«Ua kam bërë të njohur emrin tënd»
«Ua kam bërë të njohur emrin tënd»
«Unë ua kam shfaqur emrin tënd njerëzve që më dhe nga bota. . . . Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd dhe do ta bëj të njohur.»—GJONI 17:6, 26.
Domethënia: Jezui e bëri të njohur emrin e Perëndisë duke e përdorur në shërbim. Kur lexonte nga shkrimet, siç bënte shpesh, ai e shqiptonte emrin e Perëndisë. (Luka 4:16-21) Jezui i mësoi dishepujt të luteshin: «Atë, u shenjtëroftë emri yt.»—Luka 11:2.
A e kishin të krishterët e hershëm këtë karakteristikë? Apostulli Pjetër u tha pleqve në Jerusalem se Perëndia kishte nxjerrë nga kombet «një popull për emrin e tij». (Veprat 15:14) Apostujt bashkë me të tjerë predikuan se «kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë». (Veprat 2:21; Romakëve 10:13) Ata e përdorën emrin hyjnor edhe në shkrimet e tyre. Tosefta, një përmbledhje me ligje judaike që u përfundua rreth vitit 300 të e.s., tregon për djegien e shkrimeve të krishtere nga kundërshtarët: «Ata nuk i mbrojnë nga zjarri librat e ungjillëzuesve dhe të minimëve [që mendohej se ishin të krishterët judenj]. I lënë të digjen aty ku janë, . . . librat dhe referimet me Emrin Hyjnor që gjenden në to.»
Cilët e ndjekin modelin e tyre sot? Një përkthim i Biblës (Revised Standard Version) i autorizuar nga Këshilli Kombëtar i Kishave të Krishtit në Shtetet e Bashkuara, thotë në parathënie: «Çfarëdo emri i përshtatshëm për Perëndinë e vetëm, sikur të kishte perëndi të tjera nga të cilat duhej dalluar, nuk u përdor më në judaizëm përpara epokës së krishterë, dhe ky përdorim është krejt i papërshtatshëm për besimin universal të Kishës së Krishterë.» Kështu, emri hyjnor u zëvendësua me një titull, «Zot». Kohët e fundit, Vatikani u dha këtë direktivë peshkopëve: «Emri i Perëndisë në formën e tetragramit JHVH *, as duhet përdorur, as duhet shqiptuar në këngë dhe në lutje.»
Cilët e përdorin dhe e bëjnë të njohur emrin e Perëndisë sot? Kur Sergei ishte adoleshent në Kirgizistan, pa një film ku emri i Perëndisë dilte Jehova. Për nja dhjetë vjet, ai nuk e dëgjoi më emrin hyjnor. Më vonë, pasi Sergei u transferua në Shtetet e Bashkuara, dy Dëshmitare të Jehovait e vizituan në shtëpi dhe i treguan emrin e Perëndisë në Bibël. Sergei u emocionua kur zbuloi një grup që përdorte emrin Jehova. Është interesante se një fjalor e përkufizon Perëndinë Jehova si «një hyjni supreme të njohur, Perëndia i vetëm që adhurojnë Dëshmitarët e Jehovait».—Webster’s Third New International Dictionary.
[Shënimi]
^ par. 5 Zakonisht në shqip emri hyjnor transliterohet «Jehova».