Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Afrojuni Perëndisë

«Të lutemi, na lejo të kthehemi»

«Të lutemi, na lejo të kthehemi»

A i ke shërbyer më parë Jehovait? A ke menduar t’i shërbesh sërish, por dyshon nëse do të të mirëpresë? Të lutemi lexoje me kujdes këtë artikull dhe atë vijues. Janë përgatitur duke të pasur veçanërisht ty në mendje.

«IU LUTA Jehovait që të më pranonte sërish në gjirin e tij dhe të më falte që e kisha lënduar.» Kështu u shpreh një grua që u largua goxha nga gjërat që kishte mësuar teksa rritej si e krishterë. A nuk të pikon në zemër për këtë grua? A thua me vete: «Si ndihet Perëndia për ata që dikur i shërbenin? A i kujton? A dëshiron t’i mirëpresë sërish ‘në gjirin e tij’?» Që t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, le të shqyrtojmë fjalët e dokumentuara te libri i Jeremisë. Pa dyshim që përgjigjet do të ta ngrohin zemrën.​—Lexo Jereminë 31:18-20.

Le t’u hedhim një sy rrethanave që përshkruajnë fjalët e Jeremisë. Në vitin 740 p.e.s., dekada para kohës së Jeremisë, Jehovai lejoi që mbretëria dhjetëfisëshe e Izraelit të zihej rob nga asirianët. * Perëndia lejoi që kjo gjëmë të shërbente si disiplinë, ngaqë populli i tij i kishte bërë rrugë mëkatet e rënda, duke mos ua vënë veshin paralajmërimeve të shpeshta të profetëve. (2 Mbretërve 17:5-18) A ndryshoi qëndrim populli nga vështirësitë që kaluan në mërgim, kur ishin të ndarë nga Perëndia dhe larg vendit të tyre? A i harroi krejt Jehovai? A do t’i linte të ktheheshin tek ai dhe në vendin e tyre?

«Ndjeva keqardhje»

Kur ishte në mërgim, populli erdhi në vete dhe u pendua. Pendimi i tyre i sinqertë nuk kaloi pa u vënë re nga Jehovai. Vër re si i përshkruan Jehovai qëndrimin dhe ndjenjat e Izraelit në mërgim, duke e thirrur Efraim.

«E kam dëgjuar Efraimin të qajë»,—tha Jehovai. (Vargu 18) I dëgjonte izraelitët kur vajtonin për pasojat e udhës së tyre mëkatare. Sipas një studiueseje, fjala «të qajë» mund të nënkuptojë «tundje ose lëkundje para-mbrapa». Ata ishin si një bir mëkatar i cili tund kokën nga trishtimi i thellë që ndien kur mendon për vuajtjet që i ka sjellë vetes dhe se sa fort dëshiron jetën që kishte më parë. (Luka 15:11-17) Po populli çfarë thoshte?

«Si një viç të pashtruar ti më ndreqe.» (Vargu 18) Populli e pranoi se e kishte hak disiplinën. Në fund të fundit ishin sjellë si një viç i pashtruar. Sipas një vepre referimi, ky krahasim mund të përcjellë idenë se kishin qenë si një viç që kurrë s’do ta «provonte hostenin, po të mos i kundërvihej zgjedhës».

«Më bëj të kthehem te ti, dhe unë do të kthehem menjëherë, sepse ti je Jehovai, Perëndia im.» (Vargu 18) Kur u përulën në zemër, populli kërkoi Perëndinë. Kishin humbur në një udhë mëkatare, por tani i përgjëroheshin për ndihmë që të fitonin përsëri miratimin e tij. Një përkthim thotë: «Ti je Perëndia ynë: të lutemi, na lejo të kthehemi.»​—Contemporary English Version.

«Ndjeva keqardhje. . . . Më erdhi turp dhe u ndjeva i poshtëruar.» (Vargu 19) Popullit i erdhi keq që kishte mëkatuar. E pranuan gabimin dhe s’e mohuan fajin. Gjithashtu ndiheshin të çnderuar e përtokë, sikur t’i binin gjoksit me grushte.​—Luka 15:18, 19, 21.

