Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Imitoni besimin e tyre

«Ku të shkosh ti, do të shkoj edhe unë»

«Ku të shkosh ti, do të shkoj edhe unë»

RUTHA ecte përkrah Naomit në rrugën përmes rrafshinave të Moabit, të larta e të rrahura nga era. Tani ishin vetëm, dy figura të vockla në peizazhin e paanë. Përfytyroje Ruthën tek vëren hijet e pasdites që zgjaten; më pas sheh vjehrrën dhe pyet veten nëse ka ardhur koha të gjejë një vend ku të kalojnë natën. Ajo e do shumë Naomin dhe do të bënte gjithçka mundej që të kujdeset për të.

Të dyja grave u rëndonte barra e pikëllimit. Naomi kishte vite si vejushë, por së fundi po vajtonte për vdekjen e dy djemve të saj, Kilionit dhe Mahlonit. Edhe Rutha ishte e pikëlluar, sepse Mahloni ishte i shoqi. Ajo dhe Naomi ishin drejtuar në të njëjtin vend, në qytetin e Betlehemit në Izrael. Por, në njëfarë mënyre, udhëtimi i tyre ndryshonte. Naomi po shkonte në shtëpi. Kurse Rutha po guxonte drejt së panjohurës dhe po linte pas të afërmit, vendlindjen e gjithë zakonet​—përfshirë edhe perënditë.​—Rutha 1:3-6.

Çfarë e shtyu këtë grua të re të bënte një ndryshim kaq të madh? Ku do ta gjente Rutha forcën që të fillonte një jetë të re dhe të kujdesej për Naomin? Teksa marrim përgjigjet, do të mësojmë shumë si ta imitojmë besimin e moabites Ruthë. Në fillim, le të shohim pse këto dy gra morën rrugën e gjatë për në Betlehem.

Tragjedia ndan një familje

Rutha u rrit në Moab, një vend i vogël në lindje të Detit të Vdekur. Rajoni përbëhej kryesisht nga pllaja me pyje të rralla, që priteshin nga gryka të thella. Shpesh «fushat e Moabit» ishin pjellore, edhe kur në Izrael pllakosi zia e bukës. Kjo ishte arsyeja pse Rutha u njoh me Mahlonin dhe me familjen e tij.​—Rutha 1:1.

Një zi buke që ra në Izrael e detyroi burrin e Naomit, Elimelekun, që ta çonte gruan e dy djemtë larg vendlindjes e të nisnin jetën si të huaj në Moab. Kjo shpërngulje duhet të ketë sjellë sfida për besimin e secilit në familje, pasi izraelitët duhej të adhuronin rregullisht në vendin e shenjtë që kishte përcaktuar Jehovai. (Ligji i përtërirë 16:16, 17) Naomi ia doli ta mbante gjallë besimin. Gjithsesi, atë e pushtoi pikëllimi kur i vdiq i shoqi.​—Rutha 1:2, 3.

Por ndoshta Naomi vuajti sërish më vonë, kur bijtë e saj u martuan me gra moabite. (Rutha 1:4) Naomi e dinte se paraardhësi i kombit të saj, Abrahami, ishte përpjekur shumë të gjente mes popullit të vet një adhuruese të Jehovait si grua për të birin, Isakun. (Zanafilla 24:3, 4) Më vonë, Ligji i Moisiut i paralajmëronte izraelitët të mos i linin bijtë e bijat të martoheshin me të huaj, përndryshe populli i Perëndisë do të përfshihej në idhujtari.​—Ligji i përtërirë 7:3, 4. *

Megjithatë, Mahloni dhe Kilioni u martuan me gra moabite. Edhe nëse Naomi ishte e shqetësuar a e zhgënjyer, me sa duket bëri çmos t’u tregonte mirësi dhe dashuri të sinqertë dy nuseve të saj, Ruthës e Orpës. Mbase shpresonte që edhe ato një ditë të adhuronin Jehovain, ashtu si ajo. Sido të ketë qenë, si Rutha dhe Orpa e donin fort Naomin. Marrëdhënia e mirë që kishin, i ndihmoi kur i goditi tragjedia. Këto dy të reja mbetën të veja që para se të bëheshin me fëmijë.​—Rutha 1:5.

