Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

ÇFARË e ndihmoi një grua nga Filipinet të mos abuzonte më me alkoolin dhe ta përmirësonte jetën familjare? Pse u bë predikues i lajmit të mirë një australian i dhënë pas karatesë? Ja çfarë thonë ata.

«Ndryshimet nuk ndodhën sa hap e mbyll sytë.»​—KARMEN ALEGRA

LINDUR: 1949

VENDI I LINDJES: FILIPINET

MË PARË: PINTE RËNDSHËM

E KALUARA IME: Linda në San-Fernando, qytet në provincën e Kamarines-Surit. Por në moshë të rritur kam jetuar kryesisht në Antipol, në provincën e Rizalit. Kur u transferova fillimisht atje, Antipoli ishte një qytet i vogël e i qetë në një zonë malore të veshur me bar dhe plot me pemë. Rrallë shihja ndonjë të ecte jashtë kur errësohej. Gjithsesi, tani Antipoli është zhvilluar dhe është bërë qytet i madh me shumë banorë.

Pak pasi shkova në Antipol, u njoha me një burrë, Benxhaminin, dhe më vonë u martuam. Jeta martesore ishte shumë më e vështirë nga ç’e prisja. Fillova të pija rëndshëm që të shmangia problemet. U bëra tip i vështirë, dhe kjo ishte e dukshme në mënyrën si e trajtoja burrin e fëmijët. Thuajse s’kisha fare vetëkontroll ose durim në marrëdhëniet me ta. Nuk kisha pikë respekti për burrin. Qartë, jeta jonë familjare s’ishte e këndshme.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Kunata ime, Edita, është Dëshmitare e Jehovait dhe sugjeroi që unë e Benxhamini të studionim Biblën me Dëshmitarët. Pranuam, me shpresë se kjo do të na e përmirësonte jetën familjare.

Teksa studionim Biblën, mësuam shumë të vërteta të bukura. Sidomos fjalët e Zbulesës 21:4 më prekën zemrën. Për ata që do të jetojnë në parajsën e ardhshme tokësore nën Mbretërinë e Perëndisë, ky varg thotë se Perëndia ‘do t’u fshijë çdo lot nga sytë. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më’. Doja të isha mes atyre që do t’i përjetonin këto bekime.

Kuptova se duhej të bëja ndryshime rrënjësore në qëndrime dhe në zakone. Ndonëse ndryshimet nuk ndodhën sa hap e mbyll sytë, dalëngadalë arrita të mos abuzoja më me alkoolin. Gjithashtu mësova të jem e sjellshme dhe e durueshme me familjen. Për më tepër, mësova ta respektoja burrin, duke bashkëpunuar me të ndërsa merrte drejtimin në familje.

Kur unë dhe Benxhamini nisëm të ndiqnim mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, na la mbresa të thella ajo që pamë. Dëshmitarët nuk luajnë bixhoz, nuk pinë me tepri dhe nuk janë të anshëm. Ata i trajtojnë të gjithë me dinjitet dhe me respekt. Ishim të bindur se kishim gjetur fenë e vërtetë.​—Gjoni 13:34, 35.

DOBITË: Jeta jonë familjare është përmirësuar tej mase. Benxhamini dhe unë kemi një martesë të lumtur e kënaqemi duke u mësuar Biblën të tjerëve. Edhe dy djemtë e rritur bashkë me gratë e tyre tani po studiojnë Biblën. Shpresojmë që me kalimin e kohës do të bashkohen me ne në shërbim të Jehovait. Kjo është vërtet mënyra më e mirë e jetës.

«Ndihesha i pathyeshëm.»​—MAJKËLL BLENSDENI

LINDUR: 1967

VENDI I LINDJES: AUSTRALIA

MË PARË: I DHËNË PAS KARATESË

E KALUARA IME: U rrita në Alber, një qytet i bukur e i begatë në Uellsin e Ri Jugor. Ashtu si në shumë qytete, edhe aty s’mungonin krimet. Megjithatë, në përgjithësi Alberi njihet si vend i sigurt për të jetuar.

U rrita rehat. Ndonëse prindërit u divorcuan kur isha shtatë vjeç, u siguruan që, mua, vëllait dhe dy motrave, kurrë të mos na mungonte gjë. Mora një arsimim cilësor, sepse ndoqa shkollën private më të mirë në zonë. Babai donte që t’i futesha karrierës së biznesit kur të mbaroja shkollën. Gjithsesi, më tërhiqte më tepër sporti dhe shkëlqeva në çiklizëm e karate. Përfundova duke punuar në një ofiçinë automjetesh, e cila s’më hante shumë kohë dhe më lejonte t’i përqendroja energjitë në sport.