Izraelitët u penduan. Ndien keqardhje të thellë, ia rrëfyen mëkatet Perëndisë dhe kthyen rrugë. A do t’ia zbuste zemrën Jehovait pendimi i tyre? A do t’i pranonte sërish në gjirin e tij?

«Patjetër do të më vijë keq për të»

Jehovai kishte një lidhje të veçantë me izraelitët. Ai tha: «Unë jam një Atë për Izraelin, kurse Efraimi është i parëlinduri im.» (Jeremia 31:9) A nuk do ta mirëpriste në krahët e tij një atë i dashur birin që ka ndërgjegje të vrarë? Vër re si i shpreh Jehovai ndjenjat atërore ndaj popullit të tij.

«A është Efraimi për mua një bir i çmuar apo një djalë që e kam për zemër? Aq sa fola kundër tij, po aq do ta kujtoj përsëri.» (Vargu 20) Sa fjalë të ngrohta! Si një prind i vendosur por i dashur, Perëndia u detyrua të fliste «kundër» fëmijëve, duke i paralajmëruar vazhdimisht për udhët e tyre mëkatare. Kur me kokëfortësi nuk dëgjuan, lejoi që të shkonin në mërgim, me fjalë të tjera bëri të largoheshin nga gjiri i tij. Por, edhe pse u detyrua t’i ndëshkonte, nuk i harroi. Ai s’do ta bënte kurrë këtë, pasi një atë i dashur nuk i harron fëmijët. Si u ndje Jehovai kur pa se fëmijët e tij u penduan vërtet?

«Më janë trazuar zorrët përbrenda për të. * Patjetër do të më vijë keq për të.» (Vargu 20) Jehovai ndjeu shumë mall për fëmijët e tij. U prek në zemër nga pendimi i sinqertë dhe digjej nga dëshira që ata të ktheheshin tek ai. Ashtu si babai në ilustrimin e Jezuit për birin plëngprishës, Jehovai ‘u shty nga keqardhja’ dhe mezi priste t’i hapte krahët e t’i mirëpriste në gjirin e tij.​—Luka 15:20.

«Jehovai më pranoi sërish në gjirin e tij!»

Fjalët e Jeremisë 31:18-20 na japin gjykim të thellë për dhembshurinë e butë dhe mëshirën e Jehovait. Ai nuk i harron ata që më parë i kanë shërbyer atij. Po sikur të dëshirojnë të kthehen te Jehovai? Perëndia është ‘gati t’i falë’. (Psalmi 86:5) Asnjëherë nuk do t’i përzërë ata që vijnë tek ai me zemër të penduar. (Psalmi 51:17) Përkundrazi, është i lumtur t’i presë krahëhapur në gjirin e tij.​—Luka 15:22-24.

Gruaja e përmendur në fillim të artikullit mori iniciativën të kthehej te Jehovai dhe shkoi në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Si fillim duhej të mposhtte ndjenjat negative. «Ndihesha e pavlerë»,​—kujton ajo. Por pleqtë e kongregacionit e inkurajuan dhe e ndihmuan të forcohej frymësisht. Me zemrën tërë mirënjohje ajo thotë: «Sa e mrekullueshme është që Jehovai më pranoi sërish në gjirin e tij!»

Nëse më parë i ke shërbyer Jehovait dhe po mendon t’i shërbesh përsëri, të inkurajojmë të shkosh te një kongregacion vendës i Dëshmitarëve të Jehovait. Mos harro se Jehovai reagon me dhembshuri e mëshirë kur të penduarit i thonë: «Të lutemi, na lejo të kthehemi.»

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë prillit:

Jeremia 17-31

[Shënimet]

^ par. 2 Shekuj më parë, në vitin 997 p.e.s. izraelitët u ndanë në dy mbretëri. Njëra ishte mbretëria jugore dyfisëshe e Judës, ndërsa tjetra mbretëria veriore dhjetëfisëshe e Izraelit. Kjo e fundit njihej edhe si Efraim, meqë ky ishte fisi kryesor.

^ par. 5 Një manual për përkthyesit e Biblës, duke komentuar këtë përshkrim, shpjegon: «Për judenjtë, pjesët e brendshme të trupit ishin qendra e ndjenjave.»