Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Afrojuni Perëndisë

«Gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje»

«Gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje»

KUJTIMET mund të jenë një bekim. Kur mendojmë për çastet e bukura që kemi kaluar me njerëzit e dashur, na ngrohet zemra. Por ka raste kur kujtimet mund të duken më tepër si mallkim. A të mundojnë edhe ty kujtimet e dhembshme të së kaluarës së hidhur? Nëse po, ndoshta thua me vete: «A do të më hiqen ndonjëherë nga mendja kujtimet e zymta?» Në fjalët e dokumentuara të profetit Isaia gjejmë përgjigjen më lehtësuese.​—Lexo Isainë 65:17.

Jehovai ka si qëllim të fshijë kujtimet e dhembshme duke shkuar në rrënjë të problemit. Në ç’mënyrë? Ai do të zëvendësojë këtë botë të ligë dhe vuajtjet që shkakton ajo me diçka absolutisht më të mirë. Nëpërmjet Isaisë, Jehovai premton: «Unë po krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re.» Domethënia e këtij premtimi na e mbush zemrën me shpresë.

Çfarë janë qiejt e rinj? Në Bibël gjejmë dy të dhëna që na ndihmojnë. Së pari, ideja e qiejve të rinj përmendet edhe nga dy shkrimtarë të tjerë të Biblës dhe në të dyja rastet shprehja shoqërohet me ndryshime rrënjësore në tokë. (2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:1-4) Së dyti, fjala «qiej» në Bibël mund të përfaqësojë sundim ose qeverisje. (Isaia 14:4, 12; Danieli 4:25, 26) Kështu qiejt e rinj janë një qeveri e re, e cila është e aftë të vendosë kushte të drejta në tokë. Ka vetëm një sundim që është në gjendje të realizojë gjithë këtë​—Mbretëria e Perëndisë, qeveria qiellore për të cilën Jezui na mësoi të lutemi. Falë kësaj Mbretërie, vullneti i drejtë i Perëndisë do të bëhet në mbarë tokën.​—Mateu 6:9, 10.

Çfarë është toka e re? Të shqyrtojmë dy fakte nga Shkrimet që të arrijmë në përfundimin e duhur. Së pari, në Bibël fjala «tokë» ndonjëherë u referohet njerëzve, dhe jo rruzullit tokësor. (Zanafilla 11:1) Së dyti, Bibla paratha se, nën sundimin e Perëndisë, njerëzit besnikë do të mësonin drejtësinë, e cila do të përhapej në të gjithë tokën. (Isaia 26:9) Prandaj toka e re përfaqëson shoqërinë njerëzore që do t’i nënshtrohet sundimit të Perëndisë dhe që do të jetojë sipas normave të Tij të drejta.

A po krijon një ide si Jehovai do t’i fshijë kujtimet e dhembshme duke shkuar në rrënjë të problemit? Së shpejti Jehovai do ta realizojë plotësisht premtimin e tij për qiej të rinj dhe një tokë të re, duke sjellë një botë të re e të drejtë. * Shkaqet e kujtimeve të mundimshme​—vuajtjet fizike, mendore dhe emocionale—​do t’i përkasin së shkuarës në botën e re. Njerëzit besnikë do ta gëzojnë plotësisht jetën dhe çdo ditë do t’u falë kujtime të bukura.

Po për dhembjet që mund të na rëndojnë sot në zemër? Nëpërmjet Isaisë, premtimi i Jehovait vazhdon: «Gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër.» Çdo dhembje që kemi përjetuar në këtë botë të vjetër do të fashitet. A nuk të duket tërheqëse kjo perspektivë? Nëse po, pse të mos zbulosh si t’i afrohesh më shumë Perëndisë që premton një të ardhme kaq të ndritur.

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë marsit:

Isaia 63Jeremia 16

[Shënimi]

^ par. 5 Për më tepër informacion rreth Mbretërisë së Perëndisë dhe se çfarë do të realizojë së shpejti, shih kapitujt 3, 8 dhe 9 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 19]

Jehovai ka si qëllim të fshijë kujtimet e dhembshme duke shkuar në rrënjë të problemit