Isha krenar që e mbaja trupin në formë. Ndonjëherë ndihesha i pathyeshëm. Mund ta kisha përdorur kollaj forcën për të përfituar nga të tjerët. Por mësuesi i karatesë më mësoi disiplinë të rreptë dhe moral të mirë, ngaqë e dinte se po luftoja me veten që të mos e keqpërdorja forcën. Vazhdimisht theksonte sa rëndësi kishte bindja dhe besnikëria.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Kur fillova të studioja Biblën, mësova se Jehovai e urren dhunën. (Psalmi 11:5) Fillimisht arsyetoja se karateja nuk është dhunë, por sport që praktikohet pa rrezikuar. Mendoja se normat e larta që nxiste, kishin shumë ngjashmëri me mësimet e Biblës. Çifti Dëshmitar që studioi me mua u tregua shumë i durueshëm. Ata nuk më thoshin kurrë se duhej të hiqja dorë nga artet marciale, por thjesht vazhdonin të më mësonin të vërtetën biblike.

Fillova t’i shihja gjërat ndryshe teksa e thelloja njohurinë për Biblën dhe miqësinë me Jehovain. Më bëri përshtypje kur mësova për shembullin që la Biri i Jehovait, Jezui. Megjithëse ishte shumë i fuqishëm, ai nuk përdori kurrë dhunë fizike. Fjalët e tij të dokumentuara te Mateu 26:52 goditën në shenjë: «Të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin.»

Sa më shumë mësoja për Jehovain, aq më tepër më rritej dashuria dhe respekti për të. Mendimi se Krijuesi ynë kaq i mençur dhe i fuqishëm interesohet për mua personalisht, më ndikoi thellë. U preka kur mësova se Jehovai nuk do t’i humbte kurrë shpresat për mua, për sa kohë që vazhdoja të përpiqesha. Ai shpresonte tek unë edhe kur e zhgënjeja ose kur mendoja të dorëzohesha ngaqë gjithçka ishte shumë e vështirë. Më dha shumë zemër premtimi i tij: «Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’» (Isaia 41:13) Kur kuptova se më ishte treguar kjo lloj dashurie, s’doja të hiqja dorë.

E dija se të lija karatenë do të ishte vendimi më i vështirë për mua. Por, gjithashtu e dija se kjo do të kënaqte Jehovain dhe isha i bindur se ia vlente çdo sakrificë që t’i shërbeja atij. Mendoj se kthesa vendimtare ndodhi kur lexova fjalët e Jezuit te Mateu 6:24: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve.» E kuptova se do të ishte e pamundur t’i shërbeja plotësisht Jehovait dhe të vazhdoja me karatenë, pasi dihej se do t’i jepja përparësi karatesë. Kishte ardhur koha të zgjidhja zotërinë tim.

Nuk ishte e lehtë ta lija karatenë. Luftoja me veten, pasi përjetoja lloj-lloj ndjenjash. Ndieja njëfarë lumturie ngaqë po gëzoja Jehovain. Nga ana tjetër, ndihesha sikur po tradhtoja mësuesin e karatesë. Shpesh, ata që praktikojnë artet marciale e konsiderojnë mëkat të pafalshëm tradhtinë. Disa më mirë zgjedhin vetëvrasjen, se ta hanë turpin me bukë.

Më vinte shumë turp dhe s’ia shpjegoja dot mësuesit tim pse po e lija karatenë. Prandaj thjesht u largova dhe ndërpreva çdo lloj komunikimi me të e me shokët e tjerë të karatesë. E dija se lënia e karatesë ishte gjëja e duhur. Megjithatë ndihesha fajtor që s’ua shpjegova bindjet e reja; më shkau nga duart një mundësi për t’u folur të tjerëve për besimin tim. Më dukej sikur e zhgënjeva Jehovain që para se të nisja t’i shërbeja. Të gjitha këto më torturonin goxha. Sa e sa herë përpiqesha t’i lutesha Jehovait, por përfundoja duke qarë nga dhimbja.