A e përgatiti Ruthën prejardhja fetare për një tragjedi të tillë? Ka shumë mundësi që jo. Moabitët adhuronin shumë perëndi, ndër të cilët kryesonte Kemoshi. (Numrat 21:29) Duket se feja moabite nuk bënte përjashtim nga praktikat brutale e të tmerrshme që ishin të zakonshme në atë kohë, ku përfshihej edhe flijimi i fëmijëve. Pa dyshim, Ruthës i bënte përshtypje të thellë çdo gjë që mësonte nga Mahloni a Naomi për Perëndinë e dashur e të mëshirshëm të Izraelit, Jehovain, pasi ishte krejt ndryshe nga ajo që dinte. Jehovai sundonte me anë të dashurisë, jo terrorit. (Ligji i përtërirë 6:5) Pas asaj humbjeje shkatërruese, Rutha mund të jetë lidhur edhe më tepër me Naomin e mund ta ketë dëgjuar me gatishmëri gruan e moshuar tek i fliste për Perëndinë e plotfuqishëm, Jehovain, për veprat e tij të mrekullueshme dhe për mënyrën e dashur e të mëshirshme si vepronte me popullin e vet.

Nga ana e saj, Naomi mezi priste lajme nga vendlindja. Një ditë, ndoshta me anë të një tregtari shëtitës, dëgjoi se zia në Izrael kishte mbaruar. Jehovai e kishte kthyer vëmendjen nga populli i tij. Betlehemi ishte sërish në lartësinë e emrit që mbante, «shtëpi e bukës». Naomi vendosi të kthehej në shtëpi.​—Rutha 1:6.

Çfarë do të bënin Rutha e Orpa? (Rutha 1:7) Ato ishin lidhur shumë me Naomin gjatë gjëmës së përbashkët. Veçanërisht Ruthën, me sa duket e kishte tërhequr mirësia e Naomit dhe besimi i patundur që kishte te Jehovai. Të tria vejushat u nisën së bashku për në Judë.

Tregimi i Ruthës na kujton se tragjeditë dhe vdekjet u ndodhin si të mirëve, ashtu edhe të këqijve. (Eklisiastiu 9:2, 11) Gjithashtu na mëson se përballë një humbjeje të dhimbshme, tregohemi të mençur nëse kërkojmë ngushëllim e lehtësim nga të tjerët​—sidomos nga ata që kërkojnë strehë te Jehovai, Perëndia që adhuronte Naomi.​—Proverbat 17:17.

Dashuria besnike e Ruthës

Ndërsa tri vejushat linin pas kilometra të tërë, Naomin nisi ta brente një merak tjetër. Ajo mendonte për dy të rejat që kishte pranë dhe për dashurinë që i kishin treguar asaj e bijve të saj. Nuk e duronte dot mendimin se do t’ua shtonte më tej barrën. Po ta linin vendlindjen e të iknin me të, ç’mund të bënte për to në Betlehem?

Më në fund Naomi foli: «Shkoni, kthehuni secila në shtëpinë e nënës së vet. Jehovai u tregoftë dashamirës me ju, ashtu si u treguat ju me burrat që kanë vdekur dhe me mua!» Gjithashtu u tha se shpresonte që Jehovai do t’i shpërblente me bashkëshortë të tjerë dhe me një jetë të re. Tregimi thotë: «Pastaj i puthi dhe ato zunë të qanin me të madhe.» Nuk është e vështirë të kuptojmë pse Rutha dhe Orpa ishin kaq të lidhura me këtë grua zemërmirë e altruiste. Të dyja këmbëngulnin: «Jo, ne do të kthehemi me ty, te populli yt.»​—Rutha 1:8-10.

Por Naomi nuk bindej kaq lehtë. Ajo këmbënguli duke arsyetuar me forcë se nuk mund të bënte asgjë për to në Izrael. Nuk kishte bashkëshort që të kujdesej për të, as bij që të martoheshin me to, e as kishte ndonjë shpresë për këtë. S’ndihej e aftë të kujdesej për nuset, dhe kjo e hidhëronte tej mase.​—Rutha 1:11-13.

Orpës iu dukën me vend fjalët e Naomit. Ajo kishte familjen në Moab, nënën dhe një shtëpi që e priste. I dukej vërtet më praktike të qëndronte atje. Kështu, me zemër të pikëlluar i dha Naomit puthjen e lamtumirës dhe u kthye.​—Rutha 1:14.

Ç’të themi për Ruthën? Ajo që tha Naomi vlente njësoj edhe për të. Megjithatë lexojmë: «Kurse Rutha nuk iu nda.» Ndoshta Naomi kishte vazhduar rrugën, kur ja, sheh Ruthën tek çapitej pas saj. Ajo u përpoq t’ia kthente mendjen me fjalët: «Ja, kunata jote e ve u kthye te populli dhe te perënditë e saj. Kthehu bashkë me të.» (Rutha 1:15) Fjalët e Naomit zbulojnë një hollësi jetësore për lexuesin. Orpa nuk u kthye vetëm te populli i saj, por edhe te «perënditë e saj». Ajo ishte e kënaqur të mbetej adhuruese e Kemoshit dhe e perëndive të tjera të rreme. A ndihej edhe Rutha kështu?

Teksa gjendej përballë Naomit në atë rrugë të shkretë, Rutha ishte e sigurt për atë që ndiente në zemër. Ajo i gufonte nga dashuria për Naomin dhe për Perëndinë e Naomit. Ja çfarë tha ajo: «Mos m’u lut që të të braktis, të largohem dhe të mos të shoqëroj, sepse ku të shkosh ti, do të shkoj edhe unë e ku ta kalosh natën ti, do ta kaloj natën edhe unë. Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt, Perëndia im. Ku të vdesësh ti, do të vdes edhe unë, e atje do të varrosem. Kështu ma bëftë Jehovai, madje edhe më keq, nëse nga ti më ndan gjë tjetër veç vdekjes!»​—Rutha 1:16, 17.

Fjalët e Ruthës janë kaq të jashtëzakonshme, sa kanë mbijetuar shumë më tepër se ajo vetë, duke bërë jehonë rreth 30 shekuj më pas. Ato zbulojnë në mënyrë të përsosur një cilësi të çmuar, dashurinë besnike. Dashuria e Ruthës ishte kaq e fortë dhe besnike, sa nuk do t’i ndahej Naomit kudo që të shkonte. ­Vetëm vdekja mund t’i ndante. ­Populli i Naomit do të bëhej populli i saj, pasi Rutha ishte gati të linte pas gjithçka që njihte në Moab, madje edhe perënditë moabite. Ndryshe nga Orpa, ajo mund të thoshte me gjithë zemër se donte që Perëndia i Naomit, Jehovai, të ishte edhe Perëndia i saj. *

Kështu ato vazhduan udhën, të vetme në rrugën e gjatë drejt Betlehemit. Sipas një llogaritjeje, udhëtimi mund të ketë zgjatur një javë. Por me siguri, përballë pikëllimit, që të dyja gjenin njëfarë ngushëllimi në shoqërinë e njëra-tjetrës.

Mjaft njerëz përjetojnë pikëllim në botën e sotme. Në kohët tona, që Bibla i quan «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», gjendemi përballë gjithfarë humbjesh e pikëllimesh. (2 Timoteut 3:1) Prandaj, cilësia që shfaqi Rutha është bërë më e rëndësishme se kurrë. Dashuria besnike​—dashuria që kapet fort pas dikujt a diçkaje dhe që thjesht nuk pranon të ndahet—​është një forcë e fuqishme për mirë në këtë botë të errët. Kemi nevojë për të në martesë, në marrëdhëniet familjare, në marrëdhëniet me miqtë dhe në kongregacionin e krishterë. Ndërsa zhvillojmë këtë lloj dashurie, po imitojmë shembullin e shkëlqyer të Ruthës.

Rutha dhe Naomi në Betlehem

Pa dyshim, një gjë është të themi se kemi dashuri besnike, por është krejt tjetër ta tregojmë me vepra. Rutha kishte para mundësinë t’ia tregonte dashurinë besnike jo vetëm Naomit, por edhe Perëndisë që zgjodhi t’i shërbente, Jehovait.

