Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Letër nga Rusia

Kërkojnë thesare në malet e arta të Altait

Kërkojnë thesare në malet e arta të Altait

ËSHTË një ditë e bukur maji në Republikën e Altait, një rajon me bukuri marramendëse në cepin jugperëndimor të Siberisë. Nga dritarja shohim rrypina me pyje të errëta halore, e pas tyre ngrihen madhështore maja mali të vagëta ngjyrë blu, mbuluar me dëborë. Ky është vendi i thepisur e i largët i altaikëve, një populli të veçantë aziatik që kanë gjuhë më vete. Ata e kanë gjetur përsosmërisht shtëpinë në malet e Altait, emër që vjen nga fjala turaniko-mongole që do të thotë «të arta».

Unë dhe gruaja prej disa vjetësh kemi mësuar gjuhën ruse të shenjave dhe, që atëherë, vizitojmë kongregacione të gjuhës së shenjave e grupe të vogla të Dëshmitarëve të Jehovait që nuk dëgjojnë. Në këtë vend, rreth 170 popuj dhe grupe etnike flasin një gjuhë të përbashkët, rusishten. Ata mes nesh që nuk dëgjojnë, flasin një gjuhë tjetër, gjuhën ruse të shenjave. Njerëzit që nuk dëgjojnë janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe mjaft nga ata që takojmë janë të etur të tregojnë përvojën e tyre e të na mikpresin. Pikërisht kështu ndodh në Altai.

Në qytetin e Gorni-Altaiskit marrim vesh se, në një fshat të vogël 250 kilometra larg, jetojnë disa që nuk dëgjojnë. E dimë se atje ka disa Dëshmitarë, por asnjë prej tyre s’e di gjuhën e shenjave. Mendojmë për këta altaikë që nuk dëgjojnë dhe vendosim të nisemi me makinë e t’i gjejmë. Entuziazmi ynë i emocionon Jurin dhe Tatjanën, një çift që nuk dëgjon, të cilët janë dakord të vijnë me ne. Ngarkojmë një furgon të vogël me botime të gjuhës së shenjave në DVD dhe një lexues DVD-je. Gjithashtu marrim një termus të madh, sanduiçe me bukë thekre, salsiçe të tymosura dhe piroshki të sapopjekur​—kuleç të shijshëm rusë të mbushur me lakër dhe patate. Në fund, spërkatim mirë e mirë veten, rrobat e këpucët me një solucion kundër këpushave, pasi në zonë është e përhapur sëmundja e encefalitit që shkaktohet nga këpushat.

Rruga që po ndjekim gjarpëron përmes panoramës spektakolare të maleve. Ajri është i mbushur me aromën e jaseminit dhe të zymbylit. Kjo na gjallëron. Entuziazmohemi kur shohim një tufë drerësh siberianë tek kullotin qetë-qetë. Banesat altaike janë grumbuj shtëpish prej druri me çati të rregullta llamarine. Pranë shumë shtëpive ndodhen banesa prej druri që quhen ail, të cilat zakonisht janë shtëpi me gjashtë kënde e me çati në formë koni. Disa i ngjajnë tipive ose tendave indiane mbuluar me lëvore peme. Shumë familje altaike jetojnë në ail nga maji në shtator, kurse në vjeshtë e dimër hyjnë në shtëpi.

Dëshmitarët vendës na mirëpresin ngrohtësisht në fshat dhe na drejtojnë për te shtëpia e një çifti altaik që s’dëgjon. Ata kënaqen kur na shohin dhe janë kureshtarë të dinë nga jemi dhe çfarë po bëjmë. Marrim vesh se kanë kompjuter, prandaj, kur nxjerrim një DVD, këmbëngulin ta shohin. Menjëherë biseda ndërpritet; si të mos ishim aty. Ia ngulin sytë ekranit dhe, herë pas here, imitojnë gjestet që shohin e tundin kokën në shenjë çmueshmërie. Ua tërheqim vëmendjen me vështirësi që të ndërpresim DVD-në e ta kthejmë në skenat hapëse, të cilat paraqesin një parajsë të bukur tokësore. Ndalemi në njërën skenë dhe diskutojmë se ç’do të bëjë Perëndia për njerëzimin dhe cilët njerëz do të jetojnë përgjithmonë në kushtet që shohin. Na ngrohet zemra nga interesi i tyre dhe, në fund të vizitës, na tregojnë për një tjetër çift që nuk dëgjojnë, të cilët jetojnë në një fshat tjetër, disa orë larg.

Nisemi sërish e kalojmë nëpër një shteg shkëmbor spektakolar që i bie mes maleve, prej nga ndjekim rrugën gjarpëruese drejt një fshati shumë më të vogël. Atje gjejmë familjen që nuk dëgjon—burrin, gruan, nënën e gruas dhe djalin e vogël të çiftit​—të cilët janë të kënaqur që kanë vizitorë të papritur. Hyjmë në derën e vockël të ailit të tyre që mban erë të këndshme druri e dhalle. Shtëpia ka një vrimë të rrumbullakët në majë të çatisë në formë koni ku depërton drita. Në një qoshe ndodhet një sobë e furrë prej tulle lyer me gëlqere, kurse muret janë të veshur me qilima ngjyrë qershie. Çifti na servir një vakt altaik​—petulla të vogla e të skuqura dhe çaj në tase të vogla aziatike. I pyesim a kanë menduar ndonjëherë nëse mund të bëhen miq me Perëndinë. Ata mendohen. Nëna e zonjës së shtëpisë na thotë se, kur ishte fëmijë, njëherë kishte çuar ca ushqim në një vend në male, si flijim për perënditë. Ajo ngre supet dhe buzëqesh tek thotë: «Se ç’kuptim kishte, nuk e di. Thjesht e kishim zakon.»

U tregojmë një DVD për këtë temë dhe fytyrat u ndritin. Duan me zjarr të vazhdojmë bisedën, por si? Edhe pse mesazhet me celular zakonisht e lehtësojnë mbajtjen e lidhjeve me ata që s’dëgjojnë, në zonë nuk ka as edhe një antenë celulari. Prandaj premtojmë të mbajmë lidhje me letra.

Dielli ka nisur të perëndojë teksa ndahemi përzemërsisht dhe nisim rrugën e kthimit për në Gorni-Altaisk, të lodhur, por të kënaqur. Ca kohë më vonë, pyesim Dëshmitarët vendës për këtë familje dhe marrim vesh se, çdo javë, bashkëshorti udhëton në një qytet më të madh ku studion Biblën dhe ndjek një mbledhje me ndihmën e një motre vendëse, e cila di gjuhën e shenjave. Sa të lumtur jemi që përpjekjet tona dhanë fryt!

Kërkimi i atyre që nuk dëgjojnë e me zemër të ndershme, krahasohet me kërkimin e thesareve të fshehura thellë në male. Orët e gjata të kërkimit shpërblehen kur, në dukje rastësisht, gjejmë një margaritar të humbur. Për ne, malet e Altait do të mbeten gjithnjë të arta e do të na kujtojnë njerëzit e sinqertë që takuam mes majave të thepisura.