Jehovai duhet të ketë parë diçka të mirë tek unë, sepse i nxiti vëllezërit dhe motrat e kongregacionit të më qëndronin pranë. Dashuria, forca që më dhanë dhe miqësia e tyre ishin të jashtëzakonshme. Përveç kësaj më dha zemër tregimi biblik për Davidin e Betshebën. Ndonëse Davidi kreu mëkate të rënda, Jehovai e fali kur u pendua sinqerisht. Meditimi për këtë tregim më ndihmoi të kisha pikëpamjen e duhur për të metat e mia.

DOBITË: Para se të studioja Biblën, s’e vrisja shumë mendjen për të tjerët​—jetoja vetëm për vete. Por Jehovai dhe gruaja ime e shkëlqyer, me të cilën kam shtatë vjet i martuar, më kanë ndihmuar të mendoj shumë më tepër për të tjerët. Për ne ka qenë bekim e privilegj të studionim Biblën me disa individë, ku përfshihen edhe persona me rrethana shumë të rënda. Gëzimi që ndiej kur shoh dashurinë e Jehovait të ndikojë në jetën e të tjerëve as që krahasohet me gëzimin e një kampioni të fuqishëm karateje.

[Diçitura në faqen 14]

«Mendimi se Krijuesi ynë kaq i mençur dhe i fuqishëm interesohet për mua personalisht, më ndikoi thellë»

[Kutia dhe figura në faqen 15]

«Faleminderit për këtë seri të mrekullueshme!»

A të pëlqyen përvojat që sapo lexove? Ato janë vetëm 2 nga 50 përvojat e tilla që janë botuar në revistën Kulla e Rojës që nga gushti i 2008-s. Seria «Bibla të ndryshon jetën» është bërë ndër më të pëlqyerat për lexuesit tanë. Pse është kaq tërheqëse?

Individët për të cilët flasin këta artikuj kanë prejardhje e kultura të ndryshme. Para se të mësonin për Perëndinë Jehova, disa kanë pasur njëfarë suksesi, por u ka munguar qëllimi i vërtetë në jetë. Të tjerë kanë hasur sfida të mëdha, si për shembull, kanë pasur temperament të dhunshëm ose kanë abuzuar me drogën a alkoolin. Disa e kanë njohur Jehovain ndërsa rriteshin, por kanë devijuar nga adhurimi i tij për ca kohë. Të gjitha këto përvoja tregojnë se është e mundur të bëjmë ndryshime për t’i pëlqyer Perëndisë. Kur veprojmë kështu, kemi përherë dobi. Si po ndikojnë këto përvoja te lexuesit tanë?

Një lexuese shpjegon si i ndihmoi disa të burgosura artikulli i revistës së 1 shkurtit 2009.

▪ «Shumë të burgosura i kuptojnë ndjenjat e individëve të përmendur në artikull. Efektshmëri të madhe kanë pasur fotografitë që tregojnë si kanë qenë dhe si janë bërë, bashkë me të dhënat e së kaluarës. Mjaft të burgosura kanë pasur një të kaluar të tillë. Pasi i lexuan këto përvoja, dy të burgosura nisën të studionin Biblën.»​—S. U.

Përvojat e kësaj serie ua kanë prekur zemrën tej mase disave. Për shembull, revista e 1 prillit 2011 kishte përvojën e Guadalup Biljarealit, i cili e braktisi jetën si homoseksual që t’i shërbente Jehovait. Lexo vetëm dy nga shumë letrat që lexuesit na kanë dërguar për këtë përvojë.

▪ «Përvoja e Guadalupit më preku në shpirt. Është kaq e mrekullueshme të shohësh se si dashuria për Jehovain dhe për Fjalën e tij e transformon rrënjësisht jetën e dikujt.»​—L. F.

▪ «Në të kaluarën, jam përpjekur t’i flas për besimin çdokujt, edhe homoseksualëve. Megjithatë, kohët e fundit, kam vërejtur se prirem të mos u kushtoj rëndësi, madje t’i shmang këta individë. Kisha tamam nevojë për këtë artikull. Më ndihmoi t’i shoh individë të tillë siç i sheh Jehovai​—si adhurues të mundshëm të tij.»​—M. K.

Edhe përvoja e Viktoria Tangut, historia e së cilës doli në revistën e 1 gushtit 2011, ka pasur domethënie të veçantë për shumë lexues. Viktoria tregonte se ishte rritur plot vuajtje. Ajo e pranonte se luftonte përbrenda që ta ndiente dashurinë e Jehovait, ndonëse kishte vite që i shërbente. Gjithashtu tregonte çfarë e ndihmoi dalëngadalë që ta pranonte dashurinë e Jehovait. Ja çfarë thanë disa lexues për historinë e saj.