Lexuesit pyesin . . .
A është Triniteti mësim biblik?
▪ Doktrinën e Trinitetit e përkufizojnë në shumë mënyra. Një prej tyre është kjo: «Tre Persona hyjnorë (Ati, Biri, Shpirti i Shenjtë), dhe thuhet se secili prej tyre është i përjetshëm, i plotfuqishëm, as më i madh e as më i vogël se të tjerët, secili është Perëndi, e megjithatë të tre bashkë formojnë një Perëndi.» A e mëson Bibla këtë?
Zakonisht citohet Mateu 28:19 si bazë e kësaj doktrine. Bibla Simon Filipaj i përmend kështu fjalët e Jezuit: «Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!» Është e vërtetë se në këtë shkrim përmenden Ati, Biri dhe shpirti (ose fryma) e shenjtë. Megjithatë shkrimi nuk thotë se këto janë një. Jezui u dha si caktim dishepujve të tij judenj që t’i mësonin e t’i pagëzonin njerëzit në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë. Çfarë besonin judenjtë si komb?
Kur kombi i Izraelit mori besëlidhjen e Ligjit, e cila është pjesë e Biblës, iu dha urdhri: «Mos ki kurrë perëndi të tjera përveç meje.» (Ligji i përtërirë 5:7) Sa veta po flitnin këtu? Në mënyrë shumë të qartë, në Ligjin e përtërirë 6:4 lexojmë: «Dëgjo, o Izrael: Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova»—jo tre në një. Izraeli sapo ishte çliruar nga Egjipti, ku adhuroheshin Osirisi, Isida dhe Horusi (siç tregohen majtas)—një nga shumë perënditë triada. Prandaj, Izraeli u urdhërua të adhuronte vetëm një Perëndi. Sa e rëndësishme ishte ta kuptonin këtë urdhër? Një rabin, XH. H. Herci, tha kështu: «Kjo deklaratë madhështore për monoteizmin absolut ishte sikur t’i shpallje luftë gjithë politeizmit. . . . Shema e përjashton trinitetin e kredos së krishterë, sepse dhunon Unitetin e Perëndisë.» *
Meqë Jezui kishte lindur si jude, u udhëzua të ndiqte këtë urdhër. Kur Djalli e tundoi pas pagëzimit, ai tha: «Ik tutje, Satana! Sepse është shkruar: ‘Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.’» (Mateu 4:10; Ligji i përtërirë 6:13) Nga kjo ngjarje mund të mësojmë të paktën dy gjëra. Së pari, Satanai po përpiqej ta nxiste Jezuin të adhuronte dikë tjetër në vend të Jehovait. Kjo përpjekje do të kishte qenë absurde nëse Jezui do të ishte pjesë e të njëjtit Perëndi. Së dyti, Jezui e bëri të qartë se duhet adhuruar vetëm një Perëndi kur tha fjalët «vetëm atij» dhe jo «ne», që do ta kishte thënë po të ishte pjesë e një Triniteti.
Kur njerëzit marrin njohuri të saktë për Perëndinë dhe duan t’i shërbejnë, pagëzohen «në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë». (Mateu 28:19) E kuptojnë dhe e pranojnë autoritetin e Jehovait dhe rolin e Jezu Krishtit në plotësimin e qëllimit të Jehovait. (Psalmi 83:18; Mateu 28:18) Po ashtu kuptojnë funksionin dhe veprimin e frymës së shenjtë të Perëndisë që është forca e tij vepruese.—Zanafilla 1:2; Galatasve 5:22, 23; 2 Pjetrit 1:21.
Doktrina e Trinitetit i ka pështjelluar njerëzit për shekuj të tërë. Nga ana tjetër, Jezui i ndriçoi dishepujt dhe i drejtoi tek i vetmi Perëndi i vërtetë, te Jehovai.—Gjoni 17:3.
[Shënimi]
^ par. 5 Rrëfimi se Perëndia është një, siç shprehet te Shema, një lutje bazuar te Ligji i përtërirë 6:4, përbën një pjesë themelore të adhurimit në sinagogë.
[Burimi i figurës në faqen 23]
Musée du Louvre, Paris