Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një shqyrtim i ngjyrave dhe i pëlhurave në kohët biblike

Një shqyrtim i ngjyrave dhe i pëlhurave në kohët biblike

Një shqyrtim i ngjyrave dhe i pëlhurave në kohët biblike

NË Bibël gjejmë shumë komente për stilin, ngjyrat dhe materialin e veshjeve që njerëzit përdornin shekuj më parë.

Sigurisht, Bibla nuk është libër mode ose stili. Gjithsesi, hollësi të tilla në tregimet biblike mund t’i bëjnë ngjarjet më të gjalla në mendjen e lexuesve.

Për shembull, lexojmë për veshjet që sajuan Adami dhe Eva që të mos ishin lakuriq​—mbulesa për ijët, të qepura me gjethe fiku. Sidoqoftë, më vonë Perëndia ua zëvendësoi me «rroba të gjata prej lëkure» që ishin më të forta.​—Zanafilla 3:7, 21.

Po ashtu, te Dalja, kapitujt 28 dhe 39 përshkruhet me imtësi veshja e kryepriftit të Izraelit. Ajo përfshinte mbathjet prej liri, petkun e bardhë, rripin e endur, petkun blu pa mëngë, efodin e qëndisur, copën që vendoset para kraharorit, si edhe çallmën dhe pllakën e saj të ndritshme prej ari. Kur lexojmë për mënyrën si ishin kombinuar lloj-lloj materialesh të çmuara për të bërë këto veshje, mund të përfytyrojmë sa mbresëlënëse dukeshin.​—Dalja 39:1-5, 22-29.

Veshja e profetit Elija ishte aq e veçantë, sa e dallonin menjëherë nga përshkrimi që i bëhej: «Një burrë i veshur me një rrobë leshi dhe kishte ngjeshur një rrip lëkure në ijë.» Qindra vjet më vonë, disa menduan se Gjon Pagëzori ishte Elija, mbase ngaqë veshjet e tyre ngjanin.​—2 Mbretërve 1:8; Mateu 3:4; Gjoni 1:21.

Pëlhurat dhe ngjyrat. Bibla tregon mjaft për llojin e materialeve që përdoreshin për veshjet, ngjyrat dhe bojërat, si edhe për tjerrjen, endjen e qepjen. * Përmenden më shpesh pëlhurat prej leshi që merrej nga kafshët shtëpiake dhe prej liri që nxirrej nga bima e lirit. Abeli quhej «çoban dhensh». (Zanafilla 4:2) Por Bibla nuk tregon nëse i mbante delet për të prodhuar lesh. Hera e parë që Bibla flet për lirin e hollë është rasti kur faraoni i vesh rrobat Jozefit në shekullin e 18-të p.e.s. (Zanafilla 41:42) Bibla nuk flet asnjëherë për pambukun si material me të cilin judenjtë bënin veshjet, pavarësisht se në vendet e Lindjes së Mesme përdorej prej kohësh.

Si nga liri edhe nga leshi nxirreshin fije të holla që tirreshin së bashku për të bërë penj me trashësi të ndryshme, të cilët thurnin pëlhurën. Qoftë për penjtë, qoftë për pëlhurat përdoreshin bojëra me lloj-lloj ngjyrash. Më pas, pëlhurat priteshin që t’i përshtateshin trupit. Shpesh, veshjet zbukuroheshin me qëndisma, u ndërthureshin fije ngjyra-ngjyra, duke i bërë më të hijshme e më me vlerë.​—Gjykatësit 5:30.

Bluja, e purpurta dhe kërmëzi përmenden goxha në Bibël si ngjyrues pëlhurash. Izraelitët ishin urdhëruar të bënin ‘në cepat e rrobave buzë me thekë, dhe të vinin mbi to një kordon të hollë blu’, si përkujtues i marrëdhënies së veçantë me Perëndinë e tyre, Jehovain. (Numrat 15:38-40) Fjalët hebraike për ngjyrat tekhélet, një nuancë e blusë, dhe ’argamán, që zakonisht përkthehet «e purpurt», lidheshin me veshjet e kryepriftit dhe me sendet e tjera zbukuruese në tabernakull dhe në tempull.

