Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Afroju Dëgjuesit të lutjes

Afroju Dëgjuesit të lutjes

Afroju Dëgjuesit të lutjes

SHUMË veta që pohojnë se besojnë te Perëndia s’janë në gjendje të japin baza të shëndosha për besimin e tyre. As nuk mund të shpjegojnë pse feja shpesh është e keqe dhe pse Perëndia i lejon vuajtjet. Gjithçka që mund të bëjnë është t’i luten një Perëndie që nuk e kuptojnë.

Gjithsesi, lidhja jote me Perëndinë mund të jetë më e ngushtë se kaq. Mund ta forcosh besimin duke marrë atë lloj njohurie që do të të shtyjë ta duash dhe ta vlerësosh Perëndinë. Besimi i vërtetë bazohet në dëshmi. (Hebrenjve 11:1) Nëse mëson të vërtetën për Perëndinë, mund ta njohësh dhe t’i flasësh si një mik. Mendo për përvojat e disave që luteshin, ndonëse kishin dyshime për ekzistencën e Perëndisë.

Patrisha, e përmendur në artikullin e parë. «Një ditë isha me nja dhjetë shokë që nisën të flitnin për fenë. U kisha thënë se, për t’iu shmangur një diskutimi mes babait që ishte ateist dhe një Dëshmitareje të Jehovait që trokiti në shtëpinë tonë, dola nga shtëpia. ‘Mbase Dëshmitarët e Jehovait kanë të drejtë’,—tha njëri nga shokët.

‘Pse të mos shkojmë njëherë në mbledhjet e tyre dhe ta zbulojmë?—ia priti një tjetër. Pikërisht këtë bëmë. Megjithëse kishim dyshime për atë që dëgjuam atje, disa nga ne vazhduan t’i ndiqnin mbledhjet, thjesht sepse Dëshmitarët tregoheshin shumë miqësorë.

Megjithatë, një të diel dëgjova diçka që ma ndryshoi qëndrimin. Oratori shpjegoi arsyen pse vuajnë njerëzit. Kurrë më parë s’e kisha kuptuar se në fillim njeriu u krijua i përsosur; se mëkati e vdekja e patën origjinën te një njeri dhe më pas u përhapën në të gjithë njerëzit. Gjithashtu, oratori shpjegoi pse ishte e nevojshme vdekja e Jezuit për ta kthyer njerëzimin në gjendjen që kishte humbur njeriu i parë. * (Romakëve 5:12, 18, 19) Papritur, tani gjithçka kishte kuptim. ‘Ekzistoka vërtet një Perëndi që interesohet për ne’,—mendova. E vazhdova studimin e Biblës dhe shpejt, për herë të parë në jetë, kuptova se mund t’i lutesha dikujt që është real.»

Alani, i përmendur gjithashtu në artikullin hyrës. «Një ditë Dëshmitarët e Jehovait më erdhën në shtëpi dhe gruaja i ftoi brenda ngaqë e tërhoqi biseda rreth jetës së përhershme në tokë. U mërzita, prandaj i lashë vizitorët te salloni, e çova gruan në kuzhinë dhe i thashë: ‘Mos u bëj budallaqe. S’mund t’u besosh këtyre gjërave!’

‘E po mirë atëherë, shko dhe vërtetojua që e kanë gabim’,—u përgjigj ajo.

Natyrisht, unë s’mund të vërtetoja asgjë. Por ata ishin shumë të sjellshëm dhe më lanë një libër që tregonte nëse jeta erdhi me krijim apo me evolucion. Logjika e librit ishte kaq e fortë dhe me baza, sa vendosa të mësoja më tepër për Perëndinë. Nisa të studioja Biblën me Dëshmitarët dhe, brenda pak kohësh, kuptova se ato që thoshin Shkrimet ishin shumë ndryshe nga tërë idetë e mëparshme që kisha për fenë. Ndërkohë që mësoja për Jehovain, lutjet e mia u bënë më specifike. Kisha disa qëndrime jo shumë të këndshme, prandaj u luta për ndihmë. Jam i sigurt se Jehovai iu përgjigj lutjeve të mia.»

Andrea, që jeton në Angli. «Megjithëse kisha opinione të forta dhe isha i dhënë pas shkencës, teorinë e evolucionit e besoja thjesht ngaqë të tjerët thoshin se ishte e vërtetuar. Nuk besoja te Perëndia për shkak të gjithë gjërave të këqija që ndodhnin.

