Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet t’u besosh përshtypjeve të para?

A duhet t’u besosh përshtypjeve të para?

A duhet t’u besosh përshtypjeve të para?

NJË mjek po rrinte rehat-rehat në dhomën e ndenjjes dhe po shihte një program televiziv ku ishte i ftuar një ministër i qeverisë irlandeze. Pasi pa me vëmendje fytyrën e ministrit, mjeku vuri re diçka që mendoi se ishte tumor. Ai e këshilloi ministrin të vizitohej menjëherë.

Diagnoza doli e saktë. Ai mjek kishte atë që ndonjëherë quhet sy klinik, domethënë, aftësinë për ta diagnostikuar mirë pacientin thjesht duke e parë. Gjithsesi, disa mendojnë se kanë «sy klinik» kur bëhet fjalë për të gjykuar karakterin, personalitetin dhe besueshmërinë e të tjerëve.

Përgjatë shekujve, studiuesit janë përpjekur me metoda shkencore të zbulojnë karakterin e dikujt nëpërmjet pamjes. Ata e quajnë psikologjia e trupit. Sipas një enciklopedie, kjo është «pseudoshkencë që merret me veçoritë e personalitetit, të cilat supozohet të kuptohen nga tiparet e fytyrës ose struktura dhe forma e trupit». (Encyclopædia Britannica) Në shekullin e 19-të, antropologë si Fransis Galtoni, një kushëri i Çarls Darvinit, dhe kriminologë, si Çezare Lombrozo nga Italia, propozuan teori dhe teknika të ngjashme, që përgjithësisht janë harruar sot.

Megjithatë, mjaft veta besojnë se mund t’i bësh një gjykim të besueshëm dikujt thjesht duke i vëzhguar pamjen e jashtme. A duhen besuar përshtypjet e para?

Të gjykosh nga pamja

Një shembull tipik i gjykimit​—ose i gjykimit të gabuar—nga përshtypjet e para, gjendet në Bibël, te libri i parë i Samuelit. Perëndia Jehova i tha profetit Samuel të miroste një pjesëtar të shtëpisë së Jeseut si mbret të ardhshëm të Izraelit. Aty lexojmë: «Kur [bijtë e Jeseut] po hynin, ai vuri re Eliabin dhe menjëherë tha: ‘Me siguri para Jehovait gjendet i mirosuri i vet.’ Por Jehovai i tha Samuelit: ‘Mos i shiko pamjen dhe shtatin e lartë, sepse unë e kam hedhur poshtë. Perëndia nuk sheh si sheh njeriu, sepse njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh zemrën.’» E njëjta gjë u përsërit edhe me gjashtë djem të tjerë të Jeseut. Në fund, ndryshe nga sa kishin menduar profeti dhe Jeseu, Perëndia zgjodhi si mbret të ardhshëm të birin e tetë, Davidin, një djalosh të cilin askujt s’i shkoi ndër mend që ta thërritnin.​—1 Samuelit 16:6-12.

Edhe sot gjërat nuk janë mjaft ndryshe. Disa vjet më parë, në Gjermani një profesor i kriminologjisë drejtoi një eksperiment me 500 studentë të juridikut. Atje ndodheshin edhe 12 «mysafirë» të panjohur. Mes tyre ishin shefi i policisë, prokurori, arkëtari i universitetit, nëpunësi për marrëdhëniet publike, disa avokatë e nëpunës gjykate, si dhe tre kriminelë të dënuar. Studentët duhej të përcaktonin profesionin e mysafirëve, si dhe cilët duheshin dënuar me burg dhe për cilat krime. Gjithçka duke u bazuar vetëm te pamja dhe hobet që thoshin se kishin.

Rezultatet? Rreth 75 për qind e studentëve arritën t’i pikasnin tre kriminelët e vërtetë. Por edhe nëntë mysafirët e tjerë, të cilët s’kishin ndonjë dosje kriminale, mesatarisht 60 për qind e studentëve i shpallën shkelës të ligjit. Një në shtatë studentë mendonte se prokurori mund të ishte shpërndarës droge dhe një në tre studentë mendonte se shefi i policisë ishte hajdut. Vlerësimi i bazuar te përshtypjet mund të jetë shumë i pasaktë. Pse?

Pamja të mashtron

Kur takojmë dikë për herë të parë, priremi të krijojmë opinione për individin në bazë të asaj që dimë nga përvojat e mëparshme. Kemi prirjen ta përgjithësojmë dhe ta gjykojmë në bazë të një stereotipi ose shablloni. Një person mund ta vlerësojmë ose ta gjykojmë jo vetëm nga pamja e jashtme, por edhe nga kombësia, etnia, pozita shoqërore ose feja.

Nëse opinioni që kemi krijuar për atë person del i saktë, ne e përgëzojmë veten për gjykimin e mirë, dhe kështu përforcojmë mendimin se mund t’u besojmë përshtypjeve të para. Sidoqoftë, kur e njohim më mirë dikë, kuptojmë se kishim nxjerrë përfundime krejt të gabuara. Si reagojmë në këtë rast? Nëse tregohemi të ndershëm, duhet ta fshijmë opinionin e ngulitur dhe të kërkojmë fakte. Përndryshe mund t’i dëmtojmë shumë të tjerët, madje të kryejmë ndonjë shkelje të rëndë ndaj tyre, vetëm sepse, nga krenaria, mendojmë se jemi tepër të aftë për t’i gjykuar të tjerët.

Kur gjykojmë në bazë të pamjes, dëmtohet jo vetëm viktima, por edhe ai që gjykon. Për shembull, në shekullin e parë, shumë judenj nuk pranuan ta shihnin si mundësi që Jezui të ishte Mesia i premtuar. Pse? Meqenëse i bazuan opinionet te pamja e jashtme, gjithçka që panë ishte biri i një zdrukthëtari nga fshati. Ndonëse mbetën gojëhapur nga fjalët e mençura dhe veprat e fuqishme të Jezuit, ata u bazuan në paragjykime dhe s’donin të besonin se ai mund të ishte diçka më tepër nga ç’e kishin vendosur tashmë. Qëndrimi i tyre bëri që Jezui të shkonte t’u predikonte të tjerëve, duke thënë: «Vetëm në vendin dhe në shtëpinë e vet profeti nuk nderohet.»​—Mateu 13:54-58.

Ata judenj ishin pjesë e një kombi që po e priste prej shekujsh Mesinë. Por përshtypjet e para nuk i lejuan ta dallonin Mesinë kur erdhi më në fund, dhe kështu humbën miratimin e Perëndisë. (Mateu 23:37-39) Paragjykime të ngjashme i kishin edhe për dishepujt e Jezuit. Shumë veta s’e besonin dot që një grup i vogël të kishte ndonjë gjë të rëndësishme për të thënë, pasi ishin peshkatarë të thjeshtë, të përbuzur nga klasa e arsimuar e nga krerët e fesë mbizotëruese. Atyre që vazhduan t’u besonin përshtypjeve të para, u iku nga duart mundësia e mrekullueshme për t’u bërë dishepuj të Birit të Perëndisë.​—Gjoni 1:10-12.

Disa ndryshuan mendje

Disa bashkëkohës të Jezuit ishin aq të përulur sa të ndryshonin mendje kur dëshmitë u dolën para syve. (Gjoni 7:45-52) Ndër ta ishin disa familjarë të Jezuit, të cilët në fillim s’e kishin marrë seriozisht mundësinë që një nga gjaku i tyre të ishte Mesia. (Gjoni 7:5) Por, sa mirë që me kalimin e kohës ndryshuan mendje dhe besuan tek ai. (Veprat 1:14; 1 Korintasve 9:5; Galatasve 1:19) Në mënyrë të ngjashme, vite më vonë në Romë, disa përfaqësues të komunitetit judaik e dëgjuan me gatishmëri apostullin Pavël kur foli dhe nuk u besuan fjalëve lart e poshtë që kishin përhapur armiqtë e krishterimit. Pasi dëgjuan, disa u bënë besimtarë.​—Veprat 28:22-24.

Sot shumë veta kanë opinion negativ për Dëshmitarët e Jehovait. Pse? Në shumicën e rasteve, jo sepse kanë shqyrtuar fakte ose kanë provuar se bindjet dhe praktikat e Dëshmitarëve nuk mbështeten në Shkrime. Përkundrazi, ata s’arrijnë ta besojnë se Dëshmitarët e Jehovait mund të kenë të vërtetën në fushën fetare. Kjo, siç e kujton, është tamam si pikëpamja që kishin mjaft veta në shekullin e parë për të krishterët e hershëm.

Nuk habitemi që bëhen komente negative dhe përçmuese ndaj atyre që përpiqen të ndjekin shembullin e Jezuit. Pse jo? Sepse Jezui i paralajmëroi dishepujt e tij të vërtetë: «Për shkak të emrit tim do t’ju urrejnë të gjithë njerëzit.» Por u dha zemër me fjalët: «Ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.»​—Mateu 10:22.

Ngaqë i binden urdhrit të Jezuit, sot Dëshmitarët e Jehovait përpiqen me zell t’ua çojnë lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë njerëzve në mbarë botën. (Mateu 28:19, 20) Ata që kategorikisht s’duan ta dëgjojnë, rrezikojnë t’u ikë nga duart mundësia për të jetuar përgjithmonë. (Gjoni 17:3) Po ti? A do të drejtohesh nga përshtypjet e para dhe nga idetë e ngulitura, apo do të jesh i gatshëm t’i shqyrtosh faktet me mendje të hapur? Mos harro: pamja mund të të gënjejë dhe përshtypjet mund të jenë të gabuara, por, po t’i shqyrtosh faktet pa paragjykime, të presin surpriza të këndshme.​—Veprat 17:10-12.

[Figura në faqen 11]

Për shkak të përshtypjeve të para, shumë judenj e hodhën poshtë Jezuin si Mesia

[Figura në faqen 12]

Ku e bazon opinionin për Dëshmitarët e Jehovait: në përshtypje apo në fakte?