A e dini?
A e dini?
Çfarë ishte ‘froni i gjykimit’ ku e çuan apostullin Pavël?
▪ Tregimi i Veprave 18:12, 13 thotë se judenjtë në Korint e akuzuan Pavlin se predikonte në mënyrë të paligjshme dhe e çuan para «fronit të gjykimit», ndryshe béma (fjalë greke që do të thotë «shkallare»). Korinti i lashtë, në një vend të hapur kishte një platformë të ngritur ose podium, afër qendrës së agorës ose sheshit të pazarit, që mund të ketë qenë vetëm disa hapa larg sinagogës. Nga ky podium mund t’i drejtoheshe kollaj auditorit. I ndërtuar me mermer të bardhë e blu dhe plot me zbukurime të gdhendura tërë mjeshtëri, podiumi ishte i pajisur me dy dhoma pritjeje që kishin stola mermeri dhe dysheme me mozaikë.
Ky podium duket se është froni i gjykimit ku apostulli Pavël qëndroi para prokonsullit Galion, guvernatorit romak të Akaisë. Nga ky vend, zyrtarë të ulur dëgjonin çështje dhe ua shpallnin vendimet e tyre gjyqësore turmës së mbledhur.
Në qytet-shtetet greke ishte normale që njerëzit të mblidheshin para bémave të tilla, ku shqyrtoheshin të gjitha çështjet e qytetit. Në tregimet e tyre për gjyqin e Jezuit, si Mateu 27:19 dhe Gjoni 19:13 në greqisht, thonë se Ponc Pilati iu drejtua turmës nga béma e tij.—Krahaso Veprat 12:21.
Pse mënyra si vdiq Jezui i pengoi disa judenj të bëheshin të krishterë?
▪ Apostulli Pavël tha për të krishterët e hershëm: «Ne predikojmë Krishtin të vënë në shtyllë, që për judenjtë është shkak pengese, kurse për kombet marrëzi.» (1 Korintasve 1:23) Pse disa u penguan nga mënyra si vdiq Jezui?
Për vdekjen e Jezuit dhe për kulturën e banorëve të Lindjes së Mesme në shekullin e parë, komentuesi biblik Ben Uidhëringtoni III thotë se ishte «mënyra më e turpshme e vdekjes në botën e asaj kohe. Ajo nuk shihej si ndonjë martirizim fisnik». Uidhëringtoni thotë më tej: «Njerëzit e asaj bote besonin se mënyra e vdekjes tregonte ç’lloj njeriu ishe. Mbi këto baza, i bie që Jezui të shihej si i lig, njeri që kreu tradhti ndaj shtetit, njeri që meritonte të ndëshkohej si skllevërit që rebeloheshin.» Duke pasur parasysh këtë kulturë, nuk duket e arsyeshme të pohojmë se të krishterët e hershëm i sajuan tregimet për vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit.