Si ndikojnë mësimet e krishtere te të tjerët?
Si ndikojnë mësimet e krishtere te të tjerët?
ARTIKUJT pararendës shqyrtuan arsyet pse të krishterët e vërtetë nuk marrin pjesë në politikë. Megjithatë, si mund të tregojnë të krishterët se duan të përmirësojnë komunitetin ku jetojnë? Një mënyrë është duke ndjekur urdhrin e Jezuit: «Prandaj, shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»—Mateu 28:19, 20.
Që të ndjekim urdhrin e Jezuit ‘për të bërë dishepuj’ duhet të zbatojmë mësimin e tij për të qenë si kripë dhe dritë për botën. (Mateu 5:13, 14) Ku qëndron lidhja? Dhe ç’ndikim ka kjo te njerëzit?
Mesazhi i Krishtit: Ruan dhe ndriçon
Kripa ka veti ruajtëse, nuk lejon prishjen. Në mënyrë të ngjashme, edhe mesazhi që Jezui u tha dishepujve t’u jepnin njerëzve në të gjitha kombet, ka ndikim ruajtës. Ata që pranojnë dhe zbatojnë mësimet e Jezuit, e mbrojnë veten nga prishja morale kaq e përhapur sot. Në ç’mënyrë? Mësojnë si t’i shmangin praktikat që dëmtojnë shëndetin, si për shembull pirjen e duhanit. Gjithashtu zhvillojnë cilësi si dashuria, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja dhe mirësia. (Galatasve 5:22, 23) Këto cilësi i bëjnë margaritarë për shoqërinë. Të krishterët që e ndajnë këtë mesazh me fqinjët, i japin një kontribut të çmuar komunitetit të tyre.
Ç’të themi për metaforën e dritës? Ashtu si hëna pasqyron dritën e diellit, edhe dishepujt e Krishtit pasqyrojnë ‘dritën’ e Perëndisë Jehova. Ata shërbejnë si pasqyrues me anë të mesazhit ndriçues që predikojnë dhe veprave të mira që bëjnë.—1 Pjetrit 2:12.
Më tej, Jezui theksoi se të jesh dritë dhe dishepull ka ngjashmëri. Ai tha: «Një llambë nuk ndizet për t’u vendosur nën shinik, por në mbajtësen e vet, dhe u bën dritë gjithë atyre që janë në shtëpi. Po ashtu le të ndriçojë drita juaj para njerëzve.» Një llambë e ndezur që vendoset në mbajtësen e vet, shihet qartë nga të gjithë njerëzit përreth saj. Në mënyrë të ngjashme, vepra e predikimit dhe veprat e tjera të shkëlqyera që bëjnë të krishterët e vërtetë, duhet të duken qartë nga njerëzit që jetojnë përreth. Pse? Jezui tha se ata që i shohin veprat e shkëlqyera, do t’i japin lavdi Perëndisë, jo të krishterëve.—Mateu 5:14-16.
Një përgjegjësi e përbashkët
Kur Jezui tha: «Ju jeni drita e botës» dhe «le të ndriçojë drita juaj», po u drejtohej gjithë dishepujve. Caktimi që dha Jezui nuk mund të përmbushet vetëm nga disa individë të shpërndarë në fe të ndryshme. Në vend të kësaj, të gjithë besimtarët janë «drita». Shtatë milionë Dëshmitarë të Jehovait, që jetojnë në më tepër se 235 vende, besojnë se është përgjegjësia e tyre e përbashkët të vizitojnë fqinjët dhe t’u japin mesazhin që Krishti u caktoi dishepujve.
Cila është tema e mesazhit të Dëshmitarëve të Jehovait? Kur Jezui dha caktimin e predikimit, nuk i udhëzoi dishepujt të predikonin reforma sociale ose politike, bashkimin e Kishës me shtetin ose me ndonjë ideologji tjetër jobiblike. Përkundrazi, ai paratha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet.» (Mateu 24:14) Kështu, të krishterët e vërtetë sot u binden udhëzimeve të Jezuit dhe vazhdojnë t’u flasin fqinjëve për Mbretërinë e Perëndisë—të vetmen qeveri të aftë për t’i dhënë fund sistemit të lig të Satanait dhe për të sjellë një botë të re e të drejtë.
Në fakt, kur lexojmë tregimet e ungjijve, dalin në pah dy gjëra kryesore për shërbimin e Jezuit që ndikojnë në veprimtaritë e të krishterëve të vërtetë sot. Të dyja shqyrtohen në artikullin vijues.
[Diçitura në faqen 8]
Në ç’kuptim mesazhi i krishterë është si kripa?
[Diçitura në faqen 9]
Në ç’kuptim mesazhi i Krishtit është si llamba në vend të errët?