Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Duajeni njëri-tjetrin’

‘Duajeni njëri-tjetrin’

‘Duajeni njëri-tjetrin’

«Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»​—GJONI 13:34, 35.

Domethënia: Krishti u tha dishepujve ta donin njëri-tjetrin ashtu siç i deshi ai. Si i deshi Jezui dishepujt? Dashuria e tij i kapërcente paragjykimet kombëtare dhe gjinore që mbizotëronin në atë kohë. (Gjoni 4:7-10) Dashuria e nxiti Jezuin të jepte kohën, energjitë dhe të prishte rehatinë personale që të ndihmonte të tjerët. (Marku 6:30-34) Së fundmi, Krishti tregoi dashurinë më të madhe që mund të ekzistojë. Ai tha: «Unë jam bariu i shkëlqyer, dhe bariu i shkëlqyer jep shpirtin për delet.»​—Gjoni 10:11.

A e kishin të krishterët e hershëm këtë karakteristikë? Në shekullin e parë, të krishterët e quanin njëri-tjetrin ‘vëlla’ dhe ‘motër’. (Filemonit 1, 2) Njerëz nga të gjitha kombet mirëpriteshin në kongregacionin e krishterë, ngaqë besonin se ‘nuk kishte asnjë dallim mes judeut dhe grekut, pasi ishte i njëjti Zotëri mbi të gjithë’. (Romakëve 10:11, 12) Pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., dishepujt në Jerusalem «shitnin pronat e zotërimet, dhe të ardhurat ia shpërndanin gjithkujt sipas nevojës». Për ç’qëllim? Që të sapopagëzuarit të qëndronin në Jerusalem dhe të vazhdonin t’i «kushtoheshin mësimit të apostujve». (Veprat 2:41-45) Çfarë i shtyu të vepronin kështu? Më pak se 200 vjet pasi apostujt vdiqën, Tertuliani citoi çfarë thoshin disa për të krishterët: «Sa e duan njëri-tjetrin . . . dhe sa të gatshëm janë të vdesin për njëri-tjetrin!»

Cilët e ndjekin modelin e tyre sot? Një libër vërejti se, përgjatë shekujve, ata që pohonin se ishin të krishterë «kanë pësuar më tepër mizori nga njëri-tjetri, sesa nga të pafetë [jobesimtarët] e flaktë». (The History of the Decline and Fall of the Roman Empire, 1837) Një studim i kohëve të fundit në Shtetet e Bashkuara zbuloi një lidhje të fortë mes paragjykimeve raciale dhe njerëzve fetarë, shumica e të cilëve thonë se janë të krishterë. Shpesh, besimtarët e kishës së një vendi s’kanë të bëjnë fare me ata të së njëjtës fe në një vend tjetër. Kështu, nuk janë të prirur të ndihmojnë bashkëbesimtarët kur gjenden në nevojë.

Në vitin 2004, pasi Floridën e goditën katër uragane radhazi gjatë dy muajve, kreu i Komitetit të Operacioneve të Emergjencës në Floridë bëri një kontroll që të sigurohej se ndihmat po përdoreshin siç duhej. Ai tha se asnjë grup tjetër s’ishte aq i organizuar sa Dëshmitarët e Jehovait, dhe u tregua i gatshëm t’u jepte çdo ndihmë që u nevojitej. Më përpara, në vitin 1997, një skuadër me Dëshmitarë të Jehovait udhëtuan drejt Republikës Demokratike të Kongos për të ndihmuar me ilaçe, ushqim dhe veshmbathje vëllezërit e krishterë dhe nevojtarë të tjerë. Këto ndihma me vlerë një milionë dollarë i kishin dhuruar Dëshmitarët në Evropë.