Prapëseprapë, ndonjëherë mendoja: ‘Nëse atje lart ndodhet një Perëndi, atëherë dua të di ç’kuptim ka jeta. Pse ka kaq shumë krime dhe luftëra?’ Kur hasja vështirësi, ndonjëherë lutesha për ndihmë, por nuk e dija me kë po flitja.

Më pas dikush i dha gruas fletushkën A do të mbijetojë kjo botë?, e botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Ishte tamam pyetja që bluaja shpesh në mendje. Fletushka më bëri të mendoja për Biblën: ‘A ia vlen t’i shqyrtosh përgjigjet e saj?’ Më vonë, ndërsa isha me pushime, dikush më dha librin Bibla​—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve? * Kur kuptova se Bibla është në harmoni me shkencën e vërtetë, mendova se duhej të mësoja më tepër për Biblën. Kështu që, kur një Dëshmitar i Jehovait u ofrua të studionte Biblën me mua, pranova. Teksa kuptoja qëllimin e Jehovait, e ndieja se po e njihja si një person real, si dikë të cilit mund t’i flitja hapur në lutje.»

Xheni, e rritur në Londër si protestante. «Hipokrizia fetare dhe vuajtjet e përhapura më shtynë të hiqja dorë nga feja. Gjithashtu, lashë universitetin dhe fillova të këndoja e t’i bija kitarës që të fitoja para. Në këtë kohë takova Patin. Ai ishte rritur si katolik dhe, ashtu si unë, s’besonte më.

Jetonim në një shtëpi të braktisur bashkë me disa të tjerë që kishin lënë shkollën, të cilët ishin të interesuar për fetë e Lindjes. Netëve të vona, për orë të tëra, bisedonim plot zjarr se ç’kuptim ka jeta. Megjithëse unë dhe Pati nuk besonim te Perëndia, mendonim se duhej të ekzistonte ndonjë ‘forcë jetëdhënëse’.

Pasi u shpërngulëm në veri të Anglisë për të kërkuar punë si muzikantë, na lindi djali. Një natë ai u sëmur dhe si pa e kuptuar iu luta Perëndisë, të cilit nuk i besoja. S’kaloi shumë dhe lidhja ime me Patin u prish, prandaj mora foshnjën e u largova. U luta sërish për ndihmë; mbase dikush po dëgjonte. S’e dija, por edhe Pati kishte bërë të njëjtën gjë.

Më vonë, po atë ditë dy Dëshmitarë të Jehovait trokitën në derën e Patit dhe i treguan nga Bibla disa këshilla praktike. Pati më telefonoi dhe më pyeti nëse isha dakord të studionim Biblën me Dëshmitarët. Shpejt mësuam se për t’i pëlqyer Perëndisë, duhej ta celebronim martesën. Kjo ishte goxha e vështirë, duke pasur parasysh lidhjen tonë të paqëndrueshme.

Donim të dinim më tepër rreth përmbushjes së profecive biblike, arsyes pse vuajmë dhe se ç’kuptim ka Mbretëria e Perëndisë. Dalëngadalë, kuptuam se Perëndia interesohet për ne dhe donim të bënim siç thotë ai. U martuam. Mençuria e Fjalës së Perëndisë na ka ndihmuar të rritim tre fëmijët tanë. Jemi të sigurt se Jehovai i dëgjoi lutjet tona.»

Shqyrtoji vetë dëshmitë

Ashtu si miliona të tjerë, ata që u përmendën në këtë artikull nuk u mashtruan nga feja e rreme dhe zbuluan pse i lejon Perëndia vuajtjet. A e vure re se në çdo rast ishte kuptueshmëria e saktë për Biblën që i bindi këta individë se Jehovai i dëgjon vërtet lutjet?

A dëshiron t’i shqyrtosh dëshmitë se Perëndia ekziston? Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmojnë me kënaqësi që të mësosh të vërtetën për Jehovain dhe si t’i afrohesh ‘Dëgjuesit të lutjes’.​—Psalmi 65:2.

[Shënimet]

^ par. 6 Për më shumë informacion rreth vlerës shpërblyese të vdekjes së Jezuit, shih kapitullin 5 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 12 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 10]

«Teksa kuptoja qëllimin e Jehovait, e ndieja se po e njihja si një person real, si dikë të cilit mund t’i flitja hapur në lutje»

[Figura në faqen 9]

Besimi i vërtetë bazohet në dëshmi dhe në dëshirën për të ditur të vërtetën rreth Perëndisë