Pajisjet e tabernakullit dhe të tempullit. Tabernakulli që kishin izraelitët në shkretëtirë dhe më vonë tempulli që kishin në Jerusalem, ishin qendra të adhurimit për ta. Prandaj kuptohet pse Bibla tregon me kaq imtësi për përgatitjen dhe për pajisjet e tabernakullit dhe të tempullit të Solomonit. Gjejmë hollësi jo vetëm për materialet dhe ngjyrat por edhe për endjen, ngjyrosjen, qepjen dhe qëndisjen e mbulesave të tendës dhe perdeve.

Nën drejtimin hyjnor, artizanët e zotë Bezalel dhe Oholiab, si edhe burra e gra të tjerë kryen me besnikëri një caktim të veçantë dhe ndërtuan tendën e takimit, të denjë për adhurimin e Jehovait. (Dalja 35:30-35) Në kapitullin 26 të Daljes, materialet dhe ndërtimi i të gjitha pjesëve të tabernakullit përshkruhen deri në gjërat më të imëta. Për shembull, pëlhurat e stërmëdha shumëngjyrëshe të tendave ishin endur me «li të hollë të dredhur, me fill blu, me lesh të ngjyer në të kuqe të purpurt dhe me fill ngjyrë kërmëzi». Ka të ngjarë që shumë nga këto materiale t’i kishin marrë me vete kur dolën nga Egjipti. Iu dha mjaft rëndësi perdes së trashë plot ngjyra e të qëndisur me kerubinë, e cila ndante ‘të Shenjtën nga Më e Shenjta’ në pjesën më të brendshme të tabernakullit. (Dalja 26:1, 31-33) Hollësi të ngjashme iu përsëritën atyre që u morën me pëlhurat e tempullit në Jerusalem, nën drejtimin e mbretit Solomon.​—2 Kronikave 2:1, 7.

Nga hollësitë që gjejmë në Bibël, mund të kuptojmë se hebrenjtë e lashtë u treguan tejet të shkathët e të zotë për t’i bërë të përdorshme materialet që kishin. Kështu, nuk shpaloset para nesh një shoqëri mjerane, me rroba pa ngjyra e shije, por një popull që kënaqej me stilin e veshjeve plot ngjyra, për raste të ndryshme, sipas stinës dhe mundësive ekonomike.

Bibla thotë se izraelitëve iu dha një vend i mirë për të banuar, ‘një vend ku rridhte qumësht dhe mjaltë’. (Dalja 3:8; Ligji i përtërirë 26:9, 15) Ndërsa i kushtoheshin adhurimit të vërtetë të Jehovait, gëzonin bekimet e tij. Jeta ishte e bukur, dhe njerëzit ishin të lumtur e s’u mungonte gjë. Për shembull, Bibla tregon: «Gjatë gjithë jetës së Solomonit [mbretit], Juda dhe Izraeli banonin të sigurt, secili nën hardhinë dhe nën fikun e vet, që nga Dani deri në Beer-Shebë.»​—1 Mbretërve 4:25.

[Shënimi]

^ par. 7 Për hollësitë e këtyre proceseve, shiko kutitë përkatëse.

[Kutia dhe figurat në faqet 26, 27]

Leshi dhe liri

Në kohët biblike, delet i rritnin kryesisht për qumësht dhe lesh. Me vetëm pak dele, një çoban siguronte lesh mjaftueshëm për të veshur familjen. Nëse mbante shumë dele, çobani mund t’ua shiste tepricën e leshit prodhuesve vendës të tekstilit. Disa qytete dhe fshatra kishin esnafet e tyre të tekstilit. Që në lashtësi, qethja e deleve ishte pjesë e punës së përvitshme.​—Zanafilla 31:19; 38:13; 1 Samuelit 25:4, 11.

Liri, një pëlhurë e pëlqyer për veshjet, përbëhej nga fibrat e bimës së lirit. (Dalja 9:31) Ai korrej pak para se të piqej plotësisht. Kërcelli lihej të thahej në diell dhe pastaj njomej në ujë që të zbuteshin pjesët e tij më të forta. Pasi thahej, rrihej e ndahej në fibra, të cilat tirreshin në fill për t’u endur. Oborrtarët dhe zyrtarët e lartë parapëlqenin rrobat prej liri.

[Figura]

Bimë liri të thara para njomjes

[Kutia dhe figura në faqen 27]

Tjerrja

Një fibër e vetme​—li, lesh deleje a dhie—​është tepër e hollë dhe tepër e shkurtër për t’u përdorur. Prandaj, disa fibra përdridhen ose tirren bashkë, për penj a fije leshi me gjatësi dhe trashësi sipas nevojës. Bibla tregon për «një grua të zonjën»: «I shtrin duart që të marrë furkën, dhe me duart e saj kap boshtin.» (Proverbat 31:10, 19) Kështu përshkruhet tjerrja, për të cilën përdoren furka dhe boshti, pra dy shkopinj të thjeshtë.

Në njërën dorë, gruaja mban furkën me shtëllungën e lirshme përreth saj. Me dorën tjetër, tërheq disa fibra, i përdredh duke bërë një fill, të cilin e kalon në një grremç ose në një brazdë që ndodhet në njërin skaj të boshtit. Në skajin tjetër të boshtit është një disk i vogël që peshon, i quajtur rul, që shërben si volant. Boshtin e lë të varur dhe, duke e rrotulluar, tjerr fibrat në fill sipas një trashësie të caktuar. Filli i tjerrë mbështillet rreth boshtit si në një bobinë. Kjo përsëritet derisa fibrat e shtëllungës të bëhen një fill i gjatë gati për ngjyrosje ose endje.

[Kutia dhe figurat në faqet 28, 29]

Ngjyrosja

Pasi pastrohen dhe tirren, fijet e leshit e të lirit ose pëlhura e endur, ngjyrosen me bojëra të ndryshme. Nëse ngjyhen disa herë në bojë, ngjyra bëhet më e fortë. Ngaqë boja është shumë e shtrenjtë, gjërat që ngjyrosen, shtrydhen pasi nxirren nga banja e ngjyrimit dhe ajo që tepron, përdoret sërish. Pastaj, filli ose pëlhura e ngjyrosur ndehet për t’u tharë.

Njerëzit në lashtësi nuk kishin bojëra sintetike. Megjithatë nxirrnin nga kafshët e bimët ngjyrues rezistentë dhe me një shumëllojshmëri tonesh e nuancash. Për shembull, e verdha merrej nga gjethet e bajames dhe nga lëkura e bluar e shegës, kurse e zeza nga lëvorja e pemës së shegës. E kuqja nxirrej nga rrënjët e rrëzores ngjyruese ose nga insekti që jep ngjyrën e kërmëzit. Bluja merrej nga lulja e llullaqit. Kombinimi i pigmenteve që dilnin nga llojet e ndryshme të kërmijve mureks, jepte nuanca dhe ngjyra nga e purpurta mbretërore në blu e të kuqe të ndezur.

Sa kërmij deti duheshin për të ngjyrosur një rrobë? Sipas një studimi, një kërmill i vetëm jepte një sasi pigmenti kaq të vogël, sa duheshin rreth 10.000 për të ngjyrosur një petk ose mantel me një nuancë të thellë të asaj që me të drejtë quhej e purpurta mbretërore. Gjatë mbretërimit të Nabonidit të Babilonisë, leshi i lyer me të purpurt kushtonte 40 herë më shumë se leshi i lyer me ngjyra të tjera. Ngaqë Tiri i lashtë njihej si vend ku prodhohej kjo bojë e kushtueshme, ngjyra e purpurt u bë e njohur si e purpurta tirase.

[Figurat]

Guaskë e kërmillit të detit

Shekulli i 2-të ose i 3-të p.e.s. banjë ngjyrimi me të purpurt e gjetur në Tel-Dor, Izrael

[Burimi]

Projekti i Tel-Dorit

[Kutia dhe figura në faqen 29]

Endja

Tezgjahu përdoret për të endur fillin e tjerrë në pëlhurë me masën që duhet për të bërë rroba ose gjëra të tjera. Grupe fijesh pleksen për së gjati si fije bazë ose fije të majës dhe për së gjeri si fije ind. Fijet ind enden sa para-mbrapa fillit bazë.

Tezgjahu që përdorej në kohët biblike ishte një strukturë e shtrirë (horizontale) ose me këmbë (vertikale). Në fund të fijeve bazë të disa tezgjahëve vertikalë, viheshin pesha. Pesha të tilla janë gjetur në shumë vende në Izrael.

Shpesh, endja ishte një punë shtëpie, por në disa vende, i gjithë fshati merrej me këtë zanat. Për shembull, te 1 Kronikave 4:21 përmenden ‘shtëpitë e atyre që punonin copën hollë’, me sa duket një grup artizanësh me këtë zanat.

[Figura në faqet 26, 27]

«Fill blu, me lesh të ngjyer në të kuqe të purpurt.»​—Dalja 26:1