe t’i bënte një akt adhurimi’. Pra, Satanai dhe demonët duan t’i adhurojmë. Por Jezui nuk pranoi të braktiste Perëndinë dhe adhurimin e vërtetë.​—Mateu 4:8-10.

Sot, frymërat e liga rrallëherë bëjnë hapur oferta të tilla. Më shumë përpiqen të zënë në kurth naivët me zbavitje në dukje të pafajshme, si sfera e kristaltë, shikimi i filxhanëve të kafesë, leximi i letrave tarot dhe horoskopi. Mos u mashtroni! Praktika të tilla nuk janë dyer që të çojnë drejt së panjohurës përmes forcave misterioze të natyrës. Frymërat e liga e përdorin kureshtjen për okultizmin si karrem që të zënë në grackë njerëzit, që t’i largojnë nga adhurimi i Jehovait. Kur nuk ia dalin, shpesh i ngacmojnë dhe s’i lënë rehat njerëzit që ngatërrohen me ta. Nëse ju ka ndodhur edhe juve kështu, ç’mund të bëni që të liroheni nga ndikimi i tyre?

Si të çliroheni nga spiritizmi?

Mos harroni, frymërat që komunikojnë me njerëzit janë armiq të Perëndisë dhe do të shkatërrohen. (Juda 6) Janë mashtrues dhe gënjeshtarë që hiqen si të vdekurit. Po të zbulonit se ai që e mbani si mik është një mashtrues i cili do t’ju privojë nga gjërat që janë në të mirën tuaj, si do të ndiheshit? Po të merrnit vesh se pa e ditur jeni lidhur me një maniak seksual në Internet, çfarë do të bënit? Të pleksesh me demonët është ku e ku më e rrezikshme. Duhet të bëni të pamundurën të shkëputni lidhjen me ta. Si ta bëni këtë?

Pasi mësuan ç’thoshin Shkrimet për spiritizmin, disa banorë të Efesit të lashtë kuptuan se duhej të shkatërronin librat e magjisë, edhe pse kushtonin shumë. Ata «i dogjën para të gjithëve». (Veprat 19:19, 20) Sot, gjërat që lidhen me okultizmin nuk përfshijnë vetëm librat, nuskat, tabelat e fallit e të tjera si këto, por edhe materiale nga burime elektronike. Shmangni çdo gjë që mund t’ju çojë drejt spiritizmit.

Ju kujtohet çifti i përmendur në fillim? Nga letrat tarot nxorën përfundimin se në shtëpi do t’u shkonin njerëz të rrezikshëm, të cilëve as duhej t’ua vinin veshin e as duhej të pranonin ndonjë gjë prej tyre. Gjithsesi, kur Koni dhe Gudruna, dy Dëshmitare të Jehovait, u trokitën në derë duke thënë se kishin një lajm të mirë për Perëndinë, Joakimi dhe Barbara vendosën t’i dëgjonin. Kur ra fjala për spiritizmin, ato u treguan ç’thonë vërtet Shkrimet për këtë temë. Kështu filluan biseda të rregullta biblike.

Shpejt Joakimi dhe Barbara vendosën të shkëputnin çdo lidhje me demonët. Dëshmitarët u shpjeguan se pritej që frymërat të acaroheshin me ta. Faktikisht, Joakimi dhe Barbara kaluan momente të vështira dhe hoqën shumë për shkak të sulmeve të frikshme demonike. Për njëfarë kohe, çdo natë ishin të tmerruar dhe u lehtësuan disi vetëm kur ndryshuan shtëpi. Gjatë asaj periudhe të vështirë ata u mbështetën plotësisht te fjalët e Filipianëve 4:13: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.» Jehovai e bekoi vendosmërinë e tyre dhe, me kalimin e kohës, frymërat nuk i ngacmuan më. Sot Joakimi dhe Barbara janë adhurues të lumtur të Perëndisë së vërtetë, Jehovait.

Shkrimet i inkurajojnë të gjithë ata që duan bekimin e Jehovait: «Nënshtrojuni Perëndisë dhe kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju. Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jakovi 4:7, 8) Perëndia Jehova ka aftësinë dhe do t’ju ndihmojë të çliroheni nga ndikimi i demonëve nëse dëshironi. Kur mendojnë si janë çliruar nga spiritizmi, Joakimi dhe Barbara bashkohen me gjithë zemër me fjalët e Psalmit 121:2: «Ndihma më vjen nga Jehovai.»

[Shënimet]

^ par. 2 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 7 Për një shqyrtim të hollësishëm të gjendjes së të vdekurve, shih kapitullin 6 «Ku janë të vdekurit?», në librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 21]

Okultizmi i pengon njerëzit të kenë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë

[Diçitura në faqen 22]

«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»​—JAKOVI 4:8