Më në fund dy gratë arritën në Betlehem, një qytezë rreth 10 kilometra në jug të Jerusalemit. Me sa duket, Naomi dhe familja e saj dikur kishin qenë me emër në atë qytet të vogël, pasi tërë vendi po gumëzhinte nga lajmi për kthimin e saj. Gratë e shihnin ngultas dhe thoshin: «Naomi është kjo?» Ka të ngjarë që jeta në Moab ta kishte ndryshuar shumë; çehrja dhe qëndrimi i trupit tregonin gjurmët që kishin lënë vitet plot vështirësi e pikëllim.​—Rutha 1:19.

Naomi u zbuloi atyre të afërmeve e fqinjave që kishte pasur vite më parë, sa i ishte hidhëruar jeta. Madje, ajo mendonte se emri i duhej ndryshuar nga Naomi që do të thotë «kënaqësia ime», në Mara që do të thotë «e hidhur». E gjora Naomi! Shumë ngjashëm Jobit që kishte jetuar para saj, ajo besonte se vështirësitë ia kishte sjellë Perëndia Jehova.​—Rutha 1:20, 21; Jobi 2:10; 13:24-26.

Teksa gratë nisën jetën në Betlehem, Rutha filloi të mendonte si të kujdesej më së miri për veten e për Naomin. Ajo mori vesh se Ligji që Jehovai i kishte dhënë popullit të tij në Izrael përfshinte një masë të dashur për të varfrit. Ata lejoheshin të shkonin në ara gjatë kohës së të korrave e t’u shkonin pas korrësve për të mbledhur atë që mbetej, si edhe atë që rritej në cepat e në pjesët anësore të arave. *​—Levitiku 19:9, 10; Ligji i përtërirë 24:19-21.

Kishte ardhur koha e të korrave të elbit, ndoshta në prill sipas kalendarit të sotëm. Rutha shkoi në ara të shihte se kush do ta linte të punonte sipas masës për të mbledhur prodhimin e mbetur. Ajo rastisi në arat e një burri që quhej Boaz, një pronari të pasur tokash që ishte edhe një i afërm i Elimelekut, burrit të Naomit. Ndonëse Ligji i jepte të drejtën të mblidhte të korrat e mbetura, ajo nuk e mori si të mirëqenë këtë. Që të punonte aty, i mori leje të riut përgjegjës për korrësit. Ai ia dha lejen dhe Rutha iu fut punës.​—Rutha 1:22–2:3, 7.

Imagjinoje Ruthën tek mbledh pas korrësve. Ndërsa ata korrnin elbin me drapërinj prej stralli, Rutha kërrusej që të mblidhte atë që linin mbrapa, i grumbullonte kallinjtë në duaj dhe i mbartte në një vend ku më vonë të shinte drithin. Puna ishte e ngadaltë dhe e lodhshme, dhe vështirësohej më tepër teksa paraditja s’kishte të sosur. Gjithsesi Rutha nuk u dorëzua, por ndalonte vetëm që të fshinte djersën nga balli dhe që të hante një drekë të thjeshtë «në shtëpi»​—mbase një strehë që u bënte hije punëtorëve.

Me sa duket Rutha as shpresonte, as priste ta vinin re, por ja që e panë. Boazi e pa dhe pyeti përgjegjësin e ri se kush ishte ajo. Ngaqë ishte njeri me besim të jashtëzakonshëm, Boazi i përshëndeste punëtorët, disa prej të cilëve mund të ishin mëditës, madje të huaj, me fjalët: «Jehovai qoftë me ju!» Ata ia kthenin me të njëjtat fjalë. Boazi, ky burrë i madh në moshë që e donte Jehovain, tregoi interes atëror për Ruthën.​—Rutha 2:4-7.

Duke e quajtur «bijë», Boazi e këshillon Ruthën të vazhdojë të vijë në arat e tij që të mble­dhë prodhimin e mbetur dhe të qëndrojë afër shërbëtoreve të shtëpisë së tij që të mos e ngacmojë ndonjë nga punëtorët. U sigurua që ajo të kishte ç’të hante në drekë. Por, mbi të gjitha, e lavdëroi e i dha zemër. Si?​—Rutha 2:8, 9, 14.

Kur Rutha e pyeti Boazin pse ajo, një e huaj, kishte fituar pëlqimin e tij, ai i tha se kishte dëgjuar gjithë sa kishte bërë për të vjehrrën. Ndoshta Naomi e kishte lavdëruar Ruthën e saj të dashur mes grave të Betlehemit dhe fjala kishte rënë në vesh të Boazit. Ai e dinte edhe se Rutha ishte bërë adhuruese e Jehovait, pasi i tha: «Jehovai të shpërbleftë për këtë që bëre! Marrsh një pagë të përsosur nga Jehovai, Perëndia i Izraelit, nën krahët e të cilit erdhe të kërkosh strehë!»​—Rutha 2:12.

Sa duhet ta kenë inkurajuar këto fjalë Ruthën! Ajo kishte vendosur vërtet të gjente strehë nën krahët e Perëndisë Jehova, si një zog i vogël që strehohet i sigurt nën krahët e prindit mbrojtës. E falënderoi Boazin që i dha kaq siguri dhe punoi deri në mbrëmje.​—Rutha 2:13, 17.

Besimi me vepra i Ruthës është shembull i shkëlqyer për të gjithë ne që luftojmë me vështirësitë ekonomike të këtyre kohëve. Ajo nuk mendonte se të tjerët kishin ndonjë detyrim ndaj saj, kështu që çmonte çdo gjë që i ofrohej. Nuk i vinte turp të punonte fort e për një kohë të gjatë që të kujdesej për Naomin e shtrenjtë, ndonëse ishte punë e përulur. E pranoi me mirënjohje dhe e zbatoi këshillën e mençur si të punonte e sigurt dhe në shoqëri të mirë. Ç’është më e rëndësishmja, kurrë s’e humbi nga sytë strehën e vërtetë​—Atin e saj mbrojtës, Perëndinë Jehova.

Nëse tregojmë dashuri besnike si Rutha dhe ndjekim shembullin e saj të përulësisë, papërtueshmërisë e mirënjohjes, edhe besimi ynë do të bëhet një shembull i shkëlqyer për të tjerët. Por, si ua plotësoi Jehovai nevojat Ruthës e Naomit? Këtë do ta trajtojmë në një artikull tjetër të kësaj serie.

[Shënimet]

^ par. 22 Është interesante se Rutha nuk përdori vetëm titullin formal «Perëndi», siç mund të bënin shumë të huaj, por përdori edhe emrin personal të Perëndisë, Jehova. Një vepër (The Interpreter’s Bible) komenton: «Në këtë mënyrë shkrimtari thekson se kjo e huaj është adhuruese e Perëndisë së vërtetë.»

^ par. 29 Ky ligj ishte i jashtëzakonshëm, pa dyshim krejt ndryshe nga çdo gjë që Rutha dinte në vendin e vet. Në atë kohë, në Lindjen e Mesme të lashtësisë, vejushat trajtoheshin keq. Një vepër referimi vëren: «Pas vdekjes së të shoqit, normalisht vejusha mbështetej te bijtë e saj; nëse nuk kishte bij, mund t’i duhej të shitej në skllavëri, t’i dorëzohej prostitucionit ose të vdiste.»

[Kutia në faqen 26]

Kryevepër në miniaturë

Librin e Ruthës e kanë përshkruar si një xhevahir të vogël, një kryevepër në miniaturë. Qartë, libri nuk ka aq shumë informacione sa libri i Gjykatësve që ndodhet para tij, i cili na ndihmon të dimë kur ndodhën ngjarjet në librin e Ruthës. (Rutha 1:1) Me sa duket të dy librat i shkroi profeti Samuel. Por, teksa lexon në Bibël, mund të jesh dakord se libri i Ruthës është pozicionuar më së miri mes librave të frymëzuar të Biblës. Pasi lexojmë për luftërat, mësymjet dhe kundërmësymjet e dokumentuara në librin e Gjykatësve, arrijmë te ky libër i vogël që na kujton se Jehovai nuk i heq kurrë sytë nga njerëzit paqësorë që luftojnë me problemet e përditshme. Kjo dramë e thjeshtë familjare na jep mësime të thella për dashurinë, humbjen, besimin dhe besnikërinë, nga të cilat nxjerrim dobi të gjithë.

[Figura në faqen 24]

Me mençuri Rutha u lidh më tepër me Naomin në një kohë pikëllimi e humbjeje

[Figura në faqet 24, 25]

«Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt, Perëndia im»

[Figura në faqen 27]

Rutha ishte gati të bënte punë të vështirë e të përulur që të kujdesej për veten e